Izraelitët dhe palestinezët bien dakord për takime të rregullta
3 Shtator 2010I dërguari i posaçëm amerikan për paqen në Lindjen e Afërt, George Mitchell pas takimit të kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidentit palestinez, Mahmud Abbas, bëri fjalë për një raund të parë produktiv të bisedimeve direkte të së enjtes. Para mediave Mitchell tha se bisedimet janë në zhvillim e sipër, por po reflektohet "një besim pozitiv dhe seriozitet për qëllimin".
Takime të rregullta izraelito-palestineze
Rezultati i takimit 90 minutësh në Ministrinë e Jashtme Amerikane në Uashington ishte ujdia për t'u takuar sërish. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe presidenti palestinez, Mahmud Abbas ishin të një mendimi që të takohen në rajon në 14-15 shtator dhe pas kësaj ata do të zhvillojnë bisedime të rregullta, çdo dy javë. Nga Uashingtoni bëhet e ditur se ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell do të marrin pjesë në këto bisedime. Vendi i takimit nuk është vendosur ende.
Optimizëm nga të dyja palët
Më parë të dyja palët ishin shprehur optimiste. Benjamin Netanjahu tha se ai "sheh një partner për paqen" tek presidenti Abaz dhe theksoi shansin për paqe. "President Abbas, unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe e respektoj dëshirën e popullit tuaj për sovranitet. Jam i bindur se është e mundur ta përkojmë këtë dëshirë me nevojën e Izraelit për siguri. Kjo është një mundësi e pashoqe për t'i dhënë fund një konflikti shekullor."
Ndërkohë që presidenti palestinez, bëri fjalë për një "epokë të re në rajon, që sjell paqe dhe mirëqenie për të gjithë." Rruga e paqes është paar nesh, tha Abbas duke kujtuar rezolutat e OKB-së. Kryeministri izraelit, Netanjahu nga ana e tij dha sinjale për gatishmërinë izraelite për kompromise. Ai bëri fjalë për "koncesione të dhimmbshme për të dyja palët." Nëse këto gatishmëria për kompromis do të bëhet realitet, këtë do ta tregojnë zhvillimet e ardhshme.
Clinton: Hap përpara drejt paqes dhe dinjitetit
Pas një bllokimi prej dy vjetësh këto ishin bisedimet e para direkte të paqes. Të dyja palët u takuan me ftesën e ministres së Jashtme amerikane, Hillary Clinton, e cila të enjten vlerësoi hapin e hedhur nga të dyja palët: "E di që vendimi për t'u ulur në këtë tavolinë nuk ishte i lehtë... Por ju keni ndërmarrë një hap të rëndësishëm, drejt çlirimit të popujve tuaj nga prangat e një historie që nuk mund ta ndryshojmë dhe ecjes përpara drejt një të ardhmeje me paqe dhe dinjitet, të cilën mund ta krijoni vetëm ju."
Autor: Lindita Arapi
Redaktoi: Bahri Cani