Kerry i premton ndihmë opozitës siriane
9 Maj 2014Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i ka premtuar ndihma të tjera opozitës siriane. SHBA do të qëndrojë edhe më tej në krah të opozitës siriane, i tha Kerry presidentit të Koalicionit Kombëtar sirian (SOC), Ahmed el-Dscharba. Dscharba po qëndron në vizitën e tij të parë zyrtare në Uashington.
SHBA e kanë rivlerësuar së fundi koalicionin SOC në aspektin diplomatik. Grupimi është një fraksion "gjithëpërfshirës dhe i moderuar" në luftën kundër regjimit në Damask, vlerësoi Kerry. Sipas Departamentit të Shtetit, SOC do të ketë në të ardhmen edhe një mision të huaj në Uashington.
Dëshira për armatim
Al-Dscharba falënderoi Kerry-n për mbështetjen amerikane në "luftën e popullit sirian për liri e demokraci, kundër padrejtësisë, shtypjes dhe diktaturës së presidentit sirian Bashar al-Asad". Presidenti i SOC po shoqërohet gjatë vizitës së tij tetëditore në SHBA nga shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA), Abdel Ilah al-Bashir.
Sipas një raporti në "New York Times" al-Dscharba ka kërkuar nga SHBA-të gjithashtu edhe raketa anti-ajrore. Presidenti i SOC i ka premtuar palës amerikane se raketat nuk do të bien në duar të gabuara. Deri më tani vlen vendimi që SHBA-të ofrojnë vetëm pajisje "jo-vdekjeprurëse" dhe ato vetëm për kryengritësit që konsiderohen si të moderuar. Në këtë pikë nuk ka ndryshuar asgjë, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme amerikane, Jennifer Psaki.