Holanda bashkëpërgjegjëse për Srebrenicën
27 Qershor 2017Një gjykatë në Hagë bëri sërish bashkëpërgjegjëse shtetin holandez për vdekjen e 350 viktimave gjatë masakrës ndaj myslimanëve në Srebrenica në vitin 1995. Megjithatë gjykata shfuqizoi pjesërisht një vendim të instancës së parë duke pohuar përgjegjësi të pjesshme të Holandës e ushtarëve helmetkaltër holandezë për masakrat që ushtruan serbët.
Gjatë luftës së Bosnjes helmetkaltrit holandezë duhet të ruanin enklavën boshnjake të Srebrenicës si edhe mijëra refugatë. Por në korrik 1995, ata u dorëzuan pa luftë pas sulmit të stuhishëm të njësive serbe. Forcat serbe nën komandën e gjeneralit serb, Ratko Mlladiç vranë më pas 8000 burra dhe djem myslimanë. Masakra e Srebrenicës është gjenocidi më i madh në truallin europian pas Luftës së Dytë Botërore.
Familjarët e viktimave akuzuan shtetin holandez dhe iu dha e drejtë pjesërisht në instancën e parë. Një gjykatë civile kishte marrë vendimin se Holanda mbante përgjegjësi për vdekjen e 300 burrave, që atëherë ishin nën mbrojtjen e helmetkaltërve holandezë. Ky ishte vendi i parë që fajësonte një shtet pjesëmarrës në trupat e OKB-së për krimet e të tretëve.
Në instancën e parë gjykata në Holandë nuk e kishte bërë shprehimisht përgjegjëse Holandën për rastin e enklavës dhe vdekjen e refugjatëve. Por ushtarët kishin vepruar jo në përputhje me ligjin në deportimin e 300 burrave nga territori i tyre ushtarak. Kjo, megjithëse, sipas gjykatësve, kishte pasur sinjale për vrasje masive.
Në argumentimin e gjykatësve nënvizohet se "me shumë siguri mund të thuhet, se këta burra do të kishin jetuar, nëse Dutchbat do t'u kishte lejuar atyre të qëndronin brenda territorit ushtarak."
Qeveria holandeze kishte apeluar vendimin. Sipas saj Dutchbat nuk mund të bënte asgjë kundër supremacisë serbe, dhe se trupat kanë qenë nën komandën e OKB-së. Por edhe të afërmit e viktimave e apeluan vendimin. Organizata "Nënat e Srebrenicës" është e mendimit, se Holanda është përgjegjëse për më shumë viktima.
la/(dpa, rtr)