1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Inspektim i komplekseve atomike të Iranit

20 Shkurt 2012

Një ekip ndërkombëtarë inspektorësh të nivelit të lartë nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike vizitojnë Iranin për të verifikuar qëllimin e programit bërthamor.

https://p.dw.com/p/145ZZ
Fotografi: ISNA

Agjencia Ndërkombëtare Atomike ndërmerr një hap të mëtëjshëm për të marrë nga Irani informacionin lidhur me programin e diskutueshëm bërthamor.  Një ekip ekspertësh të nivelit të lrtë udhëton sërish për në Teheran me shpresën, që nga e hëna (20.02.2012)atyre t'u krijohet akses i plotë në të gjitha komplekset atomike si dhe t'u krijohet mundësia për të parë dokumentacionin dhe për t'u takuar me përfaqësuesit zyrtarë.  Një vizitë pune në fund të janarit, sipas agjencisë ndërkombëtare, nuk pati rezultat.

Raport i detajuar dhe shumë i qartë

Më qartë se çdo herë tjetër Agjencia Ndërkombëtare Atomike (IAEA)e formuloi në raportin e saj të fundit nëntorin e kaluar dyshimin, se Irani po zhvillon në fshehtësi bombën atomike. Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj agjencie, Yukija Amano, tani ka ardhur koha që qeveria në Teheran të japë informacion për shumë çështje të hapura lidhur me programin e vet bërthamor:  "Raporti është formuluar me kujdes. Në të shprehet konstatimi, se Irani ka kryer punime thelbësore për zhvillimin e trupave shpërthyes bërthamorë. Më tej nuk dua të shkoj. Unë nuk spekuloj."

Direktor der Internationalen Atomenergieorganisation Yukiya Amano
Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike, Yukiya AmanoFotografi: AP

Kapaciteti dhe saktësia e detajeve të raportit janë të pazakonta. Herë pas here përpiluesit e tij theksojnë, se konstatimet e tyre bazohen tek shumë burime të pavarura. Sipas këtyre burimeve vitet e shkuara Irani është aktivizuar në një sërë sektorësh të rëndësishëm për ndërtimin e armëve bërthamore.  Ndër to krahas procesit deri tani të njohur për pasurimin e uraniumit bëjnë pjesë edhe dy sektorë të tjerë: Konstruktimi i një kapsule shpërthyese atomike, që mund ta transportojnë raketat iraniane dhe zhvillimi i një mekanizmi ndezës, që mund të shkaktojë një reaksion bërthamor zinxhir. Sekretari i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike Amano vë në dukje arësyet, përse ka zgjatur kaq shumë derisa u publikua raporti aktual voluminoz: "Eshtë e vërtetë, që ne deri më sot nuk kemi publikuar informacione kaq të hollësishme. Kjo ka pasur të bëjë me faktin, se ne dinimin shumë pak për programin. Gjatë tre viteve të kaluara megjithatë kemi krijuar një përfytyrim më të qartë. Tani ne kemi shumë më tepër pjesë të rebusit në dispozicion. Eshtë evidente, që Irani duhet t'u përgjigjet disa pyetjeve."

Irani i hedh poshtë kategorikisht akuzat

Edhe Irani ka një përfaqësues të vetin në Agjencinë Ndërkombëtre Atomike me seli në Vjenë. Ambasadori iranian në këtë agjenci,  Ali Asghar Soltanieh, megjithatë në nëntor vazhdoi t'u përmbahet kundërshtimeve të zakonshme. "Raporti është jo profesional, i papeshuar dhe i motivuar politikisht nën presionin e amerikanëve dhe të evropianëve."

Soltanieh as që i bëjnë përshtypje kërcënimet, për izolimin e mëtejshëm të Iranit, në rast se nuk ndërpriten menjëherë programet për armët bërthamore. "Të gjitha këto akuza ne i hedhim poshtë në mënyrë kategorike. Vetëkuptohet ne e preferojmë përdorimin e energjisë atomike për qëllime paqësore."

Këtij pozicioni i përmbahet deri më tani qerveria në Teheran, por pa i hedhur poshtë në mënyrë bindëse akuzat për plane të fshehta ushtarake.

Iran Urananreicherungsanlage in Natans
Kompleksi i pasurimit të uraniumit në Natan të IranitFotografi: picture-alliance/dpa

Kufij të paqartë të "dual use"

Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore për një kohë të gjatë ka qenë e përmbajtur në vlerësimet e saj. Kjo sepse një nga problemet thelbësore për inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore ka të bëjë me faktin, që kufijtë mes përdorimit civil dhe atij ushtarak të energjisë bërthamore shpesh herë nuk janë të përcaktuar qartë.  Ekspertët në këtë kontekst bëjnë fjalë për një "dual use".  Ky është  termi anglisht për përdorimin e dyfishtë.

Më së voni me raportin e fundit Agjencia Ndërkombëtare Atomike ka hequr dorë nga qëndrimi i rezervuar. Një arësye për këtë ishte vendimi i BE-së për vendosjen e sanskioneve të ashpra ndaj Iranit. Tani koha nuk pret. Sipas vlerësimit të diplomatëve gridnja për programin bërthamor me qeverinë në Teheran në muajt e ardhshëm po shkon drejt një vendimi.

Vizita e re e inspektorëve ndërkombëtarë mund të jetë një rast i fundit për Mullahët e regjimit, që të jenë të besueshëm në bisedimet me pjesën tjetër të botës. Jo vetëm Perëndimi, por edhe Rusia dhe Kina i kanë bërë thirrje për këtë përmes një rezolute të përbashkët në nëntor i qeverisë iraniane.

Autor: Jörg Paas / V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi