Kosova nis përdorimin e energjisë së gjelbër
12 Mars 2022Parku i energjisë eolike në Kosovë i inaguruar (11.03.2022) në prani edhe të ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, është ndërtuar me mbështetjen gjermane. Investimi total arrin në në 170 milionë euro.
Felix Cornelius, përfaqësues i kompanisë SOWI, deklaron, se: "Ky është një projekt i energjisë së erës dhe prodhon energji elektrike vetëm kur fryn erë. Kjo është arsyeja pse ideja dhe strategjia jonë është që të përpiqemi të ndërtojmë një kombinim. Për shembull shumë projekte diellore. Kur në jug ka diell, ne prodhojmë energji atje, edhe nëse nuk fryn erë këtu. E njëjta gjë ndodh anasjelltas."
Baerbock: Diplomaci e re e klimës
Kosova renditet mes vendeve me cilësinë më të keqe të ajrit.
Ministrja e Jashtme gjermane në inaugurimin e projektit madhor, që përbën një nga investimet më të mëdha të huaja në Kosovë, theksoi rëndësinë e tranzicionit të energjisë në krizën aktuale. "Përmes diplomacisë së re të klimës, Gjermania është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në këtë fushë vendimtare. Energjia e gjelbër nuk është vetëm një çështje klimatike, por edhe një çështje sigurie. Lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës nuk lë asnjë dyshim se ne duhet të pakësojmë varësinë tonë nga karburantet fosile dhe të përqendrohemi tek energjitë e ringjenerueshme."
Në Kosovë qymyri është burimi më i rëndësishëm në prodhimin e energjisë.
Parku i ri eolik e zbeh varësinë ndaj qymyrit, e mbi të gjitha krijon energji elektrike pa pasoja të dëmshme për mjedisin. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nënvizoi, se: "Agjenda e gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë sonë, jo vetëm sepse bart kuptim në procesin tonë të integrimit në BE, por mbi të gjitha sepse ne duhet të reduktojmë qymyrin duke ruajtur pavarësinë tonë energjetike."
Parku i ri i erës është vetëm hapi i parë në rrugën drejt tranzicionit energjetik në Kosovë. Megjithatë mbetet ende punë për t'u bërë.