1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Europës Shqipërisë - Luftoni korrupsionin me ligjet ekzistuese

Ani Ruci21 Tetor 2013

Intervistë ekskluzive për DW me Ivan Koedjikov, kryetar i Departamentit të Veprimit kundër krimit në Këshillin e Europës.

https://p.dw.com/p/1A308
Fotografi: Ani Ruci

DW: Zoti Koedjikov, lufta kundër korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në përpjekjet e saj për një demokraci funksionale dhe afrimin drejt anëtarësimit në BE. Si vend anëtar i Këshillit të Europës ajo ka përfituar nga asistenca teknike, monitorimi dhe rekomandimet e KiE, për të plotësuar angazhimet/detyrimet e saj lidhur me luftën ndaj korrupsionit. Si e vlerësoni ju situatën në Shqipëri lidhur me korrupsionin?

Ivan Koedjikov: Besoj që qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, kanë luftuar korrupsionin në rradhë të parë, sepse populli shqiptar dëshëron të shkojë përpara në të përditshmen e tij pa qenë i shqetësuar nga korrupsioni. Kushtëzimet në rrugën drejt anëtarësimit në BE janë një faktor dytësor, por shumë pozitiv. Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës në vitin 1996. Një vit më pas Shqipëria u bë anëtare themeluese e mekanizmit kundër pastrimit të parave dhe monitorimit të financimit të terrorizmit, të njohur me inicialet MONEYVAL. Në vitin 2007 u bë anëtare e GRECO,- Group of States Against Corruption-. Shqipëria ka marrë pjesë në vlerësimet e ndërsjellta, të kryera nga këto mekanizma monitoruese dhe ka përfituar nga rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL. Që nga viti 2000 Shqipëria dhe Këshilli i Europës bashkëpunojnë për të plotësuar projekte anti-korrupsion: një rajonal dhe tre në Shqipëri, të dizenjuara enkas për të mbështetur reformat shqiptare anti-korrupsion dhe mirëqeverisjen.

Ka një progres të pamohueshëm, por mbetet ende shumë për të bërë. Nuk më takon mua të jap një vlerësim të situatës në përgjithësi në Shqipëri lidhur me korrupsionin. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një vlerësim dhe i ka dhënë përparësi luftës ndaj korrupsionit. Mirëpres këtë politikë të qeverisë.

DW: Këshilli i Europës ka zbatuar në Shqipëri një projekt të përbashkët , tre vjeçar me BE, 2009-2012, Project Against Corruption, Albania, i njohur me inicialet PACA. A mund të tregoni ku u fokususa asistenca teknike e këtij projekti, cilat janë rezultatet e tij?

Ivan Koedjikov: PACA u fokusua kryesisht në dy fusha: .1- implementimin e Strategjisë Anti- Korrupsion dhe Planit të Veprimit, 2007-2013 në përputhje me rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL, si edhe me angazhimet në kuadër të Partneritetit Europian, 2- në parandalimin e korrupsionit në sektorin e arsimit permes përmirësimit të transparencës, përgjegjësisë dhe pjesëmarrjes sociale. Projekti adresoi boshllëqet dhe mangësitë në legjislacionin dhe politikat anti-korrupsion dhe mundësoi përmirësime në kuadrin ligjor, rregullator dhe administrativ për përfituesit kryesorë. Projekti u mendua edhe u zbatua edhe për trajnime profesionale dhe kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për korrupsionin dhe si ta luftojë atë.

DW: Në Progres Raportin 2013 të Komisionit Europian për Shqipërinë theksohet se "korrupsioni mbetet një problem serioz dhe është mbizotërues në shume fusha, përfshirë edhe ligjin”. Si kanë kontribuar rezultatet e PACA-s në luftën kundër korrupsionit? Në ç'masë rekomandimet e këtij projekti trevjecar janë marrë parasysh nga qeveria paraardhëse dhe institucionet e tjera shtetërore? A ka faktorë, që vënë në rrezik qëndrueshmërinë e rezultateve të arritura nga projekti PACA?

Ivan Koedjikov: Si të gjitha projektet e tilla PACA kontriboi në një sërë mënyrash, kryesisht përmes hapash dhe përmirësimesh të vogla, në rritje. Arritja më e madhe e këtij projekti është roli, që luajti lidhur me imunitetin e zyrtarëve të zgjedhur dhe adaptimin e imuniteteve konform standarteve dhe praktikave më të mira të Këshillit të Europës. Kjo kërkoi edhe amendimin e Kushtetutës. PACA zgjati tre vjet dhe solli një listë mbresëlënëse rezultatesh, ndër të cilat rekomandimet për politika specifike bazuar në vlerësimet e rrezikut të korrupsionit në gjashtë sektorë të ndryshëm. Shumë prej këtyre rekomandimeve janë ende për t'u zbatuar. Përpjekjet anti-korrupsion të qeverisë aktuale të Shqipërisë natyrisht që do të përfitojnë nga trashëgimia që la PACA, nëse mund ta përdor këtë fjalë.

DW: Qeveria e re e kryeministrit Rama e konsideron luftën kundër korrupsionit një nga prioritetet e saj kryesore. Çfarë pret Këshilli i Europës nga qeveria e re për të adresuar si duhet korrupsionit dhe përmbushë të gjitha standardet e KE? Çfarë do t'i sugjeroni ju qeverisë Rama për të vendosur në thelb të strategjisë së re anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Pritshmëritë e Këshillit të Europës janë përshkruar në detyrimet statutore të Shqipërisë, të njëjta për të gjitha shtetet tona anëtare dhe në rekomandimet e adresuara për Shqipërinë nga GRECO dhe MONEYVAL. Për të qenë më specifik, Shqipëria mund të përqëndrohet në përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm të politikës së saj anti-korrupsion politikave dhe koordinimit, që do të përfshinte përditësimin e Planit të Veprimit Anti-korrupsion si dokumenti kyç i politikës së qeverisë. Një mbështetje të fortë institucionale mund t'i jepet përpjekjeve anti-korrupsion, për shembull duke angazhuar Kontrollin e Lartë të Shtetit në strategjinë kombëtare anti-korrupsion dhe kuadrin e politikës. Ka hapësirë për përmirësimin e koordinimit institucional, për shembull, duke i dhënë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive të Zyrtarëve te Lartë rolin një Zyre Anti-Korrupsion, duke u fokusuar jo në shkeljet administrative dhe inspektimet, por në zhvillimin e politikave, koordinimin dhe monitorimin. Masat e përgjithshme parandaluese antikorrupsion mund të kenë një ndikim të madh pozitiv afatgjatë, për shembull, përfundim i reformës së shërbimit publik për të siguruar një shërbim civil të motivuar dhe të bazuar në meritë, duke siguruar që janë vendosur sisteme funksionale për të lehtësuar dhe vepruar me ankesat për korrupsion brenda institucioneve publike.

DW: Një faktor kyç për të patur progres në përpjekjet anti-korrupsion është opinioni publik. Për fat të keq opinioni i përgjithshëm publik në Shqipëri është skeptik lidhur me zhdukjen e korrupsionit, përderisa Shqipëria nuk ka shembuj konkretë të zyrtarëve të dënuar për korrupsion, veçanërisht në nivelet e larta të vendimmarrjes, një realitet ky, që çon në mendimin se në Shqipëri është instaluar një kulturë e mosndëshkimit këmbëngulës. Dhe më shumë se të qënit mospranues dhe jo tolerantë ndaj rasteve të korrupsionit njerëzit thonë: "të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk dënohet". Çfarë duhet bërë për të kthyer opinionin publik në një aleat në përpjekjet anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Si u përmend më lart kufizimi i numrit të zyrtarëve të lartë, që gëzojnë imunitet, ishte një hap i mirë, që lejon shoqërinë shqiptare të udhëhiqet nga ky shembull. Kjo me siguri është vlerësuar nga opinioni publik. Megjithatë nuk duhet të jetë e vështirë për të parë se për sa kohë mjetet ekzistuese ligjore dhe të zbatimit të ligjit nuk përdoren, apo përdoren vetëm në mënyrë selektive, publiku shqiptar ka të ngjarë të mbetet skeptik. "Të gjithë bëjnë korrupsion, askush nuk ndëshkohet" ose "Të gjithë bëjnë korrupsionin, vetëm të vegjlit ndëshkohen”, duhet të zëvendësohet me "Korrupsioni nuk paguan" dhe "Korrupsioni është një gjë e keqe, prandaj as e bëj, as e toleroj”

DW: Shqipëria shpreson të marrë në dhjetor të këtij viti statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. A mendoni se BE do të hapë me Shqipërinë negociatat e anëtarësimit?

Ivan Koedjikov: Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e familjes europiane. Besoj se populli shqiptar meriton të jetojë në një shoqëri moderne, të begatë dhe pa korrupsion. Kam besim se qeveria shqiptare e di se për të arritur qëllime të tilla çdo qeveri duhet të jetë gati për të ndërmarrë masa të vështira dhe unë jam i bindur se qeveria ka vullnetin politik dhe mandatin popullor për të bërë kështu.

DW: Çrrënjosja e korrupsionit po tregon se është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, që nuk mund të arrihet me një shkop magjik. Çfarë roli mund të luajë KiE, cfarë mund t'i ofrojë qeverisë së re të Shqipërisë për të luftuar më mire se deri më tani korrupsionin, vazhduar reformat dhe zbatuar me sukses strategjinë e saj të re anti-korrupsion?

Ivan Koedjikov: Si të gjitha qeveritë e reja qeveria Rama ka të ngjarë të jetë kritike me qeveritë paraardhëse. Megjithatë kjo nuk është një arsye për të hedhur poshtë atë, që ato kanë arritur, ose “ të mos hedhin bashkë me ujrat edhe foshnjën”. Ka shumë rekomandime të PACA-s këshilla, udhëzime teknike dhe mjetet, që presin të zbatohen në praktikë. Janë të mira për Shqipërinë, edhe pse u elaboruan gjatë një qeverie tjetër. Do të doja t'i bëja apel qeverisë së re të përdorë sa më mirë anti-korrupsionin acquis të zhvilluar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Nga ana jonë ne do të bëjmë çmos për t'ju ndihmuar. Këshilli i Evropës është i gatshëm për të mbështetur prioritetet anti-korrupsion të qeverisë Shqiptare.