Surprizë: Kina fituesja e madhe e Berlinales 2014
16 Shkurt 2014Askush nuk e kishte pritur që filmi kinez "Bai Ri Yan Huo" (Qymyr i zi, Akull i hollë) do të ishte fituesi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Filmi i regjisorit Diao Yinan u nderua me Ariun e Artë. Aktori kryesor Liao Fan fitoi edhe një Ari të Argjendtë për rolin e tij të ish-policit Zhang.
"Bai Ri Yan Huo" (Qymyr i zi, Akull i hollë) ishte një nga tre filmat kinezë të prezantuar në garën e këtij viti në Berlinale. Një dëshmi e qartë e forcimit të kinemasë ambicioze në Kinë është edhe Ariu i Argjendtë për xhirimin më të mirë, me të cilën u nderua kameramani kinez Zeng Jian. Ai u nderua për pamjet në dramën "Tui Na" (Masazh i Verbër) të Lou Ye, në të cilin tregohet për punonjësit e verbër apo me probleme shikimi në një sallon masazhi mjekësor.
Favoritët që mbetën pas
Filmi "Boyhood" i regjisorit amerikan Richard Linklater, ishte filmi i preferuar si i spektatorëve edhe i kritikëve. Për këtë projekt filmi artistik unik regjisori ka mbledhur për më shumë se një dekadë rresht çdo vit zë njëjtit interpretues përpara kamerës për të bërë të dukshëm se si rrjedhin vitet dhe kalon koha. Megjithatë në Berlin u nderua vetëm me një Ari të Argjendtë për regjisorin Linklater. Filmi i lavdëruar shumë nga kritikët "71" i regjisorit Yann Demange që trajton një dramë nga Irlanda e Veriut nuk fitoi asnjë çmim.
Me Çmimin e Madh të Jurisë u nderua filmi që hapi festivalin ndërkombëtar të filmit të këtij viti në Berlin, "Grand Hotel Budapest" i regjisorit Wes Anderson. Japonezja 23-vjeçare Haru Kuroki u nderuar për rolin e shërbëtores në filmin "Chiisai Ouchi" (Shtëpia e vogël) me një Ari të Argjendtë. Kurse veterani francez i kinematografisë Alain Resnais u nderua për komedinë e tij "Aimer, Boire et Chanter" (Dashuro, Pi dhe Këndo) me çmimin Alfred Bauer, me të cilin nderohetn filma artistikë që hapin perspektiva të reja. Një nderim i madh ky për një 91-vjeçar.
Po tjetër?
Gjermania konkuroi në Berlinale me katër filma. Anna dhe Dietrich Bruggemann, motër e vëlla, u nderuan me një Ari të Argjendtë për skenarin e tyre të dramës psikologjike "Rruga e Kryqit".
Berlinalja 2014 përfundoi me një bilanc të kënaqshëm. Me 330.000 bileta të shitura u vendos një rekord i ri. Por edhe elementët e tjerë ishin të kënaqshëm. Shumë yje magjepsës nga Hollivudi, filma emocionues me tema shoqërore dhe mjaft argëtim - 10 ditë të suksesshme kushtuar tërësisht filmit.