Timonieri i Madh 2.0
26 Tetor 2017Jo, Xi Jinping nuk është "Kryetari i Madh". Por gjithsesi kryetari i shtetit dhe i partisë së Kinës konsiderohet si "Kryetar i të gjithave". Asnjë kryetar partie pas Mao Ce Dun-it nuk ka përqendruar në duart e tij kaq shumë pushtet, sa përqendroi në pesë vitet e para të mandatit të tij Xi, i cili vjen nga një familje e vjetër funksionarësh komunistë. Tani, 64 vjeçari i afrohet edhe formalisht themeluesit të shtetit Mao Ce Dun: "Mendimi i Xi Jinping-ut për socializmin me tipare kineze për një epokë të re" u fisnikërua duke e bërë pjesë e kushtetutës së partisë. Një nder kaq i madh nuk i qe bërë asnjë kryetari partie që prej Maos. Xi është në Këshillin e Përhershëm të Byrosë Politike në këtë mënyrë jo një i parë midis të barabartëve - ai tani është vetëm i Parë! Timonieri i madh 2.0.
Ndarja me "udhëheqjen kolektive"
Një portret i madh i ish-timonierit të madh vazhdon të qendrojë i varur në hyrjen e Pallatit të vjetër Perandorak në qendër të Pekinit; maozoleumi i Maos me kufomën e tij të balsamosur vazhdon të mbizotërojë Sheshin Tien-An-Men. Por ia vlen të kujtosh: edhe zyrtarisht, veprimtaria e Maos vlerësohet pozitivisht vetëm në 7/10 e saj dhe në 3/10 vlerësohet si e keqe. Për shembull, sepse Mao si sundimtar absolut me "Hapin e madh përpara" shkaktoi midis viteve 1958 dhe 1961 urinë më të madhe të shkaktuar ndonjëherë nga njeriu, me disa miliona të vdekur. Ose sepse me Revolucionin Kulturor ai i shkaktoi Kinës një katastrofë nacionale. Për t'i shmangur në të ardhmen këto teprime, Partia Komuniste themeloi konceptin e "udhëheqjes kolektive". Me meshën e kurorëzimit për Xi Jinpingun, partia distancohet në një masë nga kjo praktikë.
Xi e nis mandatin e tij të dytë me mbështetje të pashembullt. Përfshirja me emër në kushtetutën e partisë është vetëm një gjë. Tjetra janë ndryshimet në personel, më të mëdhatë në organet e partisë që prej vitit 1969: 70 përqind e vendeve në Komitetin Qendror janë zënë tani me persona të rinj; pesë nga shtatë vendet e Byrosë Politike në Komisionin e gjithëpushtetshëm të Përhershëm të Byrosë Politike u liruan. Dhe Xi pati mundësi që të vendosë kudo mbështetës - për ta vënë në jetë edhe më tej programin e partisë.
Se në ç'drejtim do ta çojë kombin më të madh të botës njeriu më i pushtetshëm i Kinës që prej dekadash, këtë e bëri të qartë Xi në fjalimin e tij të gjatë në çelje të kongresit: Epoka e Ten Hsiao Pinit mori fund- koha në të cilën synimi ishte që Kina të bëhet e pasur. Tani vjen epoka Xi. Dhe në këtë epokë, Kina duhet të bëhet e fortë: e fortë brenda vendit, përmes një partie të gjithëpushtetshme dhe me një kryetar partie të gjithëpushtetshëm. E fortë edhe nga jashtë deri në vitin 2035, me një ushtri në nivelin botëror - me fjalë të tjera: në nivel të barabartë me SHBA.
Ndikim i partisë në të gjitha sferat e jetës
Vizioni i madh i Xi-së shtrihet deri në vitin 2050. Por ajo që shpalli ai për pesë vitet e ardhshme tingëllon se do të kemi më shumë nga e vjetra: fushata antikorrupsion do të vazhdojë. Dhe para së gjithash ndikimi i partisë në të gjitha fushat e jetës do të zgjerohet më tej. Kjo në një kohë që Xi do të mbështetet edhe në Big Data: Partia do të përdorë të dhënat e sipërmarrjeve kineze të IT dhe do të fusë me detyrim për secilin nga 730 milionë përdoruesit e internetit një "sistem të vlerës sociale": çdo veprim do të shpërblehet me pika plus ose do të ndëshkohet me heqje pikësh. Inteligjenca artificiale do të ndihmojë në krijimin e nënshtetasit perfekt. Shteti i mbikqyrjes po punon tashmë për një sistem të identifikimit të fytyrës: sigurimi i shtetit do të jetë në gjendje që brenda tri sekondash të identifikojë çdo kinez, të filmuar në njërën prej 20 milionë kamerave të përgjimit në sheshet publike. Me diktaturën njëpartiake të suksesshme ekonomikisht, Xi Jinping hyn në garë sistemesh me Perëndimin. Dobësia e Perëndimit me një Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ia lehtëson ndërkohë punën. Evropa duhet të gjejë një përgjigje për këtë.