Komunat gjermane për kufizimin e migrimit të parregullt
9 Shtator 2024Komunat dhe rrethet në Gjermani janë shprehur për një kufizim të ndjeshëm të migrimit të parregullt në Gjermani. Presidenti i konferencës së rretheve (administrative), Reinhard Sager i tha radios bavareze Bayerischer Rundfunk, se nevojitet kontroll për ata që vijnë në Gjermani. Kur ky kontroll nuk ekziston, duhen mbrojtur kufijtë.
Komunat - të mbingarkuara nga migrimi
Ai tha se komunat janë të mbingarkuara nga migrimi. Mungojnë strehime dhe personel. Veç kësaj, krimet e dhunshme të të huajve janë shtuar, shpjegoi Sager.
Edhe Shoqata e Qyteteve dhe Komunave angazhohet për një kufizim të migrimit dhe për më shumë dëbime. Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, André Berghegger tha se është e drejtë që të shtohen përpjekjet, për t'i kthyer në atdhe njerëzit pa të drejtë qëndrimi. Berghegger u shpreh më tej për ngritjen e një "Task Force", të një grupi pune në rang federate. Ky grup do të përshpejtonte procese dhe do t'i bënte ato më efikase. Gjithashtu, ka kuptim që kufijtë e Gjermanisë të kontrollohen për aq kohë, sa të hyjë në fuqi reforma evropiane e azilit, në mesin e vitit pas vitit tjetër.
FDP: të shtohen kthimet
Pak para një takimi tjetër të qeverisë federale me partitë unioniste, për të biseduar për politikën e migrimit, partia liberale FDP, anëtare e koalicionit qeveritar u shpreh për një zgjerim të kthimeve. Tani ekziston mundësia që të reduktohen ndjeshëm shifrat e refugjatëve, tha Sekretari Ekzekutiv i Grupit Parlamentar të FDP, Vogel në radion Deutschlandfunk. Ai tha se tani kërkohet nga të gjitha partitë demokratike që të bashkëpunojnë në këtë çështje. Njerëzit në Gjermani kanë të drejtë të kërkojnë nga politika, që ajo ta frenojë migrimin ilegal.
Në këtë kuadër, si kryetari i CSU-së, kryeministri i Bavarisë Markus Söder, ashtu edhe kryetari i FDP-së, Christian Lindner kërkuan që Gjermania të kujdeset që në parim të aplikojnë për azil më pak njerëz. Këtë ata ia deklaruan gazetës Süddeutsche Zeitung. Ndërsa televizionit ARD, Söder i tha se Gjermania është e mbingarkuar me pasojat e migrimit dhe të integrimit. Söder dhe Lindner u shprehën në mbështetje të idesë që të kufizohet nën 100.000 në vit numri i aplikimeve për azil.
Kryetari i FDP-së, Christian Lindner tha se ai është i gatshëm që të bëjë gjithçka, që është e mundur politikisht, juridikisht dhe nga pikëpamja logjistike.
Sindikata e Policisë tërhoqi vëmendjen në faktin, që efektivët e policisë kanë nevojë të domosdoshme për siguri juridike. Në këtë rast, kjo do të ishte një masë për t'u mbështetur, tha presidenti i Sindikatës së Policisë për policinë federale, Andreas Roßkopf, për gazetën Rheinische Post.
aud (dlf, br)