Irlanda tani mund t'i thotë po Marrëveshjes së Lisbonës
20 Qershor 2009Liderët e BE-së pohojnë se autoritetet iraniane duhet të respektojnë lirinë e protestave dhe lirinë e shtypit. Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e zhgënjyer me fjalimin e udhëheqësit Hamenei. "Fjalimi ishte dëshpërues. Ne shpresojmë që drejtësia në Iran të fitojë", deklaroi Merkel, pas samitit të BE-së në Bruksel.
Presidentët dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare angazhohen për dialog me Iranin, rreth programit bërthamor. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se tani nuk duhet ndërprerë dialogun, sepse duhet insistuar në qetësimin e gjendjes.
BE-ja bëri një hap të madh drejt kapërcimit të mosmarrëveshjeve me Irlandën. Në prag të referendumit të dytë, liderët e BE-së pranuan që Irlanda të mbetet ushtarakisht neutrale, që të mbetet në fuqi ligji për ndalimin e abortit dhe që vendi të ketë të drejtën e vetos në politikën e tatimeve. Kryeministri irlandez Brian Cowen tha se referendumi për Marrëveshjen e Lisbonës do të zhvillohet në tetor.
"Tani kemi përgjigjet e duhura: do të kemi një komisioner, do të forcohen të drejtat e punëmarrësve dhe kemi garanci të shumta për politikën fiskale dhe neutralitetin në çështjet etnike. Jam i sigurt se irlandezët do t'i thonë po Marrëveshjes dhe se Evropa mund të lëvizë përpara", theksoi ai.
Garancitë e dhëna Irlandës janë shënuar në një protokoll të veçantë, që do të thotë se Marrëveshja e Lisbonës nuk të duhet të ratifikohet sërish prej vendeve që e kanë ratifikuar më parë. Mirëpo ekziston mundësia që pas miratimit eventual në Irlandë të shtohet rezistenca edhe në Çeki. Presidenti skeptik ndaj Evropës, Vaclav Klaus po zvarrit nënshkrimin e dokumentit prej tij. Kancelarja Angela Merkel shpreson se e gjithë procedura do të përfundojë deri në fund të vitit.
Kryeministri britanik Gordon Brown ka bërë lëshime pas negociatave të gjata, por ia doli që të përfitojë në çështjen e mbikqyrjes financiare në Evropë. Autoritetet e reja evropiane financiare nuk do të kenë të drejtat që parashikoheshin paraprakisht dhe që kundërshtoheshin prej Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Do të krijohen dy autoritetet të reja: Sistemi Evropian për Mbikqyrjen Financiare dhe Këshilli i Evorpës për rreziqet sistemore. Por ato nuk kanë të drejtën që të kërkojnë për shembull shpëtimin e ndonjë banke. Kjo e drejtë i mbetet vendeve anëtare të BE-së që për Britaninë ishte shumë e rëndësishme. Liderët vendosën që për rolin e Bankës Qendrore Evropiane të debatohet një herë tjetër. Kancelarja Merkel thotë se BE-ja është e interesuar për bashkëveprim në sistemet financiare.
Sa i përket çështjes së refugjatëve, BE-ja është e interesuar për bashkëpunim më të ngushtë me vendet prej nga vijnë ata, për zgjidhjen e këtij problemi. Kufijtë e jashtëm duhet të kontrollohen më mirë, por "nuk është folur për ndarjen e refugjatëve nëpër vende të ndryshme", theksoi Merkel.
Presidenti i Komisionit të BE-së José Barroso paralajmëroi se BE-ja së bashku me Ukrainën po punojnë në evitimin e një krize të re të furnizimit me gaz. Në rast mungese të masave të planifikuara, BE-ja do të ketë problem me furnizimin në fillim të vitit të ardhshëm. Krerët e BE-së kanë rënë dakord që të mbështesin kandidaturën e dytë të Barrosos për postin e presidentit të Komisionit, por zgjedhja e tij duhet të bëhet në Parlamentin e Evropës.
Autor: Bern Riegert
Redaktoi: Bahri Cani