KE Shqipërisë: Progres në reforma, korrupsioni ende problem
7 Tetor 2020Lajmi i mirë vjen nga komisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi. Ai e dha këtë lajm kur paraqiti në Bruksel, të martën ( 06.10) raportin vjetor për progresin në zbatimin e reformave themelore në vendet e Ballkanit Perëndimor, Paketën Vjetore të Zgjerimit dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Balllkanin Perëndimor, 2021-2027. "Shqipëria ka bërë tashmë një përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së kushteve të vendosura nga Këshilli Europian lidhur me konferencën e parë ndërqeveritare, ” tha të martën komisioneri Várhelyi
Vendimin e Këshillit Europian në Mars të këtij viti për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, komisioneri Várhelyi, e sheh të lidhur me metodologjinë e re të zgjerimit. "KE ka përforcuar politikën e zgjerimit në tri pista: metodologjinë që ꞔoi në vendimin e shteteve anëtare për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë që tregon mbajtjen e premtimeve nga BE; angazhimin e vendeve partnere në BP për reforma të mëtejshme; mbështetjen për rimëkëmbjen ekonomike dhe konvergjencën e rajonit me BE, me anë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve, që KE sapo ka miratuar," theksoi Várhelyi.
Mesatarisht e përgatitur
Raporti e quan "politikën e besueshme të zgjerimit një investim gjeostrategjik për paqe, siguri dhe rritje ekonomike në gjithë Evropën, aq më tepër në kohën e rritjes së sfidave dhe ndarjeve globale”. "Perspektiva e vendosur dhe e bazuar në meritat e anëtarësimit të plotë të BP në BE është në vetë interesin politik, të sigurisë dhe ekonomisë të BE”, theksohet në raport.
Për Shqipërinë dhe Maqedonisë e Veriut, KE pret që konferencat e para ndërqeveritare të mblidhen sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizave negociuese nga Këshilli Europian. Komisioni i BE-së (KE) e vlerëson Shqipërinë të jetë mesatarisht e përgatitur për reformën e administratës së saj publike dhe sistemin gjyqësor. "Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të prodhojë rezultate të prekshme, duke përmbushur kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Deri tani janë përpunuar më shumë se 286 dosje, duke çuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara apo dorëheqje,” vë në dukje raporti i KE.
Komisioneri Olivér Várhelyi, e kushtëzoi hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Niveli i përgatitjes së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit cilësohet ”i një farë niveli” dhe progresi "i mirë.” "Dënimet përfundimtare për zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara. Organet e specializuara antikorrupsion të sapothemeluara (SPAK dhe Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) pritet ta forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Në përgjithësi, korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz, ” konstaton KE në raportin e tij.
Lufta kundër krimit të organizuar
Një kusht tjetër i plotësuar nga Shqipëria për konferencën e parë ndërqevetitare të BE është lufta kundër krimit të organizuar, ku ajo ka "një farë përparimi,” vërehet në raport. "Përpjekjet duhet të vazhdojnë për të siguruar rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, si dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive që burojnë nga krime e pasuri të tjera të pajustifikuara,” rekomandon KE.
Lidhur me të drejtat themelore të njeriut raporti i KE konstaton që Shqipëria është në përputhje me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka zhvilluar kuadrin e saj ligjor në përputhje me standardet evropiane. Por për të drejtën e pronës, raporti i KE rekomandon që "të vazhdojnë përpjekjet për të çuar përpara procesin e regjistrimit dhe kompensimit të pronës”.
Me "një farë përgatitjeje e vlerëson raporti Shqipërisë edhe për të drejtën e shprehjes. Lidhur me paketën ligjore "Anti shpifje” raporti konstaton që "ndryshimet ligjore nuk janë në lartësinë e standardeve ndërkombëtare dhe parimeve të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime për rritjen e censurës dhe autocensurës dhe pengesat e mundshme ndaj lirisë së shprehjes në vend”. Raporti vëren që kjo paketë ligjore është duke u ripunuar nga maxhoranca qeverisëse sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Lidhur me plotësimin e kritereve ekonomike KE konstaton që Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për ekonominë funksionale të tregut. "Ende nuk e ka përmirësuar sigurinë ligjore për biznesin. Pandemia COVID-19 i ka përkeqësuar dobësitë strukturore dhe rënia ekonomike e shkaktuar prej saj ka eliminuar disa nga arritjet”, vëren KE.