1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Konferenca për Libanin: A mund të ndërmjetësojë Franca?

24 Tetor 2024

Franca të enjten (24.10) ka ftuar për konferencën ndërkombëtare për Libanin. Parisi shpreson, se lidhja e fortë historike me vendin e vogël mesdhetar mund të hapë rrugën për armëpushim dhe paqe.

https://p.dw.com/p/4mA1K
Pamje nate, në mes të ndërtesave të banimit del një shtëllungë gjigante zjarri dhe tymi që ka kuqur të gjithë qiellin
Sulme ajrore të Izraelit mbi Bejrut në lagjen DahiyehFotografi: Hussein Malla/AP/picture alliance

Prej muajsh Izraeli kryen sulme masive nga ajri ndaj Libanit. Sipas të dhënave të autoriteteve libaneze ka si rrjedhojë mbi një milionë refugjatë brenda vendit dhe më shumë se 2000 civilë janë vrarë. Izraeli ka vrarë me objektiv të qartë disa drejtues të Hisbollahut, sepse ka për qëllim të dobësojë milicët e vendosur në jug të Libanit. SHBA, Gjermania dhe disa vende arabe suni e klasifikojnë Hisbollahun si grup terrorist. Edhe BE-ja e liston krahun e armatosur të Hisbollahut si grup terrorist. Ky grup që nga fillimi i luftës aktuale në Gazë përpara një viti vazhdimisht sulmon veriun e Izraelit. Dhjetra mijë izraelitë janë larguar nga banesat e tyre që ndodhen në afërsi të kufirit libanez.

Franca shpreson, që lidhja e ngushtë historike me Libanin mund të ndihmojë në ndërmjetësimin për një armëpushimin dhe një zgjidhje afatgjatë, e për këtë arsye organizon të enjten (23.10) një konferencë ndërkombëtare për Libanin në Paris. Konferenca synon mbështetjen e popullsisë dhe të sovranitetit të vendit.

Ministria e Jashtme franceze pret përfaqësues nga vendet partnere të Libanit, OKB-ja, Bashkimi Europian si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale e nga shoqëria civile. "Franca gjithmonë ka pasur një rapor të privilegjuar me Libanin dhe kjo konferencë duhet të kontribuojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit", i shkruan DW-së një burim, që nuk dëshiron të përmendet me emër.

Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Libanit duke biseduar pranë një tryeze në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe kryeministri i Libanit gjatë asamblesë së pvrgjithshme të OKB-sëFotografi: Ludovic Marin/AFP/Getty Images

May Maalouf Monneau, politologe në Institut Kërkimor të Parisit për Lindjen e Mesme dhe Mesdheun (iReMMO), shpreson për rezultate konkrete. "Ne na duhet një armëpushim. Pas kësaj ushtria libaneze duhet të dërgohet në jug të vendit, për të rivendosur sovranitetin e shtetit", i tha studiuesja DW-së. "Kjo do të duhej të ishte bërë me kohë sipas rezolutës së OKB-së 1701 të vitit 2006."

Kjo rezolutë i dha fund luftës katër javore mes Hisbollahut dhe Izraelit. Milicët terroriste premtuan, se do të tërhiqen nga jugu i Libanit – gjë që nuk ka ndodhur deri më sot. "Takimi në Paris mund ta bëjë Francën sërish më prezente në aspektin diplomatik në Liban", shton Maalouf. "Franca nuk e ka pasur më këtë peshë që nga viti 2005, pas fundit të mandatit të presidentit Jacques Chirac."

Franca dhe Libani historikisht kanë pasur lidhje të thella politike dhe kulturore, vë në dukje Henry Laurens, profesor në fushën e Historisë aktualisht në katedrën për historinë bashkëkohore të botës arabe në Collège de France të Parisit. "Që nga mesi i shekullit të 19 shoqata franceze L'Oeuvre d'Orient mbledh para për organizata arsimore, mjekësore dhe religjoze në Liban", shpjegon për DW Laurens. "Ka një rrjet të gjerë shkollash franceze në Liban dhe një diasporë të madhe libaneze në Francë."

Gjithashtu Libani mes viteve 1920 dhe 1943 ka qenë protektorat francez. Qeveria franceze ka luajtur një rol të rëndësishëm diplomatik, sepse ka negociuar me të gjitha palët.

Por ndërkohë Parisi e ka humbur rolin e ndërmjetësuesit, gjë që ka të bëjë edhe me historinë e vet koloniale. "Këtu ka shumë pasardhës të kolonialistëve si dhe emigrantë nga ish-kolonitë dhe një diasporë të madhe myslimane dhe hebreje", shpjegon Laurens. "Kjo përçarje pasqrohet tek partitë tona – me partitë populiste të djathta, që mbrojnë izraelin dhe me grupet e majta politike, që janë në anën e palestinezëve. Qeveria është e paralizuar, sepse kjo temë e politikës së jashtme tashmë është e rëndësishme edhe në politikën e brendshme."

Forcat e shpëtimit duke kërkuar viktima në rënojat e shtëpive të shkatërruara në Liban.
Mijëra civilë të vrarë nga sulmet e Izraelit nga ajri në Liban.Fotografi: Yara Nardi/REUTERS

Mes ndihmës financiare dhe simbolikës politike

Fabrice Balanche, gjeograf dhe specialist i Lindjes së Mesme në Universitetin Lyon 2 në jug të Francës, deklaratat e fundit të presidentit Emmanuel Macron i kanë përkeqësuar shanset për sukses të konferencës për Libanin. Macron kërkoi ndër të tjera që të ndërpriten furnizimet me armë për Izraelin, për të nxitur zgjidhjen politike të konfliktit. Kjo u cilësua si "turp" nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu.

"Franca ka tani raporte shumë të këqia me Izraelin. Po ashtu as Hisbollahu dhe as Izraeli nuk duan ndërkohë armëpushim", thotë për DW Fabrice Balanche. Rivendosja e autoritetit të shtetit libanez në jug të Libanit është tani shumë e vështirë, sepse ky vend është i pastabilizuar politikisht. "Libani është një shtet i dështuar me borxhe të larta dhe një elitë të korruptuar, që nga tetori 2022 nuk ka president", shton Balanche.

Që nga viti 2015 nuk është më Franca, por Gjermania që përcakton linjën e politikës europiane ndaj Libanit. "Ndaj Macron nuk mundet t'i japë me premtime financiare Libanit – dhe kjo e kufizon influencën tonë politike." Kjo konferencë është si rrjedhojë më shumë simbolike. "Franca do të plotësojë një boshllëk diplomatik të krijuar nga zgjedhjet presidenciale në SHBA që zhvillohen pas dy javësh."

Ky artikull u pubikua në fillim në gjermanisht dhe anglisht 

Lisa Louis Frankreich Paris Kommentarbild
Lisa Louis korrespondente nga Parisi