Kandidatëve për president të Austrisë u duhen nerva të forta
23 Maj 2016"Nga ne nuk vjen më ndonjë rezultat sot në mbrëmje", tha moderatori i televizionit austriak (ORF) të dielën (22.06) vonë para kamerave në Hofburgun vjenez. Vlerësimi përfundimtar për zgjedhjen e presidentit pritet të hënën në mbrëmje. Kandidati i majtë liberal, Alexander van der Bellen ka një avantazh të lehtë me rreth 3000 vota. Ndërsa kandidati populist i djathtë, Norbert Hofer i ka shpresat tek votimet e bëra me letër që numërohen gjatë së hënës. Sipas ekspertëve ato mund të bëjnë një dallim deri në 32.000 vota. Grafika e televizioneve tregon qartë 50:50.
Papritur tone të zbutura
"Kjo është nata zgjedhore më interesantja që kam përjetuar ndonjëherë", është shprehur Norbert Hofer, kur me pak vonesë ai doli para kamerave në studion e ORF-së në Hofburg. Asnjëherë nuk ka pasur një interesim kaq të madh për zgjedhjen e presidentit në Austri, bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë.
Në studio kandidati Hofer takoi rivalin e majtë liberal, Alexander van der Bellen. Pas një fushatë zgjedhore shumë të ashpër, papritur u dëgjuan tone të zbutura. "Së pari dua t'i shpreh Norbert Hoferit respektin dhe sigurisht të falënderoj votuesit", u shpreh van der Bellen. "Në fund të fundit ne të gjithë duam të punojmë për Austrinë", u shpreh Hofer. Tone harmonike. Van der Bellen plotësoi se sigurisht i mbetet besnik politikës së tij, por "ai do të ishte një president për të gjithë austriakët". Pavarësisht si del rezultati të dy kandidatët premtojnë bashkëpunim.
Hofer nuk do të jetë populist i djathtë
Korrespondetët e huaj ishin më shumë të interesuar për faktin se në rast zgjedhjeje të Norbert Hoferit, në BE ulet në postin e presidentit një populist i djathtë. Por Norbert Hofer e hoqi mënjanë etiketimin si "populist i djathtë". "Kjo është absurde. Unë jam njeri i qendrës së djathtë". Me sa duket ai i harroi deklaratat e tij armiqësore kundër të huajve dhe ato skeptike kundër BE-së. Asnjë fjalë për shpërbërjen e qeverisë dhe parlamentit, nëse politika e tyre nuk do t'i pëlqente presidentit. Hofer thotë se do t'i japë impuls të ri postit të presidentit dhe dëshiron të jetë një lloj "mbikqyrësi demokratik për Austrinë".
Ndërsa kandidati tjetër i mundshëm për president, Alexander van der Bellen, ish-kryetar i Partisë së Gjelbër nuk sheh ndonjë përçarje në shoqërinë austriake, megjithëse 50% të votuesve kanë zgjedhur protestën e djathtë. "Kjo është vetëm një pjesë, pjesa më vogël e votuesve. Njerëzit janë të zemëruar dhe e kanë treguar këtë", thotë van der Bellen. Ai shprehet së kërkon të rinovojë vendin dhe se do të qëndrojë në një linjë proeuropiane.
Ish-komisioneri i BE-së dhe politikani konservator, Franz Fischler e mbështet qëndrimin e van der Bellen. "Nuk do të thoja që kalon një linjë ndarjeje, ku të dyja palët qëndrojnë të papajtuara përballë njëra-tjetrës", thotë ai për Deutsche Wellen. Votimet në Austri tregojnë se në këtë vend ka humbur politika e qendrës. Partitë qeverisëse duhet të punojnë "për të mbyllur hendeqet."