1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

I dyshimtë është çdo arab apo mysliman me mjekër- Kjo është fryma e Guantanamos

19 Prill 2007

Planet për masat më të reja të sigurisë në Gjermani dhe ndarja Polonisë dhe Ukrainës e kampionatit Evropian të futbollit në vitin 2012, janë dy temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/Arke
Fotografi: AP

Lidhur me masat më të reja të Qeverisë, për mbrojtje nga terrorizmi, gazeta Stutgarter Cajtung komenton:

"Ministri i brendshëm Volfgang Shojble duhet të kritikohet për faktin se me deklaratat e pakuptueshme ka zgjuar dëshimin se disa persona të caktuar shteti i sheh si të dyshimtë. Në një intervistë ai tha se në mbrojtjen prej terrorizmit nuk vlen parimi i pafajësisë, para dëshmimit të së kundërtës. Natyrisht që për mbrojtjen kushtetuese vlejnë parime të tjera prej atyre të gjykatësve dhe avokatëve. Por Shojble ka zgjuar spekullimet se mund të ketë masa preventive, që më shumë i takojnë një shteti policor se një shteti demokratik", pohon Stutgarter Cajtung.

Me politikën e ministrit të brendshëm Volfgang Shojble për sigurinë merret edhe komentatori i Abencajtung të Mynihut:

"Sugjerimet për pafajësinë nuk të mbrojnë nga hetimet në rast dyshimi dhe askush nuk do të pengojë punën e policisë në luftën kundër terrorizmit. Por shteti juridik kërkon një proces dhe gjykim të rregullt. Ministri i brendshëm Shojble nuk do të presë. I dyshimtë është çdo arab, mysliman me mjekër, apo banor në afërsi të stacionit hekurudhor. Kjo është fryma e Guantanamos. As atje askush nuk të pyet se çfarë kanë ngrënë të dyshuarit. Duket sikur Shojbles po i pengojnë instrumentet e shtetit juridik në luftimin e terrorizmit, që me siguri nuk i ka hije një ministri që respekton kushtetutën."

Gazeta Handesblat e Dyseldorfit në fillim shtron pyetjen sa do të përdoret në të vërtetë teknologjia e lartë për luftë kundër terrorizmit dhe vazhdon:

"Midis ministres socialdemokrate të drejtësisë Brigite Cypris dhe kristiandemokratit Volfgang Shojble kontradiktat po shtohen në masë. Ajo që të nervozon edhe më shumë është se ministri Shojble ishte i pakuptueshëm deri në fund, lidhur me pohimet për pafajësinë, për të cilët thotë se në disa raste nuk mund të vlejë. Pra ai që bie në sy si terrorist i mundshëm mund të shpallet fajtor edhe pa gjykim. Ministrja Cypris thotë se debati ka shkaktuar mosmarrveshje. Eshtë ky minimumi që ministrja duhet ta thotë, sepse Shojble sa më parë duhet ti shpjegojë deklaratat dhe t'i tërheqë ato më kontestueset", sugjeron Handesblat.

Pohimet e ministrit Shojble kanë zgjuar vëmendjen edhe të komentatorit të gazetës Allgemajne Cajtung, që botohet në Majnc:

"Në luftën kundër terrorzimit ministri Shojble do që të mos vlejë parimi i pafajësisë. Ai që ministri synon është praktika e përditshme e siguruar përmes drejtësisë, në çdo moment kur ekziston dyshimi. Por ministri nuk e thotë kështu, gjë që ka shkaktuar edhe kritika të shumta. Nuk është e vërtetë që ministri Shojble do ta anashkalojë drejtësinë. Më afër të së vërtetës është ai që thotë se ministri Shojble ka mbërritur në një qorrsokak."

Komente të shumta të gazetave gjermane ka shkaktuar edhe vendimi i Komitetit të Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA, që Polonia dhe Ukrania ta organizojnë së bashku kampionatin evropian në vitin 2012.

E përditshjma Frankfurter Allgemajne Cajtung, nuk e sheh këtë vendim me shumë entuziazëm.

"Kombëtaret evropiane dhe tifozët e tyre, të cilët do të udhëtojnë në vitin 2012 në Poloni dhe Ukrainë prej një stadiumi në tjetrin, duhet të përgatiten për rrugëtime të gjata. Largësia më e madhe prej një stadiumi në Danzig deri në Donjeck është 1896 kilometra. Ndërkohë që as në fushat tjera gjërat nuk funksionojnë tepër mirë: Federata polake e futbollit është e futur deri në fyt në një aferë korrupsioni, ndërsa në Ukrainë bota e futbollit mbizotrohet prej oligarkëve. Mirëpo vendimi që pikërisht këtyre vendeve t'u jepet organizimi i Kampionatit Evropian paraqet një sinjal që politika nuk duhet të injorohet", mendon komentatori i Frankfurter Allgemajne Cajtung.

Ndërsa në përditshmen Mitelbajerishe Cajtung mund të lexojmë tone krejt të tjera:

"Kampionati evropian i futbollit në Poloni dhe Ukrainë në vitin 2012: për disa tingëllon kjo ndoshta ekzotike sikur edhe kampionati botëror në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Kritikët ndoshta kanë ngritur menjëherë gishtin tregues dhe kanë paralajmëruar për instabilitetin politik në Poloni dhe Ukrainë. Por pushtetëmbajtësit e tanishëm brenda pesë vitesh mund të jenë vetëm pjesë e historisë. Në të vërtetë, nuk është vendim i guximshëm i UEFA-s që kampionati të zhvillohet në këto vende lindore, por vendim që i përgjigjet kohës. Sporti po pason atë që kaherë ka ndodhur në politikë: Evropa ka ndryshuar dhe është zgjeruar. Prandaj nuk duhet filluar menjëherë me dyshime. Italia ishte dy herë organizatore e kampionateve evropiane dhe dy herë e kampionateve botërore. Eshtë shumë e mundur që Italia e ka dëmtuar veten edhe për shkak të aferave dhe skandaleve të fundit në futboll, por lindja e ka merituar të marrë organizimin e kampionatit evropian."