1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mungesë vizionesh

Frank Sieren
18 Prill 2019

Me "Rrugën e re të Mëndafshit", Pekini ka nxitur optimizmin në vendet e varfëra të Europës Lindore, gjë të cilës Brukseli nuk ka çfarë t'i bëjë, mendon Frank Sieren.

https://p.dw.com/p/3H0AZ
Lettland 5. Gipfel von Regierungschefs zentral- und osteuropäischen Länder und China
Fotografi: picture alliance/dpa/V. Kalnina

Brukseli nuk e sheh me sy të mirë: Pas lëshimit të një deklarate të përbashkët sipërfaqësore me Pekinin në takimin e nivelit të lartë BE- Kinë, kryeministri kinez Li Keqiang shkoi në Kroaci për të hapur në Dubrovnik takimin e nivelit të lartë 16+1.

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga Kina dhe Europa Qendrore dhe Juglindore u konsultuan atje dy ditë me radhë për kontrata të përbashkëta ekonomike, pa Brukselin. Kina do që ta kthejë Europën Lindore në urë lidhëse midis Kinës dhe tregjeve të Europës Qendrore në projektin e saj për "Rrugën e re të mëndafshit". Nisma kineze është joshëse sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, infrastruktura e shkatërruar e të cilave ka shumë nevojë. Në takimin e fundit të nivelit të lartë, bashkësisë 16+1 iu bashkangjit edhe Greqia, e cila deri tani ka pasur status vëzhguesi. Në muajin mars, Italia u bë vendi i parë i industrializuar europian që iu bashkua Rrugës së Mëndafshit, megjithë protesat e bëra nga Brukseli. Gjithsej 15 nga 28 vendet anëtare të BE marrin pjesë në një mënyrë ose në një tjetër në nismën kineze për Rrugën e Mëndafshit, duke qenë kështu shumica e vendeve të BE.

Kroatischer Premierministar Andrej Plenkovic und chinesischer Premierminister Li Keqiang in Dubrovnik
Samiti 16+1 në DubrovnikFotografi: Vlada RH

Provokime në oborrin pas shtëpisë

Për Brukselin takimi i nivelit të lartë i grupit 16+1, të krijuar në vitin 2012 është një provokim në oborrin e shtëpisë së vet. 12 anëtarë janë shtete të BE, vetëm 5 janë jo anëtarë. Brukseli trembet se me këto vende Pekini blen përkrahësit e vet duke penguar kështu prezantimin e një Europe të Bashkuar. Kryeministri Li, nuk pranon që Kina të ketë plane për të përçarë BE-në. Kina as që ka nevojë ta bëjë këtë, sepse kjo ka kohë që ka ndodhur.

Sidomos ato vende që ndihen si europianë të klasës së dytë, e shohin Kinën si partnere të ngushtë. Që në vitin 2007, Kina ka investuar mbi 29 miliardë dollarë në projektet e mëdha të ndërtimit në Europën Lindore. Më shumë nga të gjitha vendet ka përfituar Serbia, ku janë derdhur më shumë se 10 miliardë dollarë. Pas saj vjen Hungaria me gati 4 miliardë dollarë, e ndjekur nga Polonia me 3 miliardë dhe Rumania me 2,5 miliardë dollarë.

Gjendja juridike europiane i intereson Pekinit vetëm kur ajo kthehet papritur në pengesë për investimet. Por kjo nuk ndodh shpesh. Brukseli ankohet shumë për mënyrën se si sillet Kina: Tenderat e projekteve kineze në fushën e ndërtimit nuk bëhen në mënyrë transparente dhe ato favorizojnë korrupsionin. KIna punëson vetëm punëtorë të vetë dhe vë në punë firmat e veta, në vend që të ndihmojë ekonominë lokale që të zhvillohet.

Griechischer Premierminister Alexis Tsipras
Kryeministri grek në 16+1 DubrovnikFotografi: Vlada RH

Brukseli thotë se kreditë e mëdha do të fusin në borxhe tek Kina vendet e varfëra të BE duke i bërë ato të varura. Edhe standartet për mbrojtjen e ambientit nuk respektohen nga firmat kineze. Që Kina të hapë tregun e saj edhe për firmat europiane, është po ashtu një kërkesë. Të gjitha këto rezerva kanë pasur si pasojë vetëm një deklaratë të paqartë të Pekinit, që tregon për qëllimet e veta, së fundmi në takimin e nivelit të lartë BE- Kinë që u mbajt në Bruksel në fillim të muajit dhe u festua si koncension i madh, por në fund nuk solli asgjë vërtet të detyrueshme.

BE pa alternativa të veta

Brukeli i bëri qejfin vetes duke menduar se më në fund u gjet një gjuhë e ashpër kundër Kinës. Pekini premtoi se do të përmirësohej, por vazhdon të përdorë përçarjet në BE për të gjetur boshllëqet që të lidhë me vendet e veçanta të BE kontrata bilaterale dhe për t'i vënë vendet e BE kundër njërit tjetrit. Kështu për shembull Enti shtetëror kroat për digjitalizimin nënshkroi një deklaratë për planet që të bashkëpunojë me Huawei-n dhe të bëjë kërkime të përbashkëta me Kinën për inteligjencën artificiale dhe ndërtimin e rrjetit 5G. Polonia është kundër pjesëmarrjes së Huawei-t në ndërtimin e rrjetit 5G. Hungaria i qëndron bashkëpunimit të vendosur, Çekia dhe Rumania nuk janë shprehur ende. BE nuk ofron dot alternativë të vetën, sepse në fushën studimore dhe në zhvillim është mbrapa në arenën ndërkombëtare.

Bulgarien 16+1 Treffen
Kryeministri bullgar në Dubrovnik.Fotografi: BGNES

Brukseli ka propozuar nismën e vet si ajo e Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, por suksesi më i madh i arritur në takimin e fundit në fillim të muajit prill ishte rënia dakord që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor Shqipëria, Bosnje- Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia të heqin deri në vitin 2021 tarifat roaming midis njëri tjetrit. Por Pekini ka më shumë para në dorë për Europën Lindore dhe nuk vendos shumë kushte për dhënien e tyre. Kinezët godasin me armët që u kemi dhënë vetë. A nuk u kemi thënë vetë sa e rëndësishme është konkurenca? Nëse Brukseli nuk i lejon vendet e varfëra të Europës të bashkëpunojnë me Kinën, për shumë qeveri do të dukej sikur BE u pengon të ardhmen. Kësaj i shtohet fakti që Pekini ofron madje një vizion për të ardhmen dhe i bën planet në përputhje me të. Megjithëse shumë projekte të "Rrugës së re të Mëndafshit", do të paguhen pas 50 ose më shumë vitesh, rezultatet e investimeve të Pekinit në formën e projekteve gjigande shihen në shumë vende të Europës Lindore, duke ngritur ura, rrugë, qendra kulturore, renovuar fabrikat që janë shkatërruar prej kohësh. Kjo krijon atmosferë optimizmi. Vizioni i një Europe të bashkuar ka pasur dikur fuqi nxitëse, por nuk ka më lidhje me realitetin, e paralizuar dhe ngecur në burokraci dhe ndjeshmërinë e vendeve të veçanta si Britania e Madhe. Pekini ka një strategji të madhe. Brukseli është bllokuar.

Autori Frank Sieren jeton prej 20 vitesh në Peking.