1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Forcat radikale përfitojnë nga lufta në Gaza

Naser Schruf11 Korrik 2014

Zëra të arsyes dëgjohen gjithnjë e më pak. Kjo në një kohë kur shkallëzimi i dhunës midis Izraelit dhe palestinezëve kërcënon të forcojë forcat radikale në të gjithë rajonin, mendon Naser Schruf..

https://p.dw.com/p/1CaSa
Israel Palästina Konflikt Unruhen
Fotografi: Reuters

Kush nuk do t'i kuptonte vuajtjet e prindërve të tri izraelitëve të rinj të vrarë dhe të adoleshentit palestinez që e dogjën të gjallë pas kësaj? Por hakmarrja dhe shpagimi kolektiv nuk janë përgjigjet e duhura për veprat e ekstremistëve të verbuar nga ideologjia.

As sulmet nga ajri, as ofensiva e ushtrisë izraelite nuk do të sjellë paqe dhe siguri në Vendin e Shenjtë. Izraeli u përpoq ta bënte këtë që në fillim të 2009-ës, kur trupat e tij marshuan në kuadër të ofensivës ushtarake "Plumbi i derdhur" në Rripin e Gazës. Por tri javë më pas u detyrua të tërhiqet për shkak të presionit të madh ndërkombëtar. Rezultati qe tronditës: më shumë se 1500 viktima vetëm në anën palestineze - dhe një përmasë shkatërrimi, e cila nuk është eleminuar deri sot.

Radikalizim në të gjithë rajonin

Me çdo raketë të hedhur, pavarësisht nga cila palë, do të shtohen radikalizimi dhe gatishmëria për dhunë. Nga kjo përfitojnë organizatat ekstremiste dhe terroriste në të gjithë rajonin. Grupe si xhihadistët e "ISIS" me "Kalifatin" e shpallur prej tyre e konsiderojnë që tani veten si fitimtarët e vërtetë të revolucioneve arabe. Ata janë kudo të pranishëm, vetëm pak kilometra larg Gazës. Grupet radikale kanë kohë që fërkojnë duart. Sepse për rekrutimin e xhihadistëve të rinj të gatshëm për dhunë sipas përvojës nuk ka gjë më të përshtatshme se një konflikt i armatosur me Izraelin, i shoqëruar në rrjetet sociale dhe në televizionet panarabe me fotografi të grave dhe të fëmijëve të vrarë.

Israel Palästina Konflikt Unruhen
Fotografi: Reuters

Për fat të keq, gjendja e palestinezëve është kaq dëshpëruese, sa zërat e arsyes dëgjohen gjithnjë e më pak. Zgjerimi sistematik i kolonive në zonat palestineze bën pjesë në shkaqet, njësoj si arrestimet masive, forcimi i ithtarëve të vijës së fortë në politikën izraelite. Zërat e moderuar si presidenti palestinez, Mahmud Abas dobësohen në këtë mënyrë sistematikisht, kurse ekstremistët në të gjithë rajonin përfitojnë.

Thirrje nga Perëndimi

Po Perëndimi? Nga bota e jashtme vijnë vetëm thirrje të pashpresa. BE dhe SHBA paralajmërojnë për një përshkallëzim të ri dhe kërkojnë nga palët e konfliktit që të tregohen të përmbajtura. Këtë e kemi dëgjuar njëmijë herë. Tani nuk ka rrugëzgjidhje tjetër: palestinezët dhe izraelitët duhet të sillen sa më shpejt sërish në tryezën e negociatave. Dhe duhet ushtruar presion njësoj, ndaj të dyja palëve.