Kryeministri spanjoll merr në mbrojtje veprimet e policisë
2 Tetor 2017Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, i quajti si sukses veprimet e dhunshme të policisë kundër referendumit për pavarësinë në Katalonjë. "Sot nuk ka pasur referendum për vetëvendosje në Katalonjë", tha në një fjalim në TV Rajoy pas përfundimit të votimit. Ai i bëri thirrje qeverisë rajonale të Katalonjës të mos ndjekë një rrugë që nuk të çon askund.
Me urdhër të qeverisë qendrore spanjolle, policë të armatosur rrethuan në Katalonjë qendrat e votimit dhe u përpoqën pjesërisht me dhunë që t'i ndalonin votuesit që të votonin në referendumin e pavarësisë. Para një qendre votimi në Barcelonë, policët përdorën madje shkopinj gome kundër demonstruesve.
Gjatë përleshjeve pati shumë të plagosur. Qeveria rajonale e Katalonjës tha se ka pasur 761 të plagosur. Sipas shërbimit shëndetësor katalanas, dy prej tyre janë në gjendje kritike. Për shkak të dhunës së policisë, kryebashkiakia e majtë e Barcelonës, Ada Colau, bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy.
Ministria e Brendshme në Madrid tha se gjatë përleshjeve ishin plagosur lehtë njëmbëdhjetë policë spanjollë që ishin goditur me gurë nga demonstruesit. Sipas ministrisë janë arrestuar shumë vetë.
Më shumë se 5.3 milion vetë qenë ftuar të merrnin pjesë në referendumin për pavarësinë e Katalonjës. Në rast se në referendum shumica do të votojë me "po", Barcelona dëshiron të kërkojë shkëputjen prej Spanjës, edhe pse referendumi nuk ka fuqi detyruese dhe është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese spanjolle. Gjyqtarët i referohen pandashmërisë së shtetit spanjoll të sanksionuar me ligj.