HRW: Krimet ndaj palestinezëve të llojit 'të aparteidit'
29 Prill 2021Omar Shakir, drejtori i zyrës së organizatës në Izrael dhe Palestinë, tha se raporti “është më i ashpri që HRW ka nxjerrë për Izraelin këto 30 vjet“. Dokumenti 213 faqesh akuzon Izraelin se është duke bërë krime të llojit “të aparteidit”, duke dashur të ruajë dominimin hebre të palestinezëve dhe popullsisë arabe. Ministri i Jashtëm izraelit i hodhi poshtë akuzat “si absurde dhe të pavërteta”.
Shkeljet, për të cilat bëhet fjalë kanë të bëjnë me trajtimin që Izraeli i bën palestinezëve në bregun Perëndimor të Lumit Jordan, të pushtuar nga Izraeli, Rripin e Gazës, të bllokuar nga Izraeli dhe Jeruzalemin lindor të aneksuar nga Izraeli, si dhe trajtimin e izraelitëve arabë, një term që përdoret duke iu referuar palestinezëve që kanë qëndruar në tokat e tyre edhe pas krijimit të shtetit të Izraelit, më 1948.
Izraeli një shtet 'aparteidi'
Raporti bazohet në dokumentimin për vite me radhë të të drejtave të njeriut, në analizimin e ligjeve të Izraelit, rishikimin e planeve të qeverisë dhe deklaratave të lëshuara nga zyrtarët. Ai thotë në mënyrë të përmbledhur se „në realitet nuk ka pasur asnjë ditë të vetme në të cilën autoritetet ose qeveria izraelite të mos kenë privilegjuar në mënyrë metodologjike hebrejtë izraelitë, ndërkohë që kanë ushtruar presion ndaj palestinezëve, sidomos në territoret e pushtuara.“
Drejtori ekzekutiv i HRW, Ken Roth tha se "shtypja e përsëritur e palestinezëve ka arritur deri aty sa të quhet krim dhe përndjekje e llojit të aparteidit.” Ndërkohë që termi "aparteid" është përdorur fillimisht në lidhje me ndarjen raciste të Afrikës së Jugut, thotë raporti, ai përdoret tani si “term ligjor i njohur nga e gjithë bota”, për të përshkruar në të drejtën ndërkombëtare krimet kundër njerëzimit.
HRW thotë se një sistem aparteidiështë i përcaktuar nga “përpjekjet për të ruajtur dominimin e një grupi racor ndaj një grupi tjetër, gjatë të cilave grupi dominant ushtron shtypje sistematike (dhe) çnjerëzore mbi grupin e shtypur.”
Persekutimi, i cili është krim kundër njerëzimit, përkufizohet si privimi “i qëllimshëm dhe i rëndë” i një grupi njerëzish nga të drejtat themelore”. HRW i bën thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), “të hetojë dhe dënojë individët që janë të përfshirë në aparteid dhe persekutim.
Muajin e kaluar, ICC bëri të ditur se do të hetojë krime e luftës në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të Lumit Jordan, të pushtuar nga Izraeli. Vetë Izraeli tha se nuk do të bashkëpunojë për këtë gjë.
Përshkallëzim i dhunës
Tensionet mes hebrejve dhe palestinezëve janë shtuar, që kur një video që u bë publike javën e kaluar tregonte se si një izraelit ultra-ortodoks goditet me shpullë në fytyrë, kur ndodhej duke udhëtuar në një tramvaj në Jeruzalem. Dy arabë të dyshuar për aktin, u arrestuan. Sulmi u pa si përgjigje ndaj vazhdimit të dëbimit të 550 palestinezëve nga lagjia Sheikh Jarrah.
Dhuna u rrit javën e kaluar, kur një grup ekstremistësh të djathtë hebrej, të përbërë nga 300 vetë marshoi në lagjen e vjetër të Jeruzalemit, duke thirrur “vdekje arabëve”, duke bërë kërcënime për t’i venë zjarrin pjesës palestineze të qytetit duke ushtruar forcë në përpjekje për dëbimin e familjeve arabe nga shtëpitë e tyre.
Një video tjetër tregoi të rinj hebrej duke sulmuar shtëpitë arabe në lagjen e vjetër të qytetit. Në video dëgjohen fëmijë duke qarë dhe një grua që thotë në arabisht “pusho”. Hebrej radikalë shihen duke ndaluar makinat për të kontrolluar nëse në to ka arabë apo hebrej. Kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh e quajti dhunën anti-palestineze në Jeruzalem, “terror shtetëror”.
Përleshjet midis paletinezëve dhe policisë izraelite u përqëndruan tek Porta e Damaskut, pas një vendimi të marrë nga Izraeli për të ndaluar njerëzit që të mblidhen në këtë zonë, një zonë popullore për njerëzit në orët e vona të muajit të Ramazanit.
Izraeli nuk i pranon përfundimet e nxjerra nga raporti
Kur organizatat e të drejtave të njeriut ose politikanë të ndryshëm kanë pas ngritur akuza të ngjashme në të kaluarën, Izraeli e ka pas ndier veten shumë të prekur nga akuza e diskriminimit të qytetarëve palestinezë, të njohur si izraelitët arabë. Ai ka përmendur ligjet për barazinë dhe faktin që arabët përfaqësohen në qeveri dhe në sistemin gjyqësor.
Lidhur me Bregun Perëndimor, të pushtuar, Izraeli ka treguar marrëveshjet e nënshkruara në 1990-tat, të cilat i lejojnë palestinezëve të atjeshëm vetëqeverisje të kufizuar. Sidoqoftë, HRW thotë se Izraeli vazhdon “të mbajë kontrollin kryesor në shumë aspekte” të jetës së palestinezëve, duke përfshirë kufijtë, burimet natyrore dhe lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.
Ministri i Jashtëm izraelit, e akuzoi HRW për "agjendën shumëvjeçare anti-izraelite” dhe tha se raporti është “pamflet propagandistik” që nuk “ka lidhje me faktet ose realitetin në bazë”. “Akuzat e sajuara nga HRW janë si absurde ashtu edhe të pavërteta,” tha ai.
HRW bën thirrje për ndjekje ligjore
Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që në vitin 1967, të njëjtin vit që aneksoi edhe Jeruzalemin perëndimor. Që nga ajo kohë, kolonët hebrejë kanë marrë tokë gjithnjë e më shumë. Palestinezëve në Jeruzalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimr u mohohet rregullisht dhënia e lejeve të ndërtimit, ndërkohë që ndërtimet hebreje janë shtuar vazhdimisht.
Politika izraelite e ngulimit në Palestinën e pushtuar është sipas të drejtës ndërkombëtare, ilegale, sidomos sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, në të cilën bën pjesë edhe Konventa e Katërt e Gjenevës, që ka të bëjë me mbrojtjen në kohë lufte të civilëve.
HRW i ka bërë thirrje vendeve të tjera të mos vazhdojnë ta shohë pushtimin si një çështje që mund të zgjidhet me një marrëveshje paqeje dhe të kërkojnë që përgjegjësit të vihen në bankën e të akuzuarve duke e vënë këtë si kusht për vazhdimin e marrëdhënieve me Izraelin, përfshirë edhe marrëdhëniet ushtarake.
Organizata për të drejtat e njeriut, HRW, u kërkon vendeve të “vendosin sanksione individiale, përfshirë ndalimin e udhëtimit, ngrirjen e pasurisë ndaj zyrtarëve përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.