Ish-mbreti Juan Carlos largohet nga Spanja
4 Gusht 2020Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, po bën edhe një herë bujë në media. Në një letër të botuar nga familja mbretërore 82-vjeçari i shkruan të birit Felipe VI, se po largohet nga Spanja për t'ia bërë më të lehtë punën e të birit në detyrën e tij si kreu i shtetit.
Sipas të përditshmes spanjolle "El Mundo" ish-monarku është larguar tashmë nga Spanja në një destinacion të panjohur. Largimi i Juan Carlos ka të bëjë me hetimet që ka nisur në muajin qershor ndaj tij Gjykata e Lartë në Madrid. Sipas "El Mundo" vendimi është marrë kryesisht nga Felipe dhe familja mbretërore e "detyroi" ish-monarkun të largohet nga Spanja, pasi në vend janë shtuar së fundi thirrjet për heqjen e monarkisë.
Dyshime pë ryshfete të paguara ndaj një konsorciumi spanjoll
Hetuesit e gjykatës më të lartë të vendit kanë nisur para dy muajsh një një procedim penal kundër Juan Carlosit. Bëhet fjalë për ryshfete që i janë paguar një konsorciumi spanjoll për ndërtimin e një linje hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite. Dyshohet se në vitin 2008 Juan Carlos ka marrë një "shpërblim" deri në 100 milionë dollarë sepse ka shërbyer si "ndërmjetës" midis sheikëve dhe kompanive vendase. Ky rast u bë i njohur vetëm dhjetë vjet më vonë, kur mediat spanjolle botuan regjistrimet e një bisede. Pas botimit organet e drejtësisë janë duke e ndjekur këtë çështje.
Për shkak se Juan Carlos gëzon imunitet ndaj tij mund të të hetojë vetëm Gjykata e Lartë në Madrid. Po ashtu hetime ndaj ish-monarkut mund të bëhen vetëm çështje që kanë ndodhur pas largimit të tij nga froni në qershor të vitit 2014. Mediat njoftojnë se hetuesit kanë gjetur prova për pastrim parash dhe evazion fiskal në lidhje me paratë që mori ish-monarku "në çështjen e trenit të shkretëtirës".
Juan Carlos konsiderohej për dekada një mbret model. Bashkatdhetarët e tij e donin, sepse ai e kishte mbrojtur fuqishëm demokracinë e re spanjolle pas një përpjekje për grusht shteti në 1981.
Por në dhjetë vitet e fundit, ai është përmendur më tepër për skandale. Për shembull, për gjuetinë e kafshëve të egra në Botsvana, për marrëdhënie jashtëmartesore dhe nepotizëm në rastin e një skandali për mashtrime ku ishte i përfshirë edhe dhëndri i tij Inaki Urdangarin, i cili është dënuar me disa vjet heqje lirie.
Në mars të këtij viti mbreti Felipe VI i ndërpreu përfundimisht marrëdhëniet me të atin, pasi gazeta britanike Telegraf kishte zbuluar se emri i Felipes dilte pa dijeninë e tij si përfitues i një fondacioni të dyshimtë të hapur në një nga parajsat fiskale. Thuhet se një pjesë e shumës së parave nga Arabia Saudite janë depozituar në këtë fondacion.