1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Trajtimi me dinjitet i viktimave kusht për pajtim shoqëror“

Ani Ruci4 Qershor 2015

I ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në RDGJ, Roland Jahn, në intervistë për DW flet mbi përvojën e institucionit që ai drejton dhe dobnë e hapjes së dosjeve.

https://p.dw.com/p/1FbdI
Albanien Roland Jahn in Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Z. Jahn, Gjermania i hapi dosjet e ish-policisë sekrete komuniste, STASI shumë shpejt, pothuajse menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit dhe unifikimit të Gjermanisë. Ju na treguat këtu në Tiranë, sesi pesë gra gjermane, hynë të parat në zyrën e STASIT-t në Tyringji, për të mos lejuar që dosjet dhe materialet e policisë sekrete të asgjësoheshin, pastaj e njëjta gjë ndodhi në Berlin, në zyrat e saj qendrore. Në Shqipëri për fat të keq nuk ndodhi kështu . Pra cilët ishin faktorët në Gjermani që procesi i hapjes së dosjeve ndodhi menjëherë?

Roland Jahn: Në Gjermani, gjatë revolucionit paqësor, fillimisht gjithë funksionarët dhe drejtuesit e lartë – qoftë këta drejtues të partisë në pushtet, qoftë të policisë sekrete, u përpoqën fillimisht të asgjësonin dokumentacionin e arkivuar në zyrat e tyre përkatëse. Në Gjermani ishte shumë e rëndësishme tentativa e qytetarëve për t'i thënë ”STOP” procesit të asgjësimit të dosjeve dhe dokumenteve sekrete. Në këtë kontekst, mund të them madje, që në Gjermani vendet ku ruheshin dosjet praktikisht u pushtuan nga qytetarët në mënyrë që ato të siguroheshin dhe kështu të bëhej e mundur që më pas të hidhej dritë mbi rrethanat për gjithҫka kishte ndodhur, për personat që kishin qenë përgjegjës për ato rrethana dhe mënyrat sesi mekanizmat e policisë sekrete ishin vënë në lëvizje. Dhe sigurimi i dosjeve, i dokumentave dhe akteve sekrete ishte lëvizja vendimtare për të hedhur dritë mbi rrethanat, në të cilat kishte vepruar regjimi diktatorial. Procesi nisi 25 vjet më parë dhe ne vazhdojmë ta ndërtojmë atë ende në të tashmen dhe ky është një proces, që do të vijojë të ndërtohet edhe nga brezat e ardhshëm.

DW: Z. Jahn, cilat janë përfitimet kryesore, që shoqëria gjermane ka pasur gjatë këtyre 25 viteve të fundit, periudhë kur ka ndodhur pjesa më e madhe e procesit të hapjes së dosjeve të STASI-t, në ish Gjermaninë Lindore?

Roland Jahn: Hapja e dosjeve ka pasur një dobi shumë të madhe për shoqërinë gjermane pasi u bë i mundur një fillim i ndërtimit demokratik të shoqërisë gjermane, sidomos në Gjermaninë Lindore. Elementi më i rëndësishëm i gjithë këtij procesi ishte vendosja e viktimave të sistemit diktatorial në qendër të të gjitha lëvizjeve politike. Ishte shumë e rëndësishme mbështetja e tyre, pasi ishin ata që kishin luftuar për paqen dhe lirinë në atë sistem. Rikthimi apo trajtimi në mënyrë dinjitoze i viktimave ishte një sinjal pozitiv që i jepej shoqërisë së asaj kohe lidhur me vlerësimin apo rivlerësimin e tyre, gjë që do t'u mësonte edhe brezave të ardhshëm që vlerat e demokracisë dhe ato të të drejtave të njeriut do të ishin vlerat mbi të cilat ndërtohet një sistem demokratik. Hapja e dosjeve në Gjermani bëri të mundur edhe përcaktimin e përgjegjësive, të personave përgjegjës për të gjitha padrejtesitë që kishin ndodhur në sistemin diktatorial, gjë që solli më pas në shumë raste edhe largimin e përgjegjësve nga pozicione drejtuese në jetën politike, sociale apo në sektorë të tjerë. Përmes hapjes së dosjeve dhe akteve të policisë sekrete të STASI-it u bë i mundur edhe ndërrimi i elitave politike dhe shoqërore. Por, hapja e dosjeve ishte një veprim me shumë rëndësi edhe për ata, për të cilët ishin mbledhur informacione personale në mënyrë të kundërligjshme si: përmes përgjimeve, spiunimeve etj. Për këta njerëz u bë i mundur kthimi i së drejtës së tyre për të vetëvendosur për jetën e tyre. Po kaq i rëndësishëm është edhe fakti që hapja e dosjeve, pavarësisht procesit të lustracionit, pra nëse ai ndodhi apo jo, ka ndikuar në saqarimin dhe hedhjen dritë mbi rrethanat në të cilat ka funksionuar sistemi diktatorial në atë kohë, që përbën një vlerë shumë të madhe. Hapja e dosjeve përbën një bazë shumë të mirë për të bërë të mundur analiza shkencore, qofshin ato edhe në sektorë të artit, letërsisë, medias për të kuptuar më mirë se si ka funksionuar ai sistem diktatorial. Motoja e punës time është: Sa më mirë të kuptojmë diktaturën, aq më mirë mund të formësojmë, ndërtojmë demokracinë . Për mua është vendimtare që nga e shkuara të mund të gjenerojmë sa më shumë ide, forcë për të ndërtuar në mënyrën më të mirë të mundshme të ardhmen. Në ato dosje është dokumentuar padrejtësia dhe represioni që është ushtruar ndaj njerëzve të ndryshëm por edhe dëshira e tyre për liri dhe përpjekjet për ta fituar atë. Dhe ky është edhe mesazhi që mund të nxjerrim për t'ua drejtuar gjithë brezave të tanishëm dhe të ardhshëm: problemet janë të zgjidhshme, mjafton që njerëzit të bashkohen dhe të kenë vullnetin për t'i zgjidhur ato.

DW: Z. Jahn, a ka ndodhur në Gjermani, që një pjesë e konsiderueshme e atyre që kryen krime dhe padrejtësi t'u kërkojnë ndjesë viktimave të tyre, si një mundësi për pajtim dhe paqe sociale?

Roland Jahn: Sigurisht, në Gjermani ka pasur raste, që në momentin kur janë gjetur personat përgjegjës për padrejtësitë apo krimet e kryera këta persona u kanë kërkuar ndjesë personave të dëmtuar. Por ky proces ka qenë i paraprirë nga ai i sqarimit të rrethanave dhe padrejtësive dhe hedhjes dritë mbi to. Viktimat mund të falin vetëm atëhere kur ato njohin me saktësi dhe mjaft mirë rrethanat. Parakusht për falje është hedhja dritë mbi rrethanat. Falja nuk është diçka që mund të urdhërohet nga lart, ajo ndodh mes njerëzve, dhe momentin se kur viktimat vendosin të falin këtë e përcaktojnë vetëm ato. Nëse kërkojmë një pajtim shoqëror, një shoqëri në paqe, kusht do të ishte trajtimi me dinjitet i viktimave apo rikthimi i dinjitetit të tyre.

DW: Z. Jahn, çfarë mendoni për situatën aktuale në Shqipëri lidhur me hapjen e dosjeve të Sigurimit, policisë sekrete të sistemit komunist, nisur nga diskutimet, pyetjet që juve ju drejtuan në një takim, që ju patët në Ambasadën Gjermane në Tiranë, me organizata të shoqërisë civile, grupet e të drejtave të njeriut, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë dhe median?

Roland Jahn: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realzohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit.