1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani ndërpret ndarjen e imazheve me vëzhguesit bërthamorë

28 Qershor 2021

Njoftimi i Teheranit i jep fund monitorimit ndërkombëtar të ambicieve bërthamore të Iranit.

https://p.dw.com/p/3veLW
Atomstreit mit dem Iran
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas njoftimeve të agjencisë shtetërore e lajmeve Tasnim Parlamenti iranian deklaroi të dielën, se marrëveshja për të ndarë pamje dhe fotografi nga disa centrale të caktuara bërthamore me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nuk do të zgjatet.

Irani e kishte zvogëluar prej kohësh bashkëpunimin me IAEA-në, sikurse qe parashikuar në marrëveshjen e vitit 2015 me fuqitë botërore për të mbajtur nën kontroll ambiciet bërthamore të Teheranit.

Österreich | Internationale Atomenergie-Organisation | Iran Atomstreit
Fotografi: Thomas Kronsteiner/Getty Images

Por të dy palët kishin rënë dakord në shkurt për një marrëveshje tremujore për të ndarë disa imazhe në mënyrë që IAEA të monitoronte të paktën një pjesë të aktiviteteve atomike të Iranit.

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf tha se "pas periudhës tremujore marrëveshja nuk u zgjat prandaj tani e tutje asnjë nga informacionet që do të regjistrohen nuk do t'i jepet IAEA, por do të mbetet në dispozicion të Republikës Islamike të Iranit."

Iran Atomabkommen Gespräche | Wien, Österrecih
Bisedime indirekte mes Iranit dhe fuqive perëndimore Fotografi: Lisa Leutner/AP Photo/picture alliance

Dështimi i zgjatjes së marrëveshjes ndodh në një kohë që Irani po zhvillon bisedime indirekte me fuqitë perëndimore rreth rinovimit të marrëveshjes bërthamore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e anuluan në mënyrë të njëanshme marrëveshjen në vitin 2018 në kohën e ish-Presidentit Donald Trump. Administrata e Presidentit aktual të SHBA Joe Biden filloi të zhvillojë bisedime indirekte për një kthim të mundshëm në marrëveshje, por këto janë bllokuar nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme.

Mosmarrëveshje të vazhdueshme

Përfundimi i marrëveshjes për ndarjen e imazheve me IAEA mund të sjellë një goditje të mëtejshme për marrëveshjen. Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken tha se nëse Irani nuk e zgjat marrëveshjen për ndarjen e informacionit, kjo do të ishte një "pengesë serioze" për negociatat e ardhshme 

Por moszgjatja e marrëveshjes konsiderohet edhe si një përpjekje e Teheranit për të bërë presion ndaj Bidenit për të hequr sanksionet shkatërruese ndaj Iranit.