1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intel do të ndërtojë një fabrikë çipash në Poloni

16 Qershor 2023

Grupi amerikan Intel po planifikon një fabrikë të re të çipave elektronikë në Poloni. Inteli po forcon kështu praninë e tij në Evropë. Për fabrikën e planifikuar në Magdeburg, duket se po gjendet një zgjidhje.

https://p.dw.com/p/4Sgzs
Fabrika e planifikuar e Intelit ne Brandenburg
Fotografi: Intel Corporation

Për Evropën, ky mund të jetë një hap i mëtejshëm drejt pavarësisë më të madhe në prodhimin e çipave: prodhuesi më i madh në botë i gjysmëpërçuesve, Intel, dëshiron të ndërtojë një fabrikë të madhe çipash në Wroclaw, Poloni. Përveç prodhimit në Irlandë dhe fabrikës së planifikuar në Magdeburg, Polonia do të ishte vendi i tretë evropian i grupit amerikan.

Mikroprocesorët do të montohen dhe testohen në fabrikën polake, njoftoi sot shefi i koncernit, Pat Gelsinger në Wroclaw. Vëllimin e investimeve ai e vlerëson me rreth 4.2 miliardë euro. Rreth 2000 vende pune që kërkojnë kualifikime të larta do të krijohen në fabrikë deri në vitin 2027. Intel pret gjithashtu që të krijohen në mënyrë indirekte disa mijëra vende pune të tjera , përveç punësimeve të mundshme të furnizuesve.

Polonia pak më e "uritur” se vendet e tjera?

Ashtu si me pothuajse të gjitha fabrikat e reja të çipave në botë, vendimi për t'u vendosur në Wrocław ishte i lidhur me një angazhim për subvencionim të qeverisë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, shefi i Intel-it, Gelsinger tha se "Polonia ishte pak më e uritur" dhe për këtë arsye mbizotëroi ndaj vendeve të tjera që kishin konkurruar që Inteli të investonte në rajonin e tyre.

Inteli nuk e specifikoi shumën e subvencioneve të qeverisë polake. Megjithatë, grupi theksoi se investimi i planifikuar në Poloni, së bashku me prodhimin ekzistues në Leixlip, Irlandë, dhe fabrikën e planifikuar në Magdeburg, do të ndihmojë në krijimin e një zinxhiri të vazhdueshëm vlerash për prodhimin e gjysmëpërçuesve në Evropë.

Shefi i Intelit, Pat Gelsinger dhe kryeministri Reiner Haseloff në Magdeburg
Fotografi: Peter Gercke/ZB/dpa/picture alliance

Pjesa e tregut evropian duhet të dyfishohet

Nisur nga rreziku i varësive, Këshilli i BE së bashku me Parlamentin Evropian, miratuan "ligjin e çipave" në prill të këtij viti. Si rezultat, pjesa e tregut evropian të gjysmëpërçuesve do të dyfishohet nga 10% në të paktën 20% deri në vitin 2030.

Pas kësaj qëndron dëshira e BE për t'u bërë më i pavarur teknologjikisht nga Kina. Për t'i bërë prodhuesit ndërkombëtarë të çipave të krijojnë fabrika të mëdha në Evropë, BE kohët e fundit dha dritën të gjelbër për subvencione me vlerë miliarda dollarë.

Shefi i Intel-it takohet me kancelarin

Kohët e fundit ka pasur një mosmarrëveshje brenda qeverisë gjermane për shumën e subvencionit për fabrikën e planifikuar të Intel-it në Magdeburg, pasi Inteli kërkoi më shumë se subvencioni i miratuar prej 6.8 miliardë euro nga qeveria gjermane. Ministri i Financave Christian Lindner (FPD) fillimisht e hodhi poshtë këtë propozim.

Sipas informacioneve të gazetës gjermane "Handelsblatt”, tani duket se po arrihet një marrëveshje. Gazeta citon qarqe qeveritare, sipas të cilave subvencionet për fabrikën Intel në Magdeburg tani pritet të arrijnë në 9.8 miliardë euro. Kontrata është në prag të nënshkrimit. Siç konfirmoi një zëdhënës i qeverisë, shefi i Intel-it dëshiron të takojë kancelarin Olaf Scholz të hënën.

aud (tgsch)