1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet klinika e parë e aborteve në Belfast

John Sepulvado / Elona Elezi 23 Tetor 2012

Një klinikë aborti ka hapur dyert e saj në Belfast, e para klinikë me vetëfinancim në ishullin e Irlandës. Nuk pritet që ajo të rrisë numrin e aborteve, por ka një ndryshim domethënës kulturor në Irlandë.

https://p.dw.com/p/16UVy
Protesta kundër klinikës së abortitFotografi: Reuters

Barbara Kennedy dhe Fiona King jetojnë disa blloqe larg njëra-tjetrës në kryeqytetin irlandez të Belfastit. Mësueset, secila rreth të dyzetave, takohen çdo javë për të pirë nga një gotë verë e për të diskutuar. Këtë javë në vend që të flisnin rreth bashkëshortëve apo punës së tyre, ato po flisnin rreth klinikës së abortit që u hap të enjten në Belfast. 

"Rreth 20 vite më parë nuk kishte shanse që të ndërtohej një klinikë aborti në Dublin, Belfast apo në ndonjë vend tjetër të ishullit. Priftërinjtë do të ishin në katedër të dielave, duke thënë se duhet të ishim kundër këtyre klinikave, dhe njerëzit do t´i dëgjonin," thotë Kennedy.

"Por ne nuk shkojmë më në kishë për udhëheqje morale. Prandaj nuk ndikohemi më prej tyre," thotë King. 

Gratë thonë se mungesa e moralit të klerikëve qëndron pas skandaleve të shumta në kishat katolike dhe protestante gjatë viteve. Dhe shumë pastorë dhe priftërinj irlandezë pranojnë se ndikimi fetar në ishull është zbehur.

Trevor Brock është pastor në kishën baptiste në rrugën "Great Victoria", e vendosur vetëm dy blloqe larg klinikës. Edhe pse ai e kundërshton ashpër abortin, duke i përshkruar baptistët irlandezë si kushërinj ideologjikë të Konventës baptiste jugore në Shtetet e Bashkuara, ai nuk ka asnjë plan të flasë rreth saj në shërbesën e së dielës.

"Për të qenë i ndershëm, unë besoj se as nuk do ta përmend fare klinikën. Individë të ndryshëm më kanë folur rreth saj në mënyrë private, kështu që nuk e shikoj të vlefshme për të bërë diskutime të gjata rreth kësaj çështjeje," i tha Brock DW.

Nordirland Belfast Abtreibungsklinik Protest
Protestë kundër klinikës së parë për aborte të hapur së fundi në IrlandëFotografi: AP

Nga granatat, tek qirinjtë

Protestuesit mbajtën një manifestim të heshtur lutës gjatë hapjes së dyerve të klinikës. Grupe anti-abort mbanin fletë gazetash duke u bërë thirrje zyrtarëve që të mbyllnin klinikën, të shqetësuar për fëmijët e palindur. Por shumë fetarë konservativë, si Brock, vendosën të mos protestojnë publikisht.

Kundërshtues të klinikës thanë se hapja e saj do të çojë drejt ligjeve më liberale të abortit dhe sjelljeve që do t´u hapin rrugë shkatërrimit të familjeve. Ata po lobojnë me zyrtarët, në mënyrë që klinika të garantojë rregulla strikte. Në një intervistë për televizionin BBC, ministri i shëndetësisë për Irlandën Veriore, Edwin Poots, premtoi se klinika do të monitorohet.

"Të gjitha klinikat duhet të monitorohen. Dentistët monitorohen. Prandaj, pse duhet monitoruar heqja e një dhëmbi, por s´duhet monitoruar heqja e një fëmije?"

Megjithatë, Poots refuzoi të takohet me lobet konservative të qeverisë për të ndaluar hapjen e klinikës. Goretti Horagan thotë se edhe politikanët konservativë si Poots e kanë pranuar këtë ndryshim kulturor në shoqërinë irlandeze. Horagan është një zëdhënëse pro abortit, dhe ajo thotë se studimet shëndetësore nga viti 1979 kanë treguar se gratë deri në moshën 21-vjeçare kanë pasur 1.5 partnerë seksualë. Në vitin 2011, mesatarja ishte 13 partnerë.

Horagan i tha DW se ndryshimi më i madh social mund të shihet në natyrën e protestave. Ajo vëren se vetëm 15 vjet më parë në Mbretërinë e Bashkuar, në ambientet e një organizate që ndihmonte gratë irlandeze për të kryer abortet, ishte hedhur një granatë. E vetmja flakë që u ndez për klinikën e parë për aborte të hapur së fundi në Irlandë, ishte ajo e qirinjve të protestuesve, të cilët u lutën nëpër rrugë.