1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka edhe 7. cm vend bosh tek koshi i plehrave! Ndërgjegjësimi për mjedisin

18 Tetor 2011

Përvojë gjermane për mjedisin në Tiranë. Një agjenci berlineze ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm me fushatën ndërgjegjësuese për pastrimin e Berlinit. Qendra e gjermanishtes e sjell atë në Tiranë.

https://p.dw.com/p/12uT5
Plehra në rrugët e Tiranës Aida
Plehra në rrugët e TiranësFotografi: DW / Aida Cama

Jo urdhëra, as duhet bërë kjo apo ajo. Jo sllogane të mërzitshme didaktike por humor dhe përfshirje e qytetarit për një Berlin të pastër. Kjo është ideja inovatore e fushatës publicitare “Man in Orange” të agjencisë berlineze Heymann Brandt de Gelmini, që zgjati 3 vjet me një sukses të jashtëzakonshëm dhe ndikoi pozitivisht në mbajtjen e një qëndrimi aktiv të qytetarit për hapësira të pastra publike. Sllogane të tilla si: “Këtë punë e rregullojmë ne”, “Ne sjellim rregull”, “Ne heqin ndotjet”. “ Ka edhe 7. cm vend bosh tek koshi i plehrave” ishin risi ne Berlin për përqasjen e tyre pozitive.

Efekti i përqasjes me humor

Drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes, Brigitta Grau-Guenter thotë për programin shqip të DW se pikërisht nga kjo përqasje pozitive dhe plot humor lindi edhe ideja për të sjellë në Tiranë agjencinë berlineze. Rol në këtë zgjedhje luajti padyshim edhe bindja për dobinë e përvojës berlineze ne ndryshimin e realitetit te përditshëm të Tiranës.

Ky realitet jo vetëm në Tiranë, por në përgjithësi kudo në Shqipëri, është i tillë ku krahas qytetarëve të ndërgjegjshëm ka edhe shumë të tjerë që sillen pa përgjegjësi ndaj mjedisit ku ata jetojnë: bishta cigaresh, letra, shishe plastike bosh, mbeturina ushqimesh në rrugë, në parqe, në klasa apo auditore janë një dukuri e zakonshme.

Brigitta Grau-Günther, drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes ka ndihmuar në sjelljen e përvojës berlineze
Brigitta Grau-Günther, drejtorja e Qendrës së Gjermanishtes ka ndihmuar në sjelljen e përvojës berlinezeFotografi: DW

Ekspertit Herman Plumm që ka ardhur në Tiranë nga Gjermania para 6 muajve për të drejtuar një projekt të bashkëpunimit gjermano - shqiptar për menaxhimin e ujit, i ka bërë përshtypje pikërisht kjo mungëse e përgjegjësisë qytetare në Tiranë. “Mund të shohësh shumë njerëz që nuk tregojnë respekt për mjedisin kur hedhin mbeturina nga dritaret e makinave, nga ballkonet. Kur udhëton sheh anash brigjeve të lumenjv,e qese plastike pafund dhe lloj lloj plehrash qe njerëzit hedhin ku të duan.”

Përvoja nga Berlini dhe Tirana

Bashki, shoqata mjedisore dhe organizata ndërkombëtare janë përpjekur të ndryshojnë këtë qëndrim të papërgjegjshëm edhe përmes fushatave të ndërgjegjësimit. Por realiteti tregon se ato nuk kanë qenë të suksesshme aq sa të ndikojnë në masë për të ndryshuar sjelljen ndaj hapësirave publike.

Cili është sekreti për të patur një fushatë sensibilizuese të sukseshme? A mundet të adaptohet edhe në Tiranë modeli berlinez i vënies në qëndër të fushatës së punëtorit, “burrit të veshur në portokallí” që mban pastër Berlinin? A mundet që sllogani ”E bëj për veten time” të funksionojë edhe në Tiranë? Jonida Mumaj, nga shoqata mjedisore “Eden”, me përvojë në sensibilizimin e komunitetit për të mbajtur pastër hapësirat publike mendon se është pikërisht kjo që i mungon ndërgjegjësimit të publikut shqiptar.

“Ndryshimi fillon nga vetja. Të fillojmë nga vetja dhe pastaj të kërkojmë nga të tjerët. Për mua e sukseshme është një fushatë ku gjen vend individi dhe komuniteti. Dhe që zgjat jo një javë, por një, dy, tre vjet vjet derisa të shihet rezultati.”

Përfshirja në fushatë e individit përbën një bazë të mirë edhe për suksesin e fushatave që zhvillon Bashkia e Tiranës, nga e cila varen administrativisht ndërrmarrjet e pastrimit të kryeqytetit. “Bashkia nuk do të ketë sukses, nëse nuk përfshin qytetarët në fushatë pasi pa ndërgjegjësimin e tyre nuk ia del dot mbanë të mbajë Tiranën të pastër. Do të ishte shumë e kushtueshme finnaciarisht të pastroje mjediset, rrugët ku qytetari që kalon hedh plehra.” thotë Drejtorja e Qëndrës së Gjermanishtes, Brigitta Grau -Guenther.

Rene Heymann
Pamje nga një seminar i agjencisë berlineze në TiranëFotografi: DW

Zbatim i ligjit dhe edukim në institucionet arsimore

Sjellja në Tiranë e përvojës së sukseshme të agjensisë berlineze Heymann Brandt de Gelmini për ndërgjegjesimin lidhur me rëndësinë që ka mbajtja e hapësirave publike është një mënyrë për të ndikuar në ndryshimin e mentalitetit shqiptar lidhur me atë që njihet si “e mirë publike”. Por ndryshimi do të jetë i qëndrueshëm, kur ligjet nga letrat do të kalojnë në zbatimin e tyre në praktikë. Kështu në adaptimin e legjislacioneve të Shqiperise me atë të BE për mbetjet, së fundi është miratuar edhe ligji për seleksionimin e mbeturinave dhe hedhjen e tyre në koshat përkatës: koshat per mbetjet plastike, qelqi apo mbeturinat organike.

Zbatimi rigoroz i këtij ligji pritet të jetë bazë e një qëndrimi aktiv dhe të përgjegjshëm të qytetarëve ndaj mjedisit. Krahas tij edhe edukimi i fëmijëve në institucionet arsimore për mbajtjen pastër të hapësirave publike. Në këtë drejtim ne Shqipëri po kontribojnë edhe organizata ndërkombëtare.

“Shoqata jonë mjedisore ”Eden” në bashkëpunim me UNICEF-in ka filluar të fusë në curricula mësimore edukimin mjedisor që ky edukim të fillojë që në moshë të vogël.”

Dobia e edukimit me kujdesin mjedisor të fëmijëve në shkolla u mbështet nga shumë pjesëmarrës në seminarin e organizuar nga Qëndra e Gjermanishtes, partnere e Institutit Goethe, në kuadër të vijimit të aktiviteteve të Tetorit gjerman.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi