Koment: Nëpër Kosovë duhet të fryjë një erë ndryshimi
9 Qershor 2014Nuk është parësore se kush i fitoi zgjedhjet në Kosovë, sepse nga ana e programeve partitë e mëdha pak dallojnë nga njëra-tjetra. Rezultatet më të rëndësishme të këtij votimi janë zhvillimi në qetësi i zgjedhjeve - një provë për demokracinë, si edhe pjesëmarrja e serbëve në votime në të gjitha rajonet e Kosovës - një hap në drejtimin e duhur. Pakica serbe e përqëndruar me shumicë në veriun e Kosovës mori pjesë për herë të parë që nga pavarësimi i saj në zgjedhjet për parlamentin e Prishtinës. Serbët e Veriut, ndryshe nga ata në pjesë të tjera të vendit, i refuzojnë në mënyrë kategorike institucionet e shtetit të ri. Qëndrimin e tanishëm të serbëve në Veriun e Kosovës mund ta kuptosh kështu: vërtet lufta dhe konfliktet na kanë ndarë më dysh, por me plotësimin e disa kushteve ne do të jemi gati për pajtim.
Kompromise të vështira, por të nevojshme
Pjesëmarrja në zgjedhje është një shenjë rrugëdaljeje nga konflikti shqiptaro-serb, që ende nuk mund të quhet i shuar. Por rruga drejt shtetbërjes ka ende shumë pengesa përpara. Për Serbinë Kosova është ende territor serb. Për të lënë pas një të kaluar të rëndë, Prishtina dhe Beogradi negociojnë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Guri i themelit për normalizimin e marrëdhënieve u vu me planin 15-pikësh, i cili u nënshkrua nga të dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë para një viti. Tani duhet që ky plan ende i pajetësuar plotësisht, të bëhet realitet. Ai do të shërbejë si matës për procesin e afrimit të Serbisë dhe të Kosovës me Bashkimin Evropian. Serbia ka filluar ndërkohë procesin e negociimit për antarësim në Bashkim Evropian, ndërsa Kosova ende po negocion në kuadrin e marrëveshjes së Stabilizimit-Asociimit me BE-në.
Kësaj i shtohet që Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e OKB-së. Shteti i ri - pa ushtrinë e vet dhe pa një mëvetësi të plotë në drejtësi dhe institucionet e tjera të shtetit të së drejtës - ndeshet me kufizime të mëdha. Trupa e NATO-s dhe KFOR-it kujdesen për sigurinë ndërsa misioni i BE-së, EULEX-i ndihmon në ngritjen e strukturave të shtetit ligjor dhe stemit gjyqësor.
Në listën e detyrave të parlamentit të ri qëndrojnë shumë lart tema jopopullore, që bartin potencial konflikti: Njëra prej tyre është themelimi i ushtrisë kosovare. Pikërisht kjo problematikë çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse pakica serbe e lidhi miratimin e saj për ushtrinë me një kusht: Rregullorja kushtetuese që u garanton serbëve dhjetë mandate duhet të mbetet në fuqi edhe për legjislaturat e tjera. Ndryshime të tilla kushtetuese kërkojnë kompromise shumë të vështira. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të përgatiten për këtë.
I pamënjanueshëm katarsisi
Last but nor least - së fundmi por jo e fundit, Kosova duhet të ballafaqohet me të shkuarën. 15 vjet pas luftës vendi ende nuk është përballur me fakte me të shkuarën. Një gjykatë e posaçme ndërkombëtare do të duhet së shpejti të zbardhë krimet e mundshme të kryera nga shqiptarët dhe përgjegjësit e tyre - përfshi këtu edhe politikanë të njohur - do të nxirren para drejtësisë. EULEX-i ka nisur ndërkohë hetimet. Proceset që priten ndoshta mund të jenë shkak për trazime të mëdha brenda politikës apo mund të ndezin zemërimin në shoqëri. Ish-luftëtarët shihen si heronj nga populli. Megjithatë nuk ka alternativë tjetër për demokratizimin e vendit.
Në rrugën drejt Evropës janë të domosdoshme jo vetëm katarsisi në lidhje me të shkuarën, por edhe lufta kundër korrupsionit - Kosova renditet nga Transparency International si vendi më i korruptuar i rajonit. Me pjesëmarrjen e ulët në këto votime qytetarët i dhanë një lloj ndëshkimi politikës për situatën e vështirë në vendin më të varfër të Evropës. Për këtë arsye nëpër Kosovë duhet të kalojë një erë ndryshimi. Ndryshe Europa do të mbetet vetëm një përfytyrim.