Kosovë: Arrestime zyrtarësh për korrupsion
24 Shkurt 2021Të arrestuarit dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Arrestimet u kryen në disa vende në Kosovë në një operacion të përbashkët nga njësi të policisë së Kosovës dhe të prokurorisë. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë funksinon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, në objektin e së cilës policia kreu bastisje.rhaftung symbolbild
Dhjetë nga të arrestuarit janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, kurse dy të tjerët janë shtetas të Kosovës, të cilët u kanë ndihmuar atyre në forma të ndryshme. Ata dyshohen për disa vepra penale si keqpërdorim i subvencioneve, shpërdorim i autorizimeve zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit”, tha Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 400.000 euro, tha drejtori i departamentit kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në policinë e Kosovës, Nazim Sahiti.
"Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve dhe ato dyshohet se janë fituar nga vepra penale e marrjes dhe dhënies së ryshfetit”, tha Nazim Sahiti. Sipas prokurorisë së shtetit hetimet dhe grumbullimi i informacioneve janë zhvilluar nga fillimi i këtij viti dhe se gjatë operacionit përveç parave janë konfiskuar edhe makina, kompjuterë, dhe telefonë celularë.
Kryeministri i Kosovës në detyrë Avdullah Hoti tha pas arrestimit të dhjetë zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë se "pret hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është i përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore. Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, tha Hoti.
Kosova e zhytur thellë në korrupsion
Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim KDI, tha në një reagim se "aksioni i sotëm është dëshmi që Kosova është e zhytur thellë në korrupsion”
"Këto arrestime dhe zbulimi i një shume kaq të madhe parash të gatshme në duar të individëve dëshmon edhe një herë se sa thellë është i zhytur në korrupsion Kosova dhe se sa të organizuara janë grupet kriminale të cilat fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hiearkinë e institucioneve shtetërore”, thuhet në reagimin e KDI-së. Sipas kësaj organizate, "arrestimi i 10 zyrtarëve shtetërorë për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetërorë për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë”.
Në Kosovë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdon të mbetet një nga fushat e kritikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore dhe një nga sfidat më të mëdha të organeve të drejtësisë.
Sipas rrjetit të organizatave të shoqërisë civile rastet e tilla siç ishte arrestimi i fundit së, janë edhe një tregues i qartë se pse Kosova në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International vazhdimisht humbet pikë duke mbetur nën mesataren globale e shumë larg mesatares evropiane në perceptimin e korrupsionit.