1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapen varrezat masive, por jo edhe arkivat

Una Sabljaković
3 Dhjetor 2020

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq së fundmi ka deklaruar se në Kosovë ka varreza masive të serbëve. Po për cilat varreza dhe për çfarë krimesh e ka fjalën?

https://p.dw.com/p/3m6kX
Bilkombo Fahnen Kosovo und Serbien

„Kur në Bruksel është hapur tema e të zhdukurve, ne kemi thënë se do të shkojmë kudo që na thonë se ka ndonjë trup të pajetë, për të shikuar nëse këto të dhëna janë të vërteta, sepse kjo është një çështje e civilizimit. Por kemi thënë po ashtu se do të kërkojmë gërmime në pesë vende në Kosovë, e në veçanti në Metohi, për të cilat besojmë se janë futur trupat e serbëve të vrarë. Kemi thënë se edhe ne duan të jemi prezent së bashku me organet e përkohshme për të nxjerrë trupat e pajetë, por ata nuk kanë pranuar”. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një deklaratë të dhënë me 24 nëntor në Serbi.

Ndaj shtrohet pyetja: Në çfarë vendesh ka kërkuar Vuçiqi gërmime, për të cilat mendohet se ka trupa të pajetë të serbëve të vrarë dhe pse autoritetet e Kosovës i kanë refuzuar këto kërkesa?

„Beogradi ka kërkuar disa herë që të verifikohen të dhënat për varreza masive në Llapushnik, Dojnice, Kosharë, Gjakovë dhe Budisavci. Për këto lokacione, por edhe për shumë vende të tjera, kemi të dhëna të sakta se aty janë futur trupat e pajetë të serbëve të vrarë dhe këto të dhëna duhet të verifikohen sa më parë”, thonë për Deutsche Wellen, përfaqësuesit e Kosmisionit për personat e pagjetur në Qeverinë e Serbisë.

Në këtë Komision thonë se Prishtina nuk ka pranuar që të bëhen hulumtime në këto vende dhe se "qëllimisht po i shmanget shkurarjes në këto vende”.

Llapushiniku dhe Gjakova

Llapushniku është një vend ku kanë janë mbajtur 30 persona të arrestuar nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet në aktakuzën e Dhomave të Specializuara në Hagë, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në periudhën 1998 - 1999 në Kosovë dhe Shqipëri.

Në aktakuzë përmendet edhe Gjakova, një vend tjetër ku janë mbajtur serbë, për të cilët Vuçiq me datën 24 nëntor tha se është një prej vendeve për të cilat besohet se atje janë vrarë serbë.

Në raportin e saj vjetor, Zyra për Personat e Zhdukur thotë se në vitin 2018 janë ekshumuar në Gjakovë mbetjet e disa serbëve të vrarë gjatë luftës së Kosovës. Identiteti i tyre është përcaktuar me analizat e ADN.

„Shumë njerëz të mbyllur në burgjet ilegale në Gjakovë dhe rrethinë flasin për tortura, vrasje dhe vendet ku janë futur trupat e pajetë. Mbi bazën e këtyre të dhënave është konstatuar se ka vende për të cilët me të drejtë besohet se atje janë futur trupat e pajetë të serbëve dhe jo shqiptarëve të vrarë. Informata të tjera për këto vende nuk mund të japim", thonë për DW në këtë Komision.

DW ka kërkuar mendimin për këto pretendime edhe nga Zyra për personat e pagjetur në qeverinë e Kosovës, por deri në mbylljen e këtij teksti, ata nuk janë përgjigjur.

Nuk hapen arkivat

Deklaratat e Vuçiqit per pesë vende që duhet të hulumtohen erdhi vetëm rreth dhjetë ditë pas zbulimit të një varreze tjetër masive në Serbi, në Kizhevak afër Rashkës, ku besohet se janë futur trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Komisioni për personat e pagjetur ka bërë të ditur se me 30 nëntor kanë filluar punimet në Kizhevak për nxjerrjen e mbetjeve mortore dhe se identiteti i tyre do të përcaktohet me analizat e ADN.

Nëse me këto analiza konstatohet se në Kizhevak vërtetë janë futur trupa të pajetë të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, do të ishte kjo varreza e pestë e konfirmuar masive në Serbi, ku janë futur trupat e shqiptarëve. Më parë varrezat masive janë zbuluar në Batajnicë, Peruçac, Petrovo Selo dhe Rudnice, prej nga janë nxjerrë dhe identfikuar deri tani trupat e 941 shqiptarëve civilë të vrarë në Kosovë.

Dyshohet se forcat serbe në mënyrë sekrete kanë futur në Kizhevak trupat e shqiptarëve të vrarë në fashin Rezallë në vitin1999. Këto të dhëna nga raporti amerikan për gjendjen e të drejtave të njeriut nga viti 2015 i ka publikuar Radio Evropa e Lirë me 23 nëntor. Për këto pohime nuk ka deri tani asnjë deklaratë zyrtare të autoriteteve serbe.

Por tri ditë më vonë, drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq ka dhënë një deklaratë për media ku ka kofirmuar se në Kizhevak është zbuluar një varrezë masive. Ai tha se Prishtina ka refuzuar në takimin e fundit në Bruksel që atyre t'ua japë të dhënat nga arkivi i UÇK. Petkoviq thotë se në këto arkiva mund të konstatohet se sa varreza masive të serbëve ka në Kosovë. Këto dokumenta ka kërkuar edhe ish-kreu i Këshillit të dikurshëm Ekzekutiv të Kosovës, Zoran Angjelkoviq, i cili në anën tjetër pohon se Serbia i "ka dorëzuar të gjitha dokumentat e veta në Hagë".

Por shtrohet pyetja: Pse Serbia nuk i ka hapur arkivat as 20 vjet pas përfundimit të luftës, sepse nga këto arkiva mund të mësohet diçka më shumë për personat të cilët ende llogariten si të zhdukur? Shtrohet edhe pyetja tjetër: A janë dorëzuar të gjitha dokumentat për persont e pagjetur tek organizatat ndërkombëtare dhe gjykatat ndërkombëtare, nga të cilat mund të shihen edhe të dhënat për varrezat masive?

Në këto pyetje të DW, në Komisionin e qeverisë serbe për të pagjeturit thonë se Beogradi prej vitit 2005 deri më sot i ka dhënë Prishtinës rreth 2.500 dokumenta nga arkivat e MUP-it (Ministrisë së Brendshme të Serbisë), si dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në bazë të këtyre të dhënave është bërë ekshumimi i trupave të shqiptarëve të vrarë. Por në këtë Komision thonë se ata kanë mundur të shohin vetëm pjesërisht dokumentat e Tribunalit të Hagës, KFOR-it, NATO-s, UNMIK-ut, OSBE-së dhe EULEKS-it.

Për domosdoshmërinë e hapjes së arkivave ka folur edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Por në raportin e Komisionit për personat e pagjetur thuhet se Brnabiq ka kërkuar hapjen vetëm të arkivave të huaja, por jo edhe të Serbisë, gjë që do të mundësonte zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd ka kërkuar të paktën dy herë hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë në Serbi. Së pari në vitin 2016, në dosjenë: "Hapja e dokumentave për krime kundër të drejtës ndërkombëtare në posedim të institucioneve të Serbisë: Sekreti i shtetit më i fortë se e drejta dhe e verteta”, e dy vjet më vonë ka kërkuar hapjen e arkivave edhe në Propozimin për politika praktike.

Sekretet e krimeve

Për rëndësinë e arkivave ka shkruar edhe rrjeti hulumtues BIRN, ku thuhet se Fondi për të Drejtën Humanigare në vitin 2014  ka kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të dhënat për veprimin e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës së Kosovës. Vetëm pak pas kësaj kërkese, i gjithë dokumentacioni i kësaj Brigade është shpallur - sekret shtetëror për 30 vitet e ardhshme.

Hulumtimi i arkivës së Brigadës së motorizuar 37 është i domosdoshëm, thuhet në Fondin për të Drejtën Humanitare, sepse kjo Brigadë ka vepruar në vendet ku janë bërë krime: Zabel të Ulët, Rezallë, Çikatovë të Vjetër dhe disa vende të tjera të kësaj zone ku janë vrarë shqiptarë, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rundice. Komandant i kësaj Brigade gjatë luftës ka qenë Ljubisha Dikoviq, i cili ka qenë shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe prej vitit 2011 deri me 2018.

Vendimin që këto arkiva të shpallen "sekret i shtetit" e ka marrë ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiq, i cili këtë detyrë e ka ushtruar prej vitit 2014 deri me 2016.

„Është paradokasale por Gashiq është emëruar më pas drejtor i Agjensisë Informative të Serbisë (BIA), ku është edhe sot, që vetëm dëshmon se ata që i fshehin të dhënat për krimet e mundshme, që është në kundërshtim me Ligjin për sekrete, shumë shpejt shpërblehen në Serbi", deklaroi në gusht koordinatori i Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Marko Milosavljeviq, për rrjetin BIRN.