1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hanami - Historia e soditjes së luleve në Japoni

Pren Domgjoni
6 Maj 2020

Miliona turistë vizitojnë çdo vit Japoninë për të parë lulëzimin e qershive. Por tradita e soditjes së luleve aty ka një traditë shekullore. Pren Domgjoni, po i shijon vetë këto pamje dhe na ka dërguar këtë shkrim.

https://p.dw.com/p/3bp2X
Teltow Japanische Kirschblütenallee
Fotografi: picture-alliance/Rainer Keuenhof

Prej shekujsh lulëzimi i qershisë është një moment mjaft i rëndësishëm për japonezët. Në fillim ky moment konsiderohej se sillte lajmin e ardhjes së kohës për mbjelljen e orizit. Njerëzit besonin se brenda kësaj peme ekziston një "Kami" (Zot) dhe filluan t'i ofrojnë  lutje. Më vonë kjo ceremoni u shoqërua me sake (pija tradicionale japoneze e bërë nga orizi).

Nga kumbulla te qershia

Historia e soditjes së luleve në Japoni ka filluar me lulet e kumbullës, dhe në periudhën e Heianit rreth viteve 794 p.e.s. kjo  traditë u shndërrua në soditjen e luleve të qershisë. Perandori Saga ishte ai i cili  organizoi  festën e parë me ushqime, muzikë, shkrim poezish, të frymëzuar nga lulet në Oborrin e Perandorit në Kioto (Kyoto).

Ausstellung “Picknick-Zeit“ im Museum Angewandte Kunst, Frankfurt
Fotografi: Nationaal Museum van Wereldculturen, Leiden

Gjatë Periudhës së Perandorit Edo (1603-1868) në tërë Japoninë u mbollën shumë qershi. Gjatë kësaj periudhë kjo kulturë shënoi përhapje më të madhe. Në fillim organizimi i festës për lulëzimin e qershisë bëhej për aristokracinë dhe aty mblidheshin edhe njerëzit e artit, kurse më vonë kjo traditë mori përmasa tjera dhe filloi të festohej edhe nga njerëzit e thjeshtë. 

Një nga pikat më popullore për soditjen e luleve të qershisë gjatë periudhës së perandorit Edo ishte Parku Ueno. Përmasa më të gjëra kjo kulturë mori gjatë shekullit XIX. Edhe tani në kohën moderne parku Ueno është një ndër pikat kryesore për vizitorët vendas dhe të huaj. Me miliona vetë e vizitojnë këtë park çdo stinë të pranverës për të soditur lulëzimin e qershive.

Kirschblüte Ueno Park in Tokyo  Japan
Jo vetëm gjatë periudhës së perandorit Edo, por edhe sot parku Ueno është një nga pikat më popullore për soditjen e luleve të qershisë Fotografi: Reuters/I. Kato

Ndikimi i luleve të qershisë në traditë, kulturë dhe art

Motivet me lulet e qershisë hasen kudo. Lulja e qershisë zë vend të rëndësishëm në kulturë, art, letërsi, poezi, veshje tradicionale dhe moderne etj. Edhe në kohët moderne dizajnime dhe dekorime me lule qershie shihen kudo, murale në shtëpitë tradicionale japoneze, kapakët e librave, mbështjellëset e fletoreve, e lapsave, të enëve të kuzhine, shkopinjve për ngrënie Po ashtu edhe në veshjet moderne lulet e qershisë dhe ngjyrat e lules së qershisë janë të pranishme, sidomos tek veshjet e femrave.

Japan Kirschblütenfest
Fotografi: R. Primack

Qershitë dhe peizazhi

Kultivimi i kulturës së soditjes së qershive ka ndikuar shumë në pasurimin dhe zbukurimin e peizazhit në Japoni. Qershitë janë të pranishme kudo, në brigjet e lumenjve, përgjatë rrugëve, rrugicave, në parqe, kopshte. Në pranverë peizazhi merr një hije me ngjyrë rozë të lehtë që nga larg i ngjan një pikture me një peizazh të përkryer.

Edhe përfundimi i lulëzimit është i mrekullueshëm sepse rënia e petaleve të luleve të qershisë të jep ndjenjën e rënies së borës. Lumenjtë, përrenjtë, ujërat dhe rrugicat nën qershi, mbushen me petalet e luleve dhe marrin një pamje marramendëse ngjyrë rozë të lehtë.

Kirschblüten in Japan
Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/F. Robichon

Soditja e luleve të qershisë sot

Sot njerëzit nuk festojnë njëlloj si dikur, pra në mënyrë tradicionale, mirëpo lulet e qershisë mbeten të lidhura ngushtë me historinë kulturën dhe identitetin. Edhe sot gjatë kohës së lulëzimit të qershive  organizohen festivale, turne, apo aktivitete të tjera. Lulëzimi i qershisë i bën njerëzit të dalin jashtë dhe të mblidhen me familje e miq. Ata shtrojnë një çarçaf dhe hanë e pinë; shumë shkojnë për të bërë fotografi dhe shijuar bukurinë që ofrojnë lulet e qershisë.

Simbolika e luleve të qershisë

Lulëzimi i qershisë është i përkohshëm, nuk zgjat shumë dhe lulet e qershisë janë delikate. Prandaj tek japonezët ato simbolizojnë delikatesën, bukurinë kalimtare dhe fisnikërinë e jetës njerëzore.  Por ato simbolizojnë gjithashtu edhe miqësinë dhe aleancën.

Në vitin 1912 kryetari i Bashkisë së Tokios i dhuroi Uashingtonit 3000 fidanë qershie të cilat janë mbjellë në Uashington D.C. Tani, qershitë si pemë dekorative në parqe dhe kopshte, janë përhapur nëpër botë si në: Shtetet e Bashkuara, Kanada, Brazili, Gjermani, Turqi, Spanjë, Britani, Australi dhe më gjerë.

Deutschland Kirschblüte in Bonn
Edhe në Bonn në Gjermani vijnë mjaft turistë për të soditur lulet e qershiveFotografi: DW/L. Döing

Rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe natyrore për zhvillimin e turizmit

Lulëzimi i qershisë zë një vend të rëndësishëm në medie, TV, rrjete sociale, madje edhe parashikohet se kur do të jetë koha e lulëzimit të qershisë sipas zonave të ndryshme në Japoni. Meqenëse koha lulëzimit të qershive ndryshon nga viti në vit, kjo prognozë u ndihmon turistëve të planifikojnë udhëtimin për të shijuar lulëzimin e qershive.

Lulet e qershive përveç se shndërrojnë pothuajse tërë vendin në një peizazh të mrekullueshëm në fillimin e stinës së pranverës, i kanë bërë vendet dhe qytetet gjithashtu më tërheqëse për vizitorët vendorë dhe Japoninë më tërheqëse për turistët e huaj. Trashëgimia dhe tradita e soditjes së luleve të qershisë dhe organizimi i festivaleve në Japoni joshin vizitorë anekënd globit.

Kirschblüte in Japan im Shinjuku Gyoen National Garden in Tokyo
Fotografi: Reuters/I. Kato

Industria e turizmit lulëzon me lulëzimin e qershive. Vlerësohet që çdo vit Japoninë e vizitojnë rreth 63 milionë turistë për të parë lulëzimin e qershive. Shuma që këta turistë shpenzojnë, vlerësohet të shkojë rreth 2.7 miliardë dollarë amerikan. Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe shfrytëzimi i drejtë i saj është një aset shumë me rëndësi për vendet që duan të përfitojnë nga turizmi. Ndër ato vende mund të jenë dhe Shqipëria apo Kosova duke i kushtuar më tepër kujdes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, historike, shpirtërore dhe natyrës e peizazhit.