Ideologji apo pragmatizëm?
10 Prill 2015Presidenti i SHBA, Barack Obama dhe homologu i tij kuban, Raul Castro do të takohen në Panama, do të flasin me njëri-tjetrin, do t'i japin dorën njëri-tjetrit. Ky moment është planifikuar si pikë kulmore e takimit të nivelit të lartë, dhe vetëm ky moment do të meritonte vlerësimin "historik". Marrëdhëniet diplomatike midis SHBA dhe Kubës u ndërprenë në vitin 1961, në vitin kur në Gjermani u ndërtua Muri i Berlinit; një vit më vonë u ngri anëtarësia e Kubës në OAS. Që Kuba komuniste, pa bërë asnjë lëshim, tani ndodhet sërish në këtë organizatë, me shpresë heqjen e embargos nga SHBA, mund të kuptohet si fitore e ideologjisë. Ose si pragmatizëm i një presidenti të SHBA, i cili për zbatimin e planeve të tij duhet bindë ende disa ideologë në kongres.
Politika e afrimit është logjike
Obama e ka kuptuar se koha më shumë se 50 vjeçare e akullt në nuk ka sjellë asnjë kthesë pozitive në Kubë, por e ka rënduar gjithnjë e më shumë imazhin e SHBA në Amerikën Latine. Njëkohësisht, Kina dhe Rusia angazhohen gjithnjë e më fort dhe kanë fituar ndikim në shumë shtete të rajonit. Në këtë sfond, politika e afrimit e Obamas është vetëm logjike, aq më tepër në një kohë kur mund të mohohet rrënimi ekonomik i Venezuelës. Ky shtet, i cili nën qeverinë e tij populiste të majtë u kthye në kryesuesin e kritikave ndaj SHBA, nuk e përballon dot më diplomacinë e naftës. Në këtë situatë, para së gjithash Kuba duhet të kërkojë donatorë të rinj - dhe këtu mbyllet edhe qarku i pragmatizmit, i cili nuk është i huaj edhe për komunistët kubanë.
Presidenti i SHBA ka nevojë për suksesin në këtë takim të nivelit të lartë. Meqenëse edhe pjesa dërrmuese e shteteve të Amerikës Latine e do këtë sukses, shanset janë të mira. Regjimi kubanez duket që tani si fitimtar i takimit, megjithëse deri tani nuk ka bërë asnjë lëshim në çështjen e të drejtave të njeriut. Kjo e shqetëson opozitën në Kubë dhe në mërgim dhe i revolton skifterët në Uashington. Megjithatë ka shkak për shpresë, se në plan afatgjatë, ata që do të fitojnë do të jenë njerëzit në Kubë.
Miratimi i aktit përfundimtar të KSBE në Helsinki, këtë verë mbush dyzet vjet. Një vështrim në diskutimin e atëhershëm ia vlen: kundërshtarët e marrëveshjes panë atëherë një sukses të njëanshëm të bllokut lindor, i cili në këmbim të pohimeve gojore për të drejtat e njeriut siguroi lehtësi ekonomike. Do të dëshiroja që edhe këtë herë, historia t'i japë të drejtë pragmatizmit, sepse do të mundte me këtë ideologët në të dyja krahët.
Vendimi midis ideologjisë dhe pragmatizmit do të jetë vendimtar edhe për të ardhmen e OAS: me Kubën ajo mund të kthehet në një organizatë të vërtetë panamerikane, e cila që nga Alaska, në Tokën e Zjarrtë do të bashkojë më në fund një kontinent të tërë në shkëmbim paqësor.