1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Humbje e ndjeshme për Macron në zgjedhjet parlamentare

20 Qershor 2022

Presidenti Emmanuel Macron humbi shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare të dielën. Këto zgjedhje kishin rëndësi për Macron, sepse bëhej fjalë për realizimin e programit të tij politik në mandatin e dytë.

https://p.dw.com/p/4Cv74
Emmanuel Macron
Fotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

Presidenti francez i saporizgjedhur, Emmanuel Macron me kampin politik të qendrës, "Ensemble" ka humbur shumicën absolute në Asamblenë Kombëtare franceze, sipas llogaritjeve të para, madje më shumë se pritej. Në raundin e fundit të zgjedhjeve parlamentare të dielën (19.06) liberalët arritën 210 deri 250 vende nga 577. Për shumicën absolute nevojiten 289 vende. Zëdhënësi i qeverisë franceze, i pyetur, se si do t'ia bëjë qeveria pa shumicën absolute në parlament është shprehur, se ne do të punojmë me të gjitha partitë e moderuara që duan ta çojnë vendin përpara.

Aleanca e majtë ia doli të mobilizonte votuesit

Rezultati konsiderohet si një goditje e rëndë politike për Macron, i cili aktualisht kishte shumicën absolute në Dhomën e Ulët të parlamentit. Normalisht zgjedhjet që mbahen pak pas zgjedhjeve presidenciale shihen si konfirmim, pasi fuqia kryesore politike normalisht fiton edhe shumicën absolute.

Frankreich | Parlamentswahlen 2022 | NUPES feiern das Ergebnis
Aleanca Nuoes feston rezultatinFotografi: Michel Euler/AP Photo/picture alliance

Aleanca e majtë e Jean-Luc Mélenchon, Nupes, arriti sukses në këto zgjedhje duke u kthyer në grupin më të fuqishëm opozitar në vend. Aleanca e majtë do të jetë e përfaqësuar në parlament me 150 deri në 180 vende.

Po ashtu edhe e djathta ekstreme e Marine Le Pen, "Rassemblent National" arrin sukses të madh në raundin e dytë zgjedhor duke pritur të marrë 80 deri në 100 vende në parlamente, 10 herë më shumë se deri më tani dhe bëhet forca e tretë më e fortë në parlament.

Frankreich | Parlamentswahlen |  Marine Le Pen
Marine Le PenFotografi: JEAN-CHRISTOPHE VERHAEGEN/AFP

Humbje të rëndë zgjedhore pësoi edhe grupi opozitar më i fuqishëm deri tani në parlament, republikanët konservatorë. Ata arritën të marrin vetëm në 60 deri në 80 vende. Megjithatë qeveria e Macron në kërkimin e saj për mbështetje në parlament, me gjasë mund të orientohet më shumë nga republikanët.

Në këto zgjedhje parlamentare bëhej fjalë, nëse Macron do mund të realizonte projektet e tij politike në mandatin e dytë, për të cilat ai ka nevojë për shumicën absolute parlamentare. Me një shumicë relative, presidenti dhe qeveria janë të detyruar të kërkojnë mbështetjen e kampeve të tjera. Edhe pse shumë francezë ishin të pakënaqur me mandatin e parë të qeverisjes së Macron, 44-vjeçar përfitoi nga ajo që zgjedhjet parlamentare shpesh shihen si konfirmim i zgjedhjeve presidenciale. Në zgjedhje marrin pjesë tradicionalisht përkrahësit e fituesit të zgjedhjeve presidenciale. Por aleanca e majtë ia doli të mobilizonte votuesit.

Parlamentswahlen in Frankreich
Fotografi: SAMEER AL-DOUMY/AFP

Në zgjedhjet vendimtare për parlamentin u shënua një pjesëmarrje më e lartë zgjedhore se në raundin e parë. Disa qendra zgjedhore qëndruan të hapura deri në orën 08:00 në mbrëmje.