Jörg Haider krijon një parti të re në Austri
6 Prill 2005Austria do të ketë një parti të re, e cila do të kryesohet nga Jörg Haider. Kryetarja e tanishme e partisë FPÖ, Urusla Haubner, e cila
është edhe motra e Haiderit, deklaroi përpara mediave krijimin e partisë Lidhja për të Ardhmen e Austrisë BZÖ si edhe dorëheqjen nga posti i saj si kryetare e partisë FPÖ:
"Unë kam përgjegjësi të rëndësishme politike me funksionin tim si minsitre për çështjet sociale. Por tani dua t´i marr këto përgjegjësi më seriozisht, duke u bërë antare e partisë së re BZÖ. Kjo parti do t´u ofrojë shumë njerëzve në Austri një atdhe të sigurtë dhe të lirë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për një politikë të drejtë dhe pozitive për Austrinë" - tha ajo.
Vëllai i Ursula Haubnerit, Jörg Haider, do të marrë përisipër udhëheqjen e kësaj partie. Gjatë javëve të kaluara antarët e partisë FPÖ i kishin bërë shpesh thirrje Haiderit, që të rikthehet në kryesinë e FPÖ-së, nga e cila ai ishte larguar përpara pesë vitesh.
Vetë partia FPÖ, e cila po braktiset nga kryesia e saj, ndodhet përpara një dileme. Të gjithë antarët më të rëndësishëm të saj po largohen, për t´u bërë antarë të partisë së re. Sipas Haiderit, në partinë e re nuk do të ketë vend për nacionalistët e djathtë, të cilët e kishin kritikuar shpesh pozicionin e FPÖ-së:
"Kjo është një rrugë e re, pa pengesa dhe idelogji të papërgjegjshme. Kjo nuk është një rrugë e ngurtë dhe e përuljes ndaj idhujve idelogjikë" - deklaroi Haider.
Vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Austri. Por këtë rradhë nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e Haiderit dhe antarëve të partisë FPÖ por edhe për të ardhmen e koalicionit qeveritar. Jörg Haider ja doli mbanë sërish që të shkaktojë lëvizje në situatën politike të Austrisë.