Koment: Luftë fetare në Lindjen e Mesme?
23 Nëntor 2014Për ta bërë të qartë në fillim: Për një masakër ndaj besimtarëve të pambrojtur në një sinagogë nuk ka asnjë justifikim. Ajo duhet dënuar në mënyrën më të ashpër, sepse është barbare, e neveritshme dhe e pakuptimtë. Ky akt i përgjakshëm shënon një pikë kulmore, të panjohur deri më tani në një seri atentatesh që po e trondisin Jeruzalemin prej disa javësh, e që nga disa vëzhgues po trajtohen si "intifadë individuale". "Ky individualizim i luftës" i jep këtij konflikti territorial në dukje të pazgjidhshëm një dimension të ri të rrezikshëm. Jo vetëm për arsye sigurie teknike, praktikisht nga një terror i tillë nuk mund të mbrohesh, por edhe për një fakt tjetër, që një zhvillim i tillë nga të dyja palët nuk mund të kontrollohet më politikisht. Me këtë duket se po shkatërrohen për disa dhjetëravjeçarë bazat për një bashkëjetesë paqësore mes Izraelit dhe palestinezëve.
Pasoja afatgjata të rrezikshme për konfliktin e Lindjes së Mesme
Akoma më të rrezikshme duken pasojat afatgjata të kësaj dhune të shfrenuar: pra sakralizimi i plotë i konfliktit të Lindjes së Mesme. Kjo do ta bënte edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike, dhe do ta bënte konfliktin për një kohë të pacaktuar, të pazgjidhshëm. Sigurisht trendi për t'i dhënë nota fetare këtij konflikti nuk është i ri. Feja luan një rol të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, më së voni prej Luftës Gjashtëditore. Në Izrael forcat profetare nacionaliste kanë fituar shumë terren këto 20 vite. Ndërsa në territoret palestineze forcat islamiste radikale si pasojë e dështimit të procesit të paqes u kthyen në një konkurrencë të fortë për organizatën nacionaliste për çlirimin e Palestinës, jo me ndikim fetar, PLO. Para këtij sfondi ngjyrosja fetare e konfliktit të Lindjes së Mesme arrin një përmasë të re të rrezikshme me sulmet ndaj sinagogës në Jeruzalem. Kjo po të kujtojmë se sinagogat e hebrenjve deri tek kjo masakër, gati nuk prekeshin nga atentatet terroriste të palestinezëve radikalë.
Nuk ka alternativë për zgjidhjen me dy shtete
Ende nuk ka një luftë fetare në Lindjen e Mesme. Por koha nuk pret. Sepse përmes zgjerimit të ngulimeve izraelite nga ana e qeverisë së Netanjahut, zgjidhja me dy shtete është bllokuar. Dhe fundi i kësaj duket shumë larg. Kjo dobëson forcat e moderuara nga të dyja palët, që punojnë për një zgjidhje pragmatiste dhe nuk duan t'ia dinë për "luftën e shenjtë". Kjo edhe për faktin se nuk ka ndonjë alternativë realiste të mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare se zgjidhja me dy shtete. Prandaj ka ardhur momenti që kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidenti palestinez, Mahmud abas të bëjnë gjithçka kanë në dorë për të ndalur një dinamikë të barbarisë. Nga një luftë fetare e pakufizuar në kohë dhe hapësirë në Lindjen e Mesme nuk do të përfitonin as izraelitët dhe as palestinezët.