1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo fund për kursimet në Greqi

Spiros Moskovou27 Maj 2014

A e rrezikon fitorja e së majtës konsolidimin e financave publike greke? Jo, mendon Spiros Moskovou.

https://p.dw.com/p/1C7KS
Fotografi: DW

Aleksis Tsipras e di se si të mund të nxjerrë kapital politik nga zemërimi i shumë votuesve. Rikuperimi i mundimshëm i ekonomisë greke çoi në varfërimin e shtresave të gjera të popullsisë dhe një papunësi rekord në vend. Shumë grekë e dhanë votën e tyre në formë proteste në zgjedhjet evropiane që u mbajtëm pas zgjedhjeve kombëtare të vitit 2012. Por kjo është kryesisht një protestë kundër politikës së kursimit të qeverisë dhe jo një refuzim i Evropës, e cila nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore.

Pyetja tani është se çfarë do të bëjë Tsipras me këtë potencial proteste. Koalicioni i të majtëve radikalë Syriza votoi në kongresin e fundit me shumicë që Greqia të qëndrojë në zonën e euros - pavarësisht nga një fraksion i fortë anti-evropian brenda partisë. Në të njëjtën kohë Tsipras përhap mesazhin: "Jo më sakrifica për euron." Kontradikta është e qartë, por ajo duhet të shpjegohet në kontekstin e politikës greke: Syriza po zhvillon një dinamikë që do ta çojë aleancën e majtë një ditë në pushtet, ose të paktën në pjesëmarrje në pushtet. Ajo përfiton nga zhgënjimi i shumë votuesve - por prej kësaj nuk lind ndonjë program i veçantë qeveritar.

Nuk duhet të harrojmë se edhe kryeministri i sotëm konservator Antonis Samaras ishte kundër masave të kursimit kur ishte ende në opozitë. Por si drejtues i koalicionit qeveritar - në të cilin bëjnë pjesë partia konservatore Demokracia e Re dhe PASOK-u socialist - ai është sot një mbrojtës i paepur e konsolidimit të financave greke, sikurse dëshirojnë donatorët ndërkombëtarë. Me fjalë të tjera deri sa Tsipras të vijë në një ditë jo shumë të largët në pushtet, ai gjithashtu do të jetë mësuar me politikën dhe do të jetë zbutur.

Drama e vërtetë e zgjedhjeve evropiane në Greqi është suksesi i partisë ultra të djathtë dhe raciste Agimi i Artë, e cila renditet e treta për nga votat. Është mjaft shqetësues fakti që një parti, udhëheqja e së cilës klasifikohet nga drejtësia si një "organizatë kriminale" dhe është pjesërisht në burg, mund të mobilizojë kaq shumë votues. Nëse partitë tradicionale nuk do të merren publikisht dhe në mënyrë sistematike me idetë dhe pikëpamjet e Agimit të Artë, kjo parti do të bëhet pjesë përbërëse e sistemit partiak grek.