Milorad Dodik nuk lufton Coronën, por Bosnjë-Hercegovinën
22 Mars 2020Tani ajo është prezente kudo – pandemia botërore e Coronës. Menjëherë tema shumë të rëndësishme kanë kaluar në plan të dytë, shtetet e botës kanë filluar luftën kundër një virusi në përhapje gjithnjë e më të shpejtë. Në këtë kohë liderët politikë në vendet e Europës veprojnë në mënyra të ndryshme. Në BE si edhe në Ballkan. Një palë e kupton, se tani bëhet fjalë për njerëzit, dhe jo për vetë ata. Të tjerë vazhdojnë t'i bien po atij fyelli si më parë dhe krenohen me masat e veta kundër Coronës, në vend që të evaluojnë dijen aktuale mbi virusin dhe mbi këtë bazë të bëjnë korrigjimet e nevojshme të masave që duhen zbatuar sa më shpejt.
Mes politikanëve të Bosnjë-Hercegovinës, rregullisht të paaftë për ndonjë ujdi po zhvillohet përballë sfidës së pandemisë një gatishmëri e habitshme për kthim në bashkëpunim mes dy njësive administrative të entiteteve të Republikës Srpska dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Megjithatë gjendja në të gjithë Bosnjen mbetet problematike.
Bashkëpunim vetëm për pandeminë
Për shkak të Coronës u takuan për herë të parë së bashku politikanët drejtues në Republikën Srpska dhe Federatën e Bosnjë-Hercegovinës pas 13 muajsh bllokade të krjimit dhe bllokimit të qeverisë së përgjithshme të Bosnjes. Ata u konsultuan për masa të menjëhershme dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare. Madje edhe Milorad Dodik, anëtar i presidencës treanëtarëshe të të gjithë Bosnjes dhe përkrahës i idesë së shpërbërjes së këtij shteti, hoqi dorë nga bllokada e zakonshme e institucioneve të përbashkëta, por vetëm në lidhje me pandeminë. Bllokimi i institucioneve shtetërore do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
Gjendja në Bosnje vazhdon pra të mbetet problematike. Politikanë të papërgjegjshëm vazhdojnë ende të minojnë aftësinë funksionuese të shtetit boshnjak. Le të kujtojmë: Në shkurt Gjykata Kushtetuese boshnjake dha vendimin, se jo etnitetet, por shteti i përbashkët lejohet të zotërojë prona agrare. Më parë parlamenti i Republikës Srpska kishte miratuar një ligj, që pikërisht këto toka ia jepte etnitetit serb. Milorad Dodik e refuzoi vendimin. Ai bllokon që nga publikimi i vendimit bashkëpunimin me institucionet e shtetit të përgjithshëm boshnjak, me qëllim ndryshimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese - e me këtë të mundësojë një ligj të ri, ndryshe.
Deri më tani në Gjykatën Kushtetuese boshnjake krahas dy boshnjakëve, dy serbëve dhe dy kroatëve janë pjesë edhe tre gjykatës ndërkombëtarë, që zgjidhen nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pak kohë më parë gjykatësja gjermane, Prof. Angelika Nussberger, ish-zëvendëspresidente e kësaj gjykate u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese të B-H. Këtë përbërje kërkon të ndryshojë Dodik, e të nxjerrë nga funksioni të vetmin institucion funksionues të pavarur të të gjithë shtetit boshnjak.
B-H nuk do të përfitojë dot nga ndihmat e BE
Në kulmin e krizës së Coronës, Dodik kërkon të bëjë një puç të hapur shtetëror: Bosnja duhet të zhduket, me qëllim, që ai i vetëm të sundojë në një Republikë Srpska të pavarur. Në BE për shkak të pandemisë është rritur gatishmëria për të mbështetur financiarisht sistemet shëndetësore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Europian kërkon përmes fondit të solidaritetit t'u ofrojë ndihmë jo vetëm vendeve anëtare, por edhe vendeve kandidate si Mali i Zi, Serbia, dhe Turqia (të treja vendet kanë hapur bisedimet e anëtarësimit me BE, shën red.)
Kjo nuk i vjen në ndihmë B-H. Tonino Picula, socialdemokrat, ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë dhe eurodeputet, propozoi në Parlamentin Europian që mjetet financiare që nuk përdoren t'i vijnë në ndihmë pa burokraci edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor si Kosovës, Shqipërisë, B-H dhe Maqedonisë së Veriut. Por për shkak se qeveria e përgjithshme për shkak të bllokadës së Dodikut nuk ka miratuar deri më sot buxhetin, ky vend nuk mund të pretendojë për ndihmat financiare nga BE.
Edhe në një situatë të jashtëzakonshme, Milorad Dodik vë interesat e tij etnike-nacionale hapur mbi interesin urgjent të qytetareve e qytetarëve të B-H. Ai nuk kërkon të sigurojë vetëm kufijtë e jashtëm boshnjakë, por edhe kufirin e brendshëm të etnitetit përmes policisë së Republikës Srpska, - një shkelje e qartë kushtetuese, sepse sipas Marrëveshjes së Dejtonit nuk ka kufij mes etniteteve boshnjake, por vetëm „boundary lines" - vija ndarëse. Dodik nuk humb kohë as në ditë krize të ndjekë qëllimet e tij.
Bosnjë-Hercegovina e ka humbur ndërkohë aftësinë funksionuese si një shtet i përbashkët. Nga brenda ky vend nuk mund të mbrohet më nga kolapsi. Vetëm ndihma nga jashtë mund ta shpëtojë. Për shkak të pandemisë së Coronës, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të japë vetëm ndihmë mjekësore, por edhe ndihmë të menjëhershme financiare. Kjo për të forcuar unitetin e vendit, mënjanuar konfliktet potenciale e për të penguar një shpërbërje të plotë të Bosnjes.
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë nga viti 1982 deri në vitin 1992 ministër federal i Postës dhe Telekomunikacionit. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes, ai e dorëzoi postin. Në vitin 2006/2007 ka qenë dy vite Përfaqësues i Lartë i BE për Bosnje-Hercegovinën.