1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Keqpërdoret flamuri evropian për miratimin e ligjeve në MV?

12 Maj 2023

Të detyruar nga opozita apo se po "vjedh" qeveria? Qeveria e Maqedonisë së Veriut përdor "yllin evropian" për të përshpejtuar miratimin e disa ligjeve, por opozita e quan këtë hap abuzim të qartë.

https://p.dw.com/p/4RF6S
Parlamenti në Shkup
Fotografi: Kabinett des Präsidenten von Nord-Mazedonien

Opozita maqedonase përmes grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së i ka dërguar letër Parlamentit Europian duke e informuar atë se qeveria abuzon me flamurin europian gjatë miratimit të ligjeve me procedurë të shpejtuar në Parlament. Bëhet fjalë për dhjetë ligje, të cilat janë bllokuar prej një muaji nga opozita për shkak të akuzave për korrupsion, zgjidhjeve antiligjore dhe marrëveshjes së dëmshme me konsorciumin amerikano-turk "Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradave  në kuadër të korridoreve 8 dhe 10. Me qëllim zhbllokimin e këtyre ligjeve, qeveria ka vendosur që ato të miratohen me procedurë të shpejtuar, apo siç njihen ndryshe me "yll evropian”. Kjo formë e miratimit të ligjeve praktikohet kur është fjala për zgjidhjet ligjore që kanë të bëjnë me agjendën evropiane, apo harmonizimin e dispozitave ligjore me ato të Bashkimit Evropian.

Mickovski: Qeveria po justifikon krimin përmes flamurit evropian

Opozita thotë se qeveria po abuzon "flamurin evropian” për të justifikuar krimet e saj në ndërtimin e autostradave në kuadër të korridorit 8 dhe 10. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pret reagim të shpejtë nga Brukseli. "Qeveria po e vendos ‘yllin evropian' për ndryshimet ligjore që nuk kanë lidhje me vlerat evropiane. Kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se gojën e ka përplot me integrim evropian kur do të vjedhë nga qytetarët. Ky është kulmi i hipokrizisë së tyre. Ndryshimet në ligjetqë kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve nuk kanë asgjë të përbashkët as me integrimin evropian, as me legjislacionin evropian, as me parimet evropiane”, vlerson kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Hristijan Mickoski
Hristijan Mickoski Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Të mendimit se ka keqpërdorim të flamurit të BE-së janë edhe disa nga deputetët e shumicës parlamentare.Deputetja e Ripërtëritjes Demokratike të Maqedonisë, Maja Moraçanin dhe deputeti i VMRO-Popullore, Lupço Ballkovski votuan kundër nevojës së këtyre ligjeve. "Definitivisht nuk bëhet harmonizim i rregullativës ligjore me legjislaturën evropiane dhe ky është qëllimi kur ndonjë ligji i vendoset yll i BE-së, atëherë ky ligj duhet të harmonizohet. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për këtë prandaj këto pesë propozime nuk duhet të shqyrtohen me këtë procedurë”, vlerson Maja Moraçanin.

Grubi: Bëhet fjalë për korridore evropiane andaj kemi përdor flamurin evropian

Qeveria maqedonaseveriore kundërpërgjigjet duke theksuar, se ishin të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë për shkak të bllokadave të opozitës në miratimin e ligjeve, pa të cilat nuk mund të nisin punimet për ndërtimin e autostradave në vlerë prej 1.3 miliardë eurosh. Zëvendëskryeministri, Artan Grubi tha se nuk qëndrojnë pretendimet e opozitës për shkeljen e procedurës së miratimit të ligjeve me yllin evropian. "Duke pasur parasysh faktin që BE-ja e ka shtuar Korridorin 8 në hartën e korridoreve evropiane, si dhe rëndësinë e tij gjeostrategjike, së bashku me Korridorin 10 dhe pjesën e Korridorit 10-D, vendosëm që ligjet t'i propozojmë nën flamurin evropian”, deklaroi Grubi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski
Kryeministri Dimitar Kovaçevski Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Gir: Kur përdoret flamuri evropian-nuk tolerohet keqëpërdorimi

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Gir thotë se flamuri evropian është vënë në dispozicion për të shmangur procedurat e stërzgjatura kur shtetet bëjnë harmonizimin e ligjeve me dispozitat e Bashkimit Evropian. Ai vlerëson se në rastin e ligjeve për korridoret nuk po bëhet harmonizim me dispozitat e BE-së, andaj edhe flamuri evropian nuk e ka vendin tek ato ligje. "Flamuri Evropian është vënë në dispozicion, sepse shumë shtete në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, duhet të harmonizojnë mijëra e mijëra legjislacione dhe kjo merr një kohë shumë të madhe në parlament. Për këtë arsye kemi vënë sistemin e flamurit evropian. Kjo është kur harmonizoni legjislacionin tuaj me atë të BE-së. Ajo që nuk mund të bëni është të përdorni flamurin evropian, kur keni procedura që s'kanë të bëjnë me harmonizimin e ligjeve dhe e gjitha kjo vetëm sepse keni probleme procedurale në parlament”, ka deklaruar David Gir, ambasador i BE-së.

Analisti, Bojan Kordalov thotë se qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të ketë një plan të qartë të veprimit dhe jo propozimet t'i dërgojë për miratim varësisht agjendave politike. "Çdo qeveri në fillim të vitit duhet të tregojë, se cilat ligje do t'i miratojë me procedurë të shkurtuar apo me ‘yllin evropian'. Veç kësaj ajo duhet të sqarojë para opinionit, se çfarë nënkupton ‘ylli evropian' kur vendoset dhe cili është roli i tij”, thotë Kordalov.
Në dy raportet e fundit të Komisionit Evropian për vendin përmendet nevoja e përdorimit të këtij mekanizmi ekskluzivisht dhe vetëm për ligjet që kanë të bëjnë me BE-në. Në dhjetë vitet e fundit rreth 250 ligje janë miratuar me yll të Bashkimit Evropian, procedurë kjo që shkurton debatin në kuvend në vetëm dy ditë.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut