Kriza e shitjeve trondit industrinë e automobilave
1 Nëntor 2012Kriza e rëndë në tregun e automobilave në Evropë po i detyron prodhuesit e tyre të bëjnë reduktime gjithnjë e më të ndjeshme. Për shkak të prirjes në rënie për të blerë në Evropë Ford-i llogarit në 2012-n me një humbje prej më shumë se 1,2 miliardë eurosh dhe mbyll tri fablika në Belgjikë dhe në Angli. Gjithsej janë të prekura më shumë se 6.000 vende pune.
Në Gjermani konsiderohet si e rrezikuar fabrika e Opel-it në Bochum me 3.200 të punësuar. Në rast se mbyllet fabrika atje, kjo do të përbënte të parën mbyllje të një fabrike gjermane automjetesh pas Luftës II Botërore. Qysh para dy vjetësh Opel-i pati mbyllur fabrikën e tij në Anversë të Belgjikës. Atje punësoheshin fillimisht 2.500 vetë.
Duhet të ndihmojë bashkëpunimi
Shoqëria bijë e gjigantit amerikan General Motors synon të ulë kostot në konceptimin e modeleve dhe në blerjen e lëndës së parë me anë të bashkëpunimit me prodhuesin francez të automjeteve PSA Peugeot Citroën. Kësisoj synohet që në planin afatmesëm të arrihen kursime prej 1,5 miliardë eurosh në vit.
Vërtet eksperti i industrisë automobilistike Ferdinand Dudenhöffer i Universitetit Duisburg-Essen i refuzon në parim bashkëpunime të tilla. "Mirëpo në këtë rast ai mund të çojë në shëndoshjen e korpusit ekonomik. Sepse ajo që planifikohet nuk jep efekt tani, po në pesë vjet. Dhe në pesë vjet Peugeot-së dhe Opel-it u duhen raporte të tjera kostoje, për të konkurruar me Volkswagen-in dhe me të tjerë në nivel botëror", thotë për Deutsche Welle-n Dudenhöffer.
PSA Peugeot Citroën ka paralajmëruar tashmë në Francë mbylljen e një fabrike. Koncerni do të shkurtojë gjithsej 8.000 vende pune. Edhe konkurrenti francez Renault po negocion me sindikatat. Nëpërmjet lëshimeve të kolektivit punonjës synohet të ulen kostot e prodhimit.
Situata vazhdon të acarohet
Kjo sepse situata në Evropë do të acarohet edhe më shumë: "Na pret një periudhë shtrëngese (tri, katër, pesë vite me shitje shumë shumë të këqija. Prandaj duhen përshtatur kapacitetet", është i bindur Dudenhöffer.
Vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti kërkesa për automjete ra në BE në 9,4 milionë makina (një rënie prej më shumë se 7,5 për qind).
Dudenhöffer parashikon për tregun evropianoperëndimor që 2013-a të kthehet në vitin më të keq të shitjeve prej 1993-shit (me 11,6 milionë makina të shitura pas gjithsej 11,9 milionëve sivjet.
Nivel historik zbritjesh rabati
Eksperti vë në dukje edhe nivelin më të lartë historikisht të rabateve në tregun gjerman. Për mendimin e tij kësaj i shtohet fakti që të ardhurat neto të punëmarrësve rriten më ngadalë sesa çmimet e automjeteve. Sot, një punëmarrësi i duhet të kursejë gati 16 muaj të ardhurat e tij neto për të blerë një makinë të re të segmentit mesatar, shton ai. Në 1980-n ka qenë 9,4 muaj, vijon. Çmimi mesatar i një makine të re ka qenë në 2011-n 25.983 euro thotë Dudenhöffer.
Çmime dukshëm më të larta paguajnë klientët për automjete të prodhuesit Daimler. Edhe prodhuesi i automjeteve i pamësuar me dështimin vuan ndërkohë nga kriza. Për shkak të reduktimit të fitimit shtutgartasit po i ulin pritjet e tyre. Shefi i Daimler-it Dieter Zetsche ka vendosur të zbatohet një program kursimesh në vlerë miliardash. Koncerni i kuotuar në indeksin gjerman të aksioneve DAX planifikon të mos lërë të paprekur asnjërin nga sektorët e markës së tij kryesore Mercedes, e cila po tregon shenja dobësimi. Edhe numri i madh i personalelit po vihet në pikëpyetje. Daimler-i synon të kursejë më shumë se një miliard euro që në 2013-n, në 2014-n planifikohet një shumë e ngjashme.