1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Veriut nuk dëshiron t'i përulet presionit ndërkombëtar

Martin Fric17 Tetor 2006

Sanksionet e vendosura nga KS të OKB-së kundër vendit të tij, diktatori Kim Jong Il i sheh si shpallje lufte. Më parë Pheniani pati sinjalizuar se do të reagonte ashpër ndaj sanksioneve. Ky reagim mund të jetë një test tjetër atomik, i cili sipas medieve amerikane po përgatitet.

https://p.dw.com/p/Aqag
Udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong II
Udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong IIFotografi: AP

Me goditje të pamëshirshme e kërcënoi sot Koreja e Veriut çdo vend, që shkel sovranitetin e saj. Kërcënimi mund të ketë lidhje ndër të tjera me përpjekje, për të ndaluar anijet koreanoveriore të transportit në det të hapur dhe për të kontrolluar ngarkesën e tyre për armë bëthamore dhe material të nevojitur prej tyre. Inspektime të tilla janë parashikur nga vendimi i OKB-së në fundjavë.

Në reagimin e parë zyrtar ndaj kësaj rezolute, ministria e jashtme e Phenianit paraqiti refuzimin e saj të prerë. Ajo nuk mund të shihet ndryshe vecse si një shpallje lufte dhe produkt i një politike armiqësore të SHBA. Njëkohësisht, ministria e jashtme e Koresë së Veriut përsëriti pohimin e saj se është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë e saj për paqen dhe një gadishull korean pa armë bërthamore. Ai që kërkohet është dialogu, vazhdoi deklarata zyrtare, megjithatë gatishmëria për cdo konfrontim ekziston. Testi nuk e kërcënon sipas Koresë sigurinë ndërkombëtare, Koreja e Veriut ka një të drejtë legjitime për këtë.

Pak orë para kësaj deklarate, në SHBA u bë e ditur se Koreja e Veriut ndoshta po përgatit një test të dytë bërthamor. Satelitë spiunazhi amerikanë kanë vërejtur lëvizje të dyshimta kamionësh në territorin e testit pranë qytetit Punghi, ku të hënën e kaluar u zhvillua testi i parë bërthamor. Por sipas të dhënave koreanojugore, lëvizjet nuk i ngjanin modelit para testit të parë. Ministrja e jashtme amerikane, Kondolisa Rajs e paralajmëroi Korenë e Veriut që të mos ndërmarrë një test të dytë bërthamor:

"Vetëkuptohet se kjo do ta izolonte edhe më tej Korenë e Veriut dhe shpresoj se ata nuk do të ndërmarrin një akt të tillë provokativ, sepse shumë vetë u munduan për hartimin e kësaj rezolute të OKB-së, për të dhënë një përgjigje të fortë. Por edhe për të mbajtur një derë të hapur për Korenë e Veriut, që ajo të ketë mundësi të marrë një kurs tjetër, po ta dëshirojë."

Megjithë këtë paralajmërim, Koreja e Veriut mund të vendosë të ndërmarrë një test të dytë. Shërbimi i fshehtë amerikan vërtet që konfirmoi se Koreja e Veriut kreu të hënën e kaluar me të vërtetë një test bërthamor. Në prova ajri të marra dy ditë pas shpërthimit mbi territorin e testit u konstatuan grimca radioaktive. Por forca shpërthyese e bombës ka qenë megjithatë më e vogël se 1000 kg TNT. Kjo do të thotë 15 herë më e vogël se bomba e Hiroshimës dhe shumë e dobët për testin e parë atomik të një vendi.

Prandaj shumë ekspertë besojnë se kemi pasur të bëjmë me një dështim të shpërthimit testues. Ndoshta reaksioni zinxhir qarkulloi vetëm në një pjesë të plutoniumit. Për të krijuar bindje tek të tjerët si fuqi atomike dhe për të garantuar kërcënimin ndaj SHBA, Koreja e Veriut ndoshta do të ndezë një bombë të dytë. Shkase për këtë mund të gjenden plot.