1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

4 Mars 2024

Shqipëria merr më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në rajon. Në Kuçovë rihapet baza ajrore, e cila do të vihet në funksion të misioneve taktike të NATO-s.

https://p.dw.com/p/4dAEz
Albanien | Nato-Luftwaffenstützpunkt in Kucova
Fotografi: Rashela Shehu/DW

Pas 19 viteve mungesë avionët luftarakë fluturuan sërish mbi qiellin e Kuçovës, duke shënuar zyrtarisht rihapjen e bazës ushtarake në këtë qytet. "Një pikë strategjike në mbrojtje të paqes dhe të operacioneve të NATO-s” – e cilësoi atë ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi në çelje të ceremonisë së inagurimit. Peleshi tha se kjo bazë është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si "një aset për rajonin”.

Rama: Element sigurie për Ballkanin Perëndimor

Edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, baza ajrore e Kuçovës është një "element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor" që sipas tij rrezikohet nga kërcënimi rus. Sipas tij kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e flotës ajrore të Shqipërisë.

Pamje nga ceremonia e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë
Pamje nga ceremonia e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në KuçovëFotografi: Rashela Shehu/DW

"Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj BlackHawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë” – tha Rama.

Rama njoftoi se me finalizimin e bazës së re taktike ajrore të NATO-s, në planet e aleancës euroatlantike është edhe ndërtimi i një baze detare në Porto Romano, në Durrës.

Bashkëpunim, solidaritet, bashkërendim

Për presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës tregon se Shqipëria ka një rol strategjik për të forcuar aleancën e Nato-s. "Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes” – u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë si përfaqësues i Nato-s edhe gjenerali Juan Pablo Sanchez De Lara, i cili deklaroi se Shqipëria është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.

Dy helikopterë "Black Hawk”, dronë "Bayraktar” dhe gjashtë avionë "Eurofighter F – 2000” janë pjesë e bazës së re
Dy helikopterë "Black Hawk”, dronë "Bayraktar” dhe gjashtë avionë "Eurofighter F – 2000” janë pjesë e bazës së reFotografi: Rashela Shehu/DW

Pas fjalëve përshëndetëse, në qiell fluturuan dy helikopterët "Black Hawk”, dronët "Bayraktar” dhe gjashtë avionët "Eurofighter F – 2000”.

Metamorfoza e bazës ushtarake të Kuçovës

Ish-baza ajrore e epokës komuniste u ndërtua me punë vullnetare në vitet 1950 dhe konsiderohej si një vend strategjik i parandorisë sovjetike përballë botës perëndimore.

Vetë Kuçova njihej deri në vitet 90 si "Qyteti Stalin”. Aty ishin vendosur një numër jo i vogël avionësh bombardues, deri sa baza u mbyll dhe flota e MiG-ve u tërhoq në vitin 2005.

Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009. Punimet për Bazën e Kuçovës filluan rreth dy vjet më parë, ndërsa hapja e saj u njoftua nga sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt. "Gjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore të NATO-s në Kuçovë” – qe shprehur Blinken. Për këtë bazë NATO-ja ka investuar rreth 50 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë mbi 5 milionë euro.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana