1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300811 Finanzmarktsteuer

2 Shtator 2011

Taksa mbi transaksionet financiare sapo u lëvdua në eurozonë si një lloj arme magjike. Por për zbatimin dhe efektin e kësaj takse ekspertët nuk janë në një mendje.

https://p.dw.com/p/12Riv
Bursa e Frankfurtit.
Bursa e Frankfurtit.Fotografi: picture alliance/dpa

Ideja e një takse mbi transaksionet financiare nuk është e re. Mendimet e para për këtë u hodhën që në vitet '30 të shekullit të 20 nga John Maynard Keynes. Ekonomisti me famë nga Britania e Madhe e shihte këtë taksë si një instrument të efektshëm kundër spekulimeve. 40 vjet më vonë një tjetër ekonomist i quajtur Tobin, iu kthye kësaj ideje dhe propozoi një taksë të njësuar mbarëbotërore në tregjet e valutave. Siç dihet, e ashtuquajtura taksa Tobin nuk u vendos kurrë. Në vitin 2002 një studim i shkencëtarëve gjermanë tërhoqi shumë vëmendjen. Paul Bernd Spahn, asokohe profesor për financat publike në Universitetin Goethe në Frankfurt, shqyrtoi me porosi të Ministrisë federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, zbatimin në praktikë të taksës Tobin në Evropë. Megjithëse ai arriti në një rezultat pozitiv, politika nuk arriti ta fusë taksën.

Ekonomisti Paul Bernd Spahn.
Ekonomisti Paul Bernd SpahnFotografi: privat

"Politika gjendet natyrisht edhe nën ndikimin e institucioneve financiare, të cilat e refuzojnë një taksë të tillë si shqetësuese për aktivitetin e tyre. Dhe atëherë nuk kishte as shkak për të menduar më gjatë për këtë taksë. Nuk kishte ndonjë krizë serioze në treg" - shprehet sot Paul Bernd Spahn.

Vetëm një mjet për të siguruar para për shtetin?

Por gjërat ndërkohë kanë ndryshuar. Në një kohë ku njëra krizë pason tjetrën, tema e taksës mbi transaksionet financiare është jo vetëm mjaft aktuale, por ka fituar madje një shumicë mbështetëse. Ajo nuk rekomandohet  vetëm nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy. Më parë edhe Parlamenti i BE-së ishte shprehur për një taksë të tillë. Komisioni i BE-së sheh tek ajo madje një nga masat për shmangien e krizave të ardhshme financiare. Eksperti financiar Wolfgang Gerke këtë nuk arrin ta kuptojë:

Specialisti i financave Wolfgang Gerke.
Specialisti i financave Wolfgang Gerke.Fotografi: AP

"Taksa mbi transaksionet financiare nuk do të shmangë asnjë krizë financiare. Ato shkaktohen kur raportet ekonomike bazë janë të gabuara."

Për Gerken taksa në diskutim, e cila nuk vlen më vetëm për transaksionet në valuta por për të gjitha transaksionet financiare, do t'i shërbejë në radhë të parë financimit publik.

"Shteti përsëri po kërkon para shtesë në vend që të bëhet më eficient dhe të kursejë në vendet e duhura, për të reduktuar kështu borxhet.

BE shpreson deri 20 miliardë euro të ardhura në vit nga vendosja e taksës mbi transaksionet financiare. Nëse ajo do të vendosej, çdo transaksion në bursë do të taksohej me deri 0,05%. Një nivel i arsyeshëm, mendon Paul Bernd Spahn:  "Nëse krahasojmë kostot e transaksioneve para dhjetë vjetësh me ato sot, ku luajnë një rol të qenësishëm telekomunikacioni dhe kompjuterat, atëherë kjo taksë është një pjesëz e vogël e kostove të tjera të transaksioneve."

Kush do të preket?

Investuesit afagjatë, të cilët vetëm një herë në vit bëjnë ndryshime në kapital, nuk do të preken fort nga kjo taksë. Por ndryshe qëndron puna me spekuluesit. Taksa do të prekë ndjeshëm të ashtuquajturin .... : "sektor 'High Frequency Trading', ku porositë nga programet kompjuterike për tregtinë dalin me shpejtësi sekondash. Ky sektor mund të marrë pjesërisht fund nga një taksë për transaksionet financiare. Dhe këtu fillojnë mosmarrëveshjet. Disa thonë: kështu tregut i humbet likuiditeti. Ndërsa të tjerët argumentojnë: taksa do të kontribuojë në nivelimin e luhatjeve të forta ditore në treg. Shkencërisht asnjë prej argumenteve nuk është i vërtetuar" - thotë Wolfgang Gerke.

Bursa e Londrës.
Bursa e Londrës.Fotografi: AP

Hap i vetmuar evropian - me apo pa Londrën?

Polemika ka edhe për pyetjen nëse një veprim i njëanshëm në plan evropian do të dëmtonte rëndë tregjet financiare evropiane. Një studim aktual i analistit të bankës UBS Arnaud Giblat, u jep municion kundërshtarëve të një takse të tillë. Sipas studimit, bursa suedeze në vitin '90 pësoi një rënie prej 85% për shkak të kësaj takse. Por profesor Spahn thotë se shembulli suedez nuk është i vlefshëm:  "Së pari, kjo mund të jetë e vërtetë nëse një taksë e tillë futet tani në një ekonomi të vogël. M.q.s. ka shumë alternativa atëherë aktorët thjesht i drejtohen tregjeve të tjera. Nga ana tjetër kemi shembullin e kundërt, Britaninë e Madhe. Vendi aplikon një taksë të ashtuquajtur 'stamp tax', pra një taksë mbi transaksionet e bursës dhe nuk ka pasur asnjë lloj tendence zhvlerësimi pasi tregu thjesht është shumë i rëndësishëm."

Kjo taksë mbi vlerën e shtuar për transaksionet në bursë ekziston prej më shumë se 300 vjetësh, por aplikohet vetëm mbi aksionet e sipërmarrjeve të cilat juridikisht janë të regjistruara me seli në Britani të Madhe. Deri tani Londra ka kundërshtuar vendosjen e një një takse mbi të gjitha transaksionet financiare. Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy lanë të hapur nëse taksa mbi transaksionet financiare do të vendosej në rast nevoje vetëm në eurozonë.

Por edhe nëse britanikët do të heqin dorë nga qëndrimi i tyre bllokues, dhe taksa do të vlente në të gjithë BE-në, ekonomistët si Wolfgang Gerke mbeten skeptikë: "Sot me një klikim në kompjuter mund t'i zhvendos porositë e mira nga Frankfurti në bursën e Nju-Jorkut."

Pra një taksë e tillë do të kishte kuptim vetëm nëse do të vlente për të gjitha tregjet në botë. Kjo për momentin nuk duket se do të ndodhë.

Autor: Zhang Dahong / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj