1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hagë: Ish-pjesëtari i UÇK-së dënohet me 18 vjet burgim

16 Korrik 2024

Dënimi ndaj Pjeter Shalës, është aktgjykimi i dytë i Gjykatës mbi hetimet për krime lufte në Kosovë. Të akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte janë edhe ish-drejtuesit e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi.

https://p.dw.com/p/4iNUO
Pjetër Shala me kufje në vesh në sallën e Gjykatës Speciale në Hagë
Pjetër ShalaFotografi: Piroschka Van De Wouw/AP Photo/picture alliance

Gjykata Speciale me seli në Hagë e dënoi këtë të martë (16.07) ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala, me 18 burgim. Ai u gjet fajtor për pjesëmarrje në ndalim arbitrar, torturë e një rast të vrasjes në periudhën mes majit dhe qershorit të 1999. Pjetër Shala, në vendimin e gjykatës për secilën akuzë, u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje dhe dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim. Sipas trupit gjykues, Pjetër Shala, i njohur me nofkën "Ujku”, gjatë luftës në Kosovë, mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit të atij viti, kishte marrë pjesë në  ndalimin arbitrar, torturë dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Të ndaluarit në fabrikën e metalit "u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje ose dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar nën presion”, thuhet në vendim.

Sipas gjykatës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë, ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Sipas gjykatës numri i të ndaluarve nuk dihet, por vlerësohet të ketë qenë rreth 40 persona, përfshirë tri gra, ka thënë gjykatësja  Mappie Veldt Foglia.

Pamje nga jashtë e godinsë së Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë
Gjykata Speciale e Kosovës është e vendosur në mjediset e Gjykatës Ndërkombëtare në HagëFotografi: Florian Görner/DW

"Trupi gjykues i ka identifikuar 18 persona, ka dëgjuar dëshmi të dorës së parë për ngjarjet traumatike të përjetuara gjatë ndalimit të tyre në këtë fabrikë dhe ndikimin që kanë pasur këto ngjarje në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”, tha Foglia. Sipas Gjykatëses, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë pësuar dëme nga shqiptarë tjerë të Kosovës.

Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia, tha se fabrika e dikurshme e metalit në Kukës është përdorur prej UÇK-së, në periudhën maj 1998 deri në qershor 1999, ndër të tjera për rekrutim dhe logjistikë. Ajo tha se  Gjykata ka marrë dëshmi të besueshme se "ky objekt është përdorur për të ndaluar, marrë në pyetje dhe keqtrajtim të njerëzve që dyshohej se bashkëpunonin apo simpatizonin autoritetet serbe, apo nuk përkrahnin mjaftueshëm përpjekjet e UÇK-së”.

"Shala ka marrë pjesë në transferimin nën rojë të njërit prej të ndaluarve në fabrikë, ka marrë pjesë në marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve, së bashku me anëtarë tjerë të UÇK-së. Shala ka qenë i pari që ka goditur disa të ndaluar. Njëri prej të ndaluarve tha, se Shala e ka goditur me shkop bejsbolli dhe e ka akuzuar se ishte spiun”, tha Foglia.

Trupi gjykues konstatoi se Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave përkatëse për të mundësuar trajtimin  njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat. Dënimi i sotëm i Pjetër Shalës, është aktgjykimi i dytë i kësaj Gjykate lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.  Më herët në dhjetor të vitit 2022, është dënuar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim për krime lufte. Nga Gjykata  Speciale janë dënuar edhe ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas të dy janë liruar me kusht. Të akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte dhe të cilët po gjykohen në Hagë, janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.