Një nismë gjermane për gazetarinë on-line
16 Maj 2014Për redaksinë e ardhshme të Krautreporter gazetaria on-line ka kohë që ka marrë fund. Për shumë media janë më të rëndësishme numri i klikimeve se sa artikujt e hulumtuar me thellësi dhe kujdes. Bota thjesht shpjegohet në lajme të shkurtra dhe flesh. Kudo reklama që të nervozojnë dhe temat e gazetave bulevardeske janë bërë tashmë edhe pjesë e mediave serioze.
Gazetarët e "krautreporter.de" duan që të ofrojnë sërish gazetari të mirë dhe cilësore me reportazhe, analiza, portrete dhe artikujt shpjegues të hulumtuar me themel dhe jo të shkruar shpejt e shpejt. Në faqen e tyre të internetit ata shkruajë: "Ne nuk duan të presim që kompanitë e mëdha të medias të guxojnë më në fund që të ofrojnë gazetari të vërtetë në internet. Ne të gjithë kemi vite që punojmë si gazetarë me përkushtim të madh në mediat kryesore dhe besojmë se tani është koha për diçka të re."
Ndër ta bëjnë pjesë gazetarë të njohur si kritiku i medias Stefan Niggemeyer, gazetari Richard Gutjahr, video-blogeri Tilo Jung apo ish-shefi i edicionit gjerman të revistës "Wired", Aleksandër von Streit.
Modeli nga Holanda
Një projekt i tillë nuk është i lirë. Gazetarët e Krautreporter nuk i mbajnë sekret shifrat: 900,000 € kushton për ta mbajtur gjallë për të paktën një vit këtë projekt. Nga kjo shumë do të paguhen edhe gazetarët, që për pagë muajore prej 2.000-2.500 euro duhet të ofrojnë të paktën një histori në javë.
Paratë pritet të mblidhen nga 15.000 abonentë, që paguajnë në një fond një kontribut vjetor prej 60 euro e lart. Ideja për të financuar një revistë on-line përmes një projekti të tipit crowdfunding vjen nga Holanda. "De Correspondent" ka 60.000 abonentë dhe ka prej një viti sukses. Në dallim nga Holanda, ku artikujt mund t'i lexojnë vetëm personat e abonuar, përmbajtjet e Krautreporter do të jenë të hapura për të gjithë.
Shumë vetësiguri, pak gra
Edhe pse gjithçka tingëllon mirë, ndër radhët e kolegëve të 25 gazetarëve të projektit Krautreporter dëgjohen kritika, p.sh. në lidhje me prezantimin, apo se në faqe nuk prezantohet ndonjë temë ekskluzive që të ngjallë kurreshtjen. Po ashtu nuk është e qartë se cili do të jetë grupi që synon të arrijë kjo revistë on-line dhe se cili do të jetë dallimi i mënyrës së raportimit të tyre nga ai i mediave të tjera. NJë nga pyetjet që shtrohen është edhe se përse nga 25 gazetarët Krautreporter vetëm 6 janë gra.
Megjithë kritikat e rëndësishme është që për këtë projekt diskutohet dhe tri ditë pas hapjes së procesit të crowdfunding në fondin e Krautreporter kanë paguar 3.000 mbështetës. Në rast se ata do të mbledhin brenda katër javësh shumën e parashikuar, atëhere mund të fillojnë me nxjerren e revistës on-line në shtator. Në rast se shuma e parashikuar nuk mblidhet brenda një muaji, atëhere atyre që kanë paguar në fond do t'u kthehen paratë e abonimit.