Kastrati: Ne e mirëpresim shtimin e trupave në Veri
26 Prill 2012DW: Zoti Kastrati, çdo herë ka pasur incidente sporadike në veriun e Kosovës por kësaj radhe jemi dëshmitarë të një dinamizmi të pazakontë të ngjarjeve i cili nuk po ndalon. Si i vlerësoni Ju zhvillimet e fundit, cili është perceptimi i Juaj, çfarë po ndodh me të vërtetë në Veri të vendit?
Avni Kastrati: "Rrethanat ekzistuese në Veri të Kosovës, ku prej përfundimit të luftës nuk është vënë rend dhe ligj dhe ku strukturat ilegale të shtetit të Serbisë dhe grupet kriminale veprojnë lirshëm, janë duke u shfrytëzuar nga qarqet serbe për qëllimet e tyre politike dhe partiake. E para ka të bëj drejtpërdrejtë me strukturat shtetërore të Serbisë që veprojnë atje, të cilat urdhërohen nga Beogradi dhe që me çdo kusht tentojnë të sabotojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe në këtë mënyrë edhe shtetin e Kosovës. Për të arritur këtë nuk kursejnë asgjë dhe as jetëra të qytetarëve të pafajshëm. Në këtë drejtim punojnë që situata të jetë sa më e tensionuar, meqë kjo krijon gjendje të re në terren. Qytetarët shqiptarë në veri të frikësuar dhe pa mbrojtje të mjaftueshme nga strukturat e sigurisë, qoftë vendore - qoftë ndërkombëtare, shpesh herë detyrohen që të ikin nga shtëpitë e veta. Në anën tjetër, në të njëjtën kohë partitë politike serbe, mandej grupet kriminale etj. e shfrytëzojnë këtë situatë për qëllimet e veta, qoftë për marketing dhe propagandë politike në këtë kohë fushate parazgjedhore në Serbi apo për përfitime materiale. E gjithë kjo ka krijuar një situatë tepër kritike, meqë strukturat e sigurisë, sidomos KFOR-i dhe EULEX-i që janë përgjegjës për siguri në veri nuk janë në nivelin e detyrës, përderisa Policia e Kosovës në Veri më tepër është imazh sesa diçka tjetër."
Gjermania ka reaguar ndërkohë duke dërguar ushtarë të ndërhyrjes së shpejtë në Veriun e Kosovës, trupa shtesë ka dërguar edhe Austria, në Shqipëri kanë shkuar ushtarë amerikanë. Bëhet fjalë për masa thjesht parandaluese apo prisni ndonjë zhvillim të ri në Veri?
Avni Kastrati: Ajo që shihet në terren pas vrasjes së Selver Haradinajt me 8 prill në banesën e tij në zonën e “Tre rrokaqiejve”, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm, që është cilësuar si akt terrorist, është shtimi i ushtarëve të KFOR-it në lagjet me popullatë të përzier në Veri të Mitrovicës. Kjo ka qenë kërkesë e jona dhe e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje. Për këtë kemi biseduar edhe me komandantët e KFOR-it për Veriun e Kosovës, të cilët duket se e kanë marrë seriozisht situatën e krijuar. Në ndërkohë ardhja e trupave shtesë nga Gjermania dhe Austria për ne është shumë e mirëseardhur, meqë krijon një siguri më të madhe në terren. Kjo është vërejtur menjëherë pas shtimit të pranisë së KFOR-it në veri. Megjithatë ne konsiderojmë se prania e shtuar e KFOR-it nuk duhet të mbahet vetëm për këtë kohë sa zgjat fushata parazgjedhore për zgjedhjet që organizohen në Serbi me 6 maj. Nevoja është që KFOR-i të jetë vazhdimisht i pranishëm dhe të përmbush misionin që ka për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt në gjithë Kosovën. Në Veri të vendit kjo nuk ka ndodhur dhe për pasojë situata është e tillë çfarë është, ku shumë qytetarë joserbë nuk kanë liri të lëvizjes dhe qasje në pronat e tyre. Gjithashtu fakti tjetër është bllokimi i rrugëve magjistrale nëpërmjet barrikadave në veri nga strukturat ilegale serbe, të cilat sfidojnë jo vetëm KFOR-in, por gjithë bashkësinë ndërkombëtare."
Ju zoti Kastrati keni takime të shpeshta me qytetarët si në Veri ashtu edhe në Jug të Mitrovicës. Çfarë thonë konkretisht ata, si i komentojnë ata këto zhvillime dhe cilat janë kërkesat e tyre ndaj jush si pushtet lokal?
Avni Kastrati: "Qytetarët shqiptarë që jetojnë në Veri, përkundër këtyre rrethanave tepër të rënda gjatë këtyre viteve, ku ka pasur raste të shumta të vrasjeve, sulmeve të përditshme dhe frikësimit nga strukturat ilegale serbe etj. kanë treguar një pjekuri të lartë. Megjithatë ata janë tepër të shqetësuar. Jetojnë në pasiguri dhe kjo i ka frustruar. Kërkesë e tyre kryesore është krijimi i kushteve të sigurisë. Kërkojnë liri të lëvizjes dhe qasje në pronat e tyre. Poashtu edhe gjendja e tyre ekonomike është e rëndë. Ne si pushtet lokal jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta, ju ndihmojmë me ushqime dhe ndihma të tjera, që janë të pamjaftueshme, meqë ata kanë nevojë për jetë normale ku do të mund të punonin, të lëviznin lirë dhe të jetonin pa frikë."
Zoti Kastrati, pas vrasjes së një qytetari shqiptar në Veri të Mitrovicës ju u keni bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të qytetit të vetëmbrohen në rast të kërcënimit nga ekstremistët serbë. Si duhet kuptuar një deklaratë e tillë?
Avni Kastrati: "Unë nuk kam bërë thirrje për luftë. Kam bërë krejt të kundërtën. Kam kërkuar nga qytetarët që të jenë të qetë dhe gjakftohtë. I kam lutur që të jenë syçelë dhe të mos bien në provokime. Mirëpo nuk kam mundur t'u them që të mos e mbrojnë familjen e tyre nëse sulmohen atëherë kur strukturat e sigurisë nuk janë në gjendje që t'i mbrojnë."
Pas zhvillimeve të fundit a ka ndryshuar struktura e komunikimit me Prishtinën, mendoj për vijën e komunikimit Komunë-Qeveri?
Avni Kastrati: "Komunikimi ndërmjet Komunës dhe Qeverisë ka qenë dhe mbetet shumë i mirë. Me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës është mundësuar që të jetësohen shumë projekte në të mirë të qytetarëve edhe në Veri të Kosovës. Është duke vazhduar procesi i rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në Veri gjatë luftës së fundit. Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, na ka mbështetur vazhdimisht dhe është shprehur shumë i vendosur që të rriten investimet në këtë pjesë të vendit."
Zoti Kastrati, kohëve të fundit janë dëgjuar kritika për punën e Eulex-it në Kosovë. Ju si e vlerësoni punën e Eulex-it, a jeni të kënaqur me bashkëpunimin me këtë mison?
Avni Kastrati: "Vlerësimin më të mirë për EULEX-in e kanë dhënë qytetarët e veriut të Kosovës. Ata thonë se përditë shohin dy EULEX-a; një në Jug dhe një tjetër në Veri, të cilët veprojnë ndryshe prej njëri-tjetrit. Kështu thonë edhe për KFOR-in. Dhe këtë më se miri e vërteton gjendja reale në Veri dhe qasja e këtyre strukturave ndaj situatës atje, për dallim prej jugut. Në këtë kontekst nuk jemi të kënaqur fare me punën e EULEX-it në veri. Është treguar amorf dhe joefektiv. Është treguar i pafuqishëm dhe si i tillë i margjinalizuar nga strukturat ilegale serbe. Ndërsa ne kemi qenë shumë bashkëpunues dhe vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë për këtë mision, i cili duhet të përmbush detyrën për çka është këtu."
Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi