1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli mbetet kancelare

Ines Pohl
7 Dhjetor 2018

E vogël përparësia, me të cilën u zgjodh Annegret Kramp-Karrenbauer kryetare e re e CDU-së. E besuara e Merkelit duhet të sjellë tani fillimin e ri në CDU, të nevojitur urgjentisht, mendon kryeredaktorja e DW, Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/39hjs
Deutschland CDU-Parteitag in Hamburg Kramp-Karrenbauer
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Se kush e drejton një parti gjermane i intereson normalisht pak ose aspak publikut ndërkombëtar. Në këto zgjedhje gjithçka ishte ndryshe. Gazeta të mëdha si New York Times raportuan ditët e fundit për kongresin e CDU-së me artikuj më qendrorë se sa për varrimin e ish-Presidentit amerikan George H.W.Bush. Stacione televizive ndërkombëtare kaluan në raportimin "Lajmi i fundit", kur u bë e qartë se kush do ta drejtonte CDU-në. Shkaku për vëmendjen ka një emër: Angela Merkel.

Kancelarja gjermane është për shumë njerëz në të gjithë botën politikania më e rëndësishme. Në një botë, në të cilën bëjnë kërdinë meshkuj shovinistë si Putini, Trumpi dhe Erdogani, për shumë njerëz ajo është zëri i arsyes, si bastioni i fundit i ekuilibrit në kohët e copëzimit dhe të nacionalizmave të fuqizuara rrezikshëm. Brenda vendit të saj, shkëlqimi i Merkelit ndërkohë është zbehur. Në zgjedhjet rajonale një dështim në zgjedhje pasoi tjetrin dhe kritikët brenda partisë filluan të kritikojnë me kaq zë të lartë, sa Angela Merkelit nuk i mbeti më gjë tjetër, veçse të ofronte dorëheqjen nga kryesimi i partisë. Me këtë deklaratë në fund të tetorit u hap lufta për pasardhësit e saj. Sepse edhe nëse mandati i saj si kancelare përfundon vetëm pas dy vjetësh e gjysëm, ishte e qartë se ajo nuk do të mund të qeveriste më tej, po të zgjidhte partia në krye të saj njërin nga kundërshtarët e saj të qartë.

Hakmarrja e vonë e burrit të plagosur

Dhe kjo për pak sa nuk ndodhi: vetëm në zgjedhje balotazhi dhe atje me një ndryshim prej vetëm 35 votash nga gjithsej 999 vota të dhëna, humbi Friedrich Merzi. Pra njeriu, të cilin para tetë vjetësh Merkeli e dëboi nga politika. Dhe i cili mendoi tani se i erdhi shansi për një hakmarrje të vonë. I mbështetur nga të gjithë ata meshkuj, të cilët Merkeli i ka lënduar, frenuar, i ka asgjësuar politikisht.

Tepër i ngushtë pra rezultati pas një dite të gjatë, të tensionuar, e cila nisi me një fjalim tepër emocional të Angela Merkelit. Në fund fitoi Angela Merkeli. Me këtë vendim për favoriten e Merkelit, kongresi i partisë votoi edhe që kancelarja të ketë mundësi ta ushtrojë deri në fund mandatin e saj, po të mos bëhet e pabindur më parë SPD-ja, partnerja e koalicionit.

Gjermania mbetet e besueshme në politikën e jashtme

Në politikën e jashtme Gjermania mbetet e besueshme, ekonomia më e fuqishme e Evropës mbetet stabile, linjat e mëdha të politikës qeveritare thuajse nuk do të ndryshojnë. Në politikën e brendshme do të jetë interesante të vërehet, nëse Kramp-Karrenbaueri do të arrijë ta shërojë shpirtin e partisë, të bashkojë kampet e ndryshme dhe t'i japë partisë së saj ndjesinë e fillimit të ri, për të cilin kanë nevojë jo vetëm te CDU-ja, por në fund në të gjithë Gjermaninë, për të mos rënë viktimë e kolapsit nga lodhja në zgjedhjet e ardhshme për kancelar, pas ndoshta 16 vjetëve Merkel.

Në thelb bëhet fjalë nëse Kramp-Karrenbauer do të arrijë që të shkëputet nga mbështetësja dhe parardhësja e saj, që të notojë e lirë dhe që të mbledhë pastaj edhe përvojat ndërkombëtare, që do ta bënin atë pastaj kandidate për kancelare.

Të gjitha këto janë çështje të së ardhmes. Për momentin megjithatë vlen të përmendet se CDU-ja tani nuk ka më një grua në krye të partisë, por dy.