Irlanda si shembull
17 Janar 2013Enda Kenny duket se është i preferuari i Parlamentit Evropian, jo ai personalisht, por si përfaqësues i vendit të tij. Sepse politika irlandeze e konsolidimit së bashku me programin e ndihmave të BE dhe të FMN konsiderohen si model: Irlanda pengoi me to falimentimin shtetëror. Ky falimentim kërcënonte para së gjithash, sepse shteti irlandez u desh të shpëtonte bankat e zhytura krejtësisht në borxhe, duke e futur veten në rrezik.
Kenny tha para Parlamentit Evropian në Strasburg me krenari të mërkurën (16.01.12) se vendi i tij i ka plotësuar "të gjitha detyrimet përballë BE dhe FMN". Ekonomia irlandeze vazhdon rritjen, eksportet kanë arritur nivele të reja rekord, shpenzimet shtetërore janë nën kontroll. Dhe pas kësaj deklarata përfundimtare: "Ne jemi të vendosur që të dalim nga programi i ndihmave para fundit të këtij viti."
Schulz: Irlandezët e shpëtuan sistemin bankar të Evropës
Fjalime të tilla BE i nevojiten shumë në këto çaste. Nga Athina në Lisbonë njerëzit rënkojnë nën politikën e kursimeve, por shumë nuk shohin dritë në fund të tunelit. Vërtet që edhe irlandezët ankohen, por ata me sa duket i duruan sakrificat me durim dhe i pranuan. Shkakun që ata, në dallim nga grekët, portugezët dhe spanjollët, nuk dolën në rrugë për të kundërshtuar politikën e kursimit, presidenti i Komisionit të BE, Jose Manuel Barroso e sheh në faktin që në Irlandë "ekziston vullneti politik, që viktimat të mbështeten me politika sociale dhe që reformat të ecin hap pas hapi me unitetin social."
Këtë rrugë ai u rekomandoi indirekt edhe vendeve të tjera problematike. Por kontributi irlandez ecën edhe shumë më tej, mendon Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Në një konferencë të përbashkët shtypi me Enda Kennyn, Schulz shprehu mendimin e tij personal se "irlandezët e penguan kolapsin e sistemit bankar evropian".
Pikërëndesa: më shumë vende pune
Kenny beson si shumë të tjerë që pjesa më e vështirë e krizës së euros tashmë është kapërcyer. Por papunësinë e lartë ai e ka edhe më tej në qendër të vëmendjes. Në Irlandë ajo është në kuotën 15 përqind, në disa vende të tjera shumë më lart.
Kryeministrit britanik, David Cameron, Kenny i rekomandoi që të mos largohet nga BE. Një dalje e Britanisë së Madhe nga BE do të ishte "një katastrofë" paralajmëroi Kenny, i cili shpjegoi i entuziazmuar përparësitë e vendit të tij nga anëtarësia në BE. Cameroni do të mbajë të premten një fjalim për politikën ndaj Evropës, i cili pritet me vëmendje të madhe.
Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica