Incidente në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz
7 Dhjetor 2022Disa incidente, shpërthime me shok bomba dhe shkrepje armësh, ndodhën pasditën e së martës në dy komuna në veri të Kosovës në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Këto incidente, pa pasoja në njerëz, ndodhën ndërsa zyrtarët e policisë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, në përgatitjet e tyre për zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit. Policia tha, se persona të panjohur të maskuar, demoluan edhe zyrat e komisioneve komunale në veri të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se "grupe të organizuara me disa individë të maskuar kanë sulmuar zyrtarët zgjedhorë dhe policët me shok bomba dhe të shtëna në ajër, me qëllim që të parandalojnë ata të kryejnë detyrat e tyre zyrtare”.
"Sulme të tilla si ky me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush”, shkroi në facebook ministri Sveçla. Sipas policisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ndihmë asaj rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pas dorëheqjes masive muajin e shkuar të të gjithë përfaqësuesve politik serb të veriut të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se situata në veri të Kosovës përshkallëzohet, sepse sipas saj, "bandat kriminale që financohen dhe përkrahen politikisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë për qëllim që ta destabilizojnë tërë Kosovën".
"Rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonin pavarësisht etnisë”, tha Presidentja Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Incidentet në veri të Kosovës, ndodhën pikërish në kohën kur në Prishtinë qëndronte i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajҫak. Ky i fundit pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, tha se “zyrtarët në Bruksel janë duke punuar që takimi i radhës mes kryeministrit Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
"Mund të kthehem sërish së shpejti për t'u siguruar që takimi Kurti-Vuçiq do të jetë i përgatitur mirë. Besojmë se nuk ka më kohë për të humbur”, tha Lajҫak. I ngarkuari i BE-së për dialogun një ditë më parë ishte edhe në Beograd ku takoi Presidentin e Serbisë Alaksandar Vuҫiq. Në dy kryeqendrat në Beograd dhe Prishtinë, Lajҫak u dorëzoi Kurtit dhe Vuҫiqit tashmë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit “plan franko-gjerman”, që parashikon disa hapa për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmoi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, nga Tirana gjatë Samitit të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perendimor.
"Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse, ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe", tha Josep Borrell. Shefi i politikës së jashtme nuk dha detaje rreth propozimit, i cili nga ajo çfarë është thënë deri tash në medie, nuk parashikon njohjen e ndërsjelltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por marrëveshja siguron përparimin e të dyja vendeve drejt proceseve integruese. Ky plan i Bashkimit Evropian, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha nga Tirana se "Kosova si vendi më proevropian do të paraqesi kërkesën për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, ndërsa nënvizoi se blloku duhet të lëvizë nga fjalët në vepra, posaçërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave”, duke shfaqur shpresën se Këshilli Evropian do të votojë në favor të tij me 15 dhjetor.