Hollande nuk përjashton ndërhyrjen ushtarake në Siri
30 Maj 2012Pas masakrës së Hulës me mbi 100 të vdekur presidenti francez Hollande nuk e përjashton më mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Por Hollande tha në Paris se kusht për këtë është një mandat i Kombeve të Bashkuara. Tani duhet të binden edhe Rusia dhe Kina. Moska dhe Pekini kanë bllokuar deri tani projekrezolutat për Sirinë në KS të OKB-së për shkak se në to nuk dënohej dhuna e rebelëve të armatosur.
"Ajo (një ndërhyrje e armatosur) nuk përjashtohet, nëse ajo bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë, ajo duhet të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Tani është detyrë e imja dhe të tjerëve për të bindur rusët dhe kinezët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të gjetur një zgjidhje e cila nuk duhet të jetë domosdoshmërisht ushtarake. Por presioni duhet të bëhet që tani në mënyrë që të përmbyset regjimi i Bashar al-Assad-it", tha Hollande.
Shtetet perëndimore tërheqin ambasadorët nga Siria
Në shenjë proteste kundër masakrës në Hula disa shtete perëndimore si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Australia dhe SHBA kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Siria. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle lidhur me këtë u shpreh se: "Ky është një sinjal i qartë për Damaskun, që ky regjim përfundimisht po izolohet në arenën ndërkombëtare. Për këtë veprim ne kemi rënë dakord me partnerët tanë evropianë dhe perëndimorë", tha shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle.
Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti
Redaktoi: Bahri Cani