270911 Euro Rettung
28 Shtator 2011Greqia ka bërë shumë punë muajt e fundit, thotë kryeministri grek Giorgos Papandreou në fjalimin e tij para industrialistëve dhe politikanëve në Ditën e Industrisë gjermane, të organizuar nga Dhoma e Industrisë. Por, Greqisë i duhet më shumë ndihmë dhe ajo që i duhet më shumë është koha. Reformat në vendin e tij janë shumë të thella, dhe ato nuk mund të kryhen brenda natës, theksoi Papandreou. Asnjë vend tjetër nuk e di aq mirë sa Gjermania, e cila pati pas ribashkimit ndryshime të mëdha të kësaj natyre.
"Ne nuk mund të kryejmë reformat e reja në një periudhe disa mujore. Ne do ta kthejmë krizën në shanc! Ju siguroj se investimet tuaja në Greqi nuk kanë lidhje me të kaluarën, por janë investime në të ardhmen e Greqisë."
Greqia, nuk është vend i varfër, është vetëm vend që ka patur qeverisje të keqe, tha Papandreou, i cili mori për fjalimin e tij të qetë dhe argumentativ duartrokitje të konsiderueshme. Industria gjermane bëri njëkohësisht të qartë se investimet greke nuk janë temë e agjendës së ditës. Sepse pa ndihmat financiare shtesë nga programi i zgjeruar ndihmës, Greqia do të falimentonte. Programi do të fillojë kur vendet e euros do të japin dritën jeshile. Aprovimi i tyre ka rëndësi të madhe, tha kancelarja Angela Merkel:
"Më e rëndësishmja është, që Greqia të fitojë sërish besimin dhe ne pala gjermane do të japin të gjithë ndihmën e kërkuar, në mënyrë që të dalim sa më shpejt nga ky zhvillim i keq, që sjell çdo muaj lajme të këqija, në mënyrë që tregjet të marrin sinjale se Greqia ndodhet në rrugën e duhur."
Edhe ekonomia gjermane është për zgjerimin e programit të ndihmës, në mënyrë që euro të mos futet në rrezik. Hans-Peter Keitel, president i Dhomës së Industrisë, shikon rreziqe për euron:
"Fundi i bashkimit monetar do të ishte për Gjermaninë dhe industrinë gjermane me dëme shumë të mëdha. Ju të gjithë i njihni gërshetimet e mëdha të ekonomisë gjermane me fqinjët tanë evropianë. Procesi i kthimit në monedhën kombëtare ose vetëm në zona të ndara do të ishte i lidhur me rreziqe të pallogaritshme për ekonominë dhe politikën."
Kur ditën e enjte të bëhet në parlamentin gjerman votimi për programin e zgjeruar të ndihmës, fjalën do ta marrin të gjithë ata që kritikojnë kreditë e reja miliardëshe për vendet me probleme të zonës së euros. Kryeministri grek u lut për të respektuar përpjekjet për reforma, nëse kjo mungon atëherë njerëzit humbasin motivimin për ndryshime të tjera.
Autor: Nina Werkhäuser / Aida Cama
Redaktoi: Elert Ajazaj