1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

261210 Tsunami Jahrestag

27 Dhjetor 2010

Gjashtë vjet pas katastrofës shkatërrimtare të cunamit në Oqeanin Indian, të dielën (26.12.) njerëzit në rajonet e prekura përkujtuan viktimat me minuta heshtje dhe mesha. 230.000 vetë humbën jetën nga katastrofa.

https://p.dw.com/p/zqGc
Ditë shumë e trishtuar! Përkujtohen viktimatFotografi: AP

Në Tailandë ashtu si në shumë vende të tjera përreth Oqeanit Indian, të dielën u përkujtuan viktimat e cunamit të gjashtë viteve më parë.

Në ishullin turistik Phuket si dhe në Khao Lak në provincën fqinje Phang Nga, ku humbën jetën nga katastrofa në ditën e dytë të Krishtlindjeve në 2004, pjesa më e madhe e turistëve gjermanë, u mblodhën banorë të rajonit si dhe të afërm dhe miq të viktimave. U zhvilluan ceremoni budiste, dhe në vendet e përkujtimit të cunamit u vendosën kurora lulesh dhe u ndezën qirinj. Vetëm në Tailandë patën humbur jetën të paktën 5.400 vetë, gjysma e tyre turistë të huaj.

Nach dem Tsunami
Pas cunamitFotografi: CC/sarvodaya.org

Ende mijëra vetë të humbur

Ndër viktimat ishin rreth 500 pushues gjermanë, ashtu si shoku i Birgit Winkler, e cila mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Patong në ishullin Phuket: "Joseph Mischal nga Shtutgarti. Ai u vra këtu nga një dallgë. Trupi i tij pa jetë nuk u gjet asnjëherë. Unë nuk kam një varr ku të shkoj, nuk kam asgjë."

Mijëra vetë janë ende sot të humbur. Nga cunami humbën jetën gjithsej më shumë se 220.000 vetë, më shumë se 1,5 milionë mbetën të pastrehë. Larry Amsten, një banor i Patongut, vjen çdo vit në ceremoninë përkujtimore në monumentin për viktimat e cunamit. Ashtu si shumica e të tjerëve, ai nuk e ka harruar katastrofën në ditën e dytë të Krishtlindjeve në 2004: "Unë isha në shtëpinë time në Patong. Pashë se si uji u tërhoq dhe nuk e kuptoja përse. Pastaj erdhi dallga, e cila mori aq shumë njerëz me vete. Shumë miq të mi kanë humbur jetën. Ishte një ditë shumë, shumë e trishtuar."

Deutsches Tsunamiwarnsystem startet in Indonesien
Një sistem paralajmërues cunami në Indonezi u ngrit me asistencën gjermnane.Fotografi: picture-alliance/dpa

Pritet një megatërmet tjetër

Vetëm Indonezia numëron rreth 127.000 viktima, pjesa më e madhe nga provinca Aceh, në ishullin Sumatra, në brigjet e të cilit tërmeti arriti një fuqi prej 9,2 ballësh. Në kryeqytetin e provincës Banda Aceh, në ceremonitë përkujtimore u vendosën lule prej letre me mesazhe shprese dhe dashurie para xhamisë së madhe.

Studiuesit e tërmeteve presin vitet e ardhshme një tjetër tërmet të fortë para brigjeve të ishullit Sumatra. Epiqendra e tij pritet të jetë në afërsi të Padangut, ku në shtator të vitit të kaluar 1000 vetë humbën jetën, si pasojë e një tjetër tërmeti të rëndë.

Bernd Musch-Borowska/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi