1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeqytetet Kulturore Evropiane 2024 - Bad Isschl, Austri

Bettina Baumann
9 Janar 2024

Bodo në Norvegji, Tartu në Estoni dhe Bad Ischl në Austri janë Kryeqytetet e Kulturës Evropiane 2024. Ai Weiwei dhe Conchita Wurst do të jenë pjesë e programit në Bad Ischl, Austri. Një vështrim në kalendarin e eventeve.

https://p.dw.com/p/4aypb
Qyteti austriak Halstadt, shtëpitë në shpatin e malit buzë liqenit Halsttäer
Halstadt buzë liqenit Halstätter në Austri, kryeqytet i Kulturës Evropiane 2024Fotografi: W. Geiersperger/Helga Lade Fotoagentur/picture alliance

Bad Ischl, një qytet në rajonin austriak të Salzkammergut pranë kufirit me Bavarinë e Gjermanisë, është një vend i njohur turistik. Qindra mijëra njerëz vijnë këtu çdo vit për të shijuar pejzazhin malor piktoreske të rajonit, me liqene kristal të pastër dhe livadhe të gjelbëruara në verë ose me majat e mbuluara me borë në dimër.

Kjo ka tërhequr dikur edhe fisnikërinë austriake në qytet. Perandori Franz Joseph I dhe Perandoresha Sisi kaluan shumë vera në Bad Ischl. Aty edhe u fejuan në vitin 1853.

Në vitin 2024, Bad Ischl dhe 22 komunitetet përreth do të bëhen një nga tre Kryeqytetet Europiane të Kulturës të vitit – së bashku me Tartu në Estoni dhe Bodo në Norvegji.

Ndryshimet klimatike, historia dhe Conchita Wurst

Bad Ischl dhe komunitetet e tjera duan të realizojnë më shumë se 300 projekte së bashku për të treguar se rajoni ka më shumë sesa peisazhet idilike. Programi do të eksplorojë, ndër të tjera, pasojat e turizmit të shfrenuar dhe ndryshimeve klimatike, si dhe barrën e rëndë historike nga e kaluara e këtij rajoni.

Pejzazh malor në brigjet e liqenit Toplitz në Austri
Austri: Liqeni Toplitz, SalzkammergutFotografi: Bildarchiv Steffens/akg/picture alliance

Qëllimi është të zbulohen anët pozitive dhe negative të të gjithë këtij rajoni dhe jo ta kthejmë atë [viti i Kryeqytet Kulturor Evropian] në një shfaqje fishekzjarresh apo festivale," tha kuratorja e programit Elisabeth Schweeger për agjencinë gjermane të shtypit, DPA.
Programi megjithatë do të nisë me një spektakël më 20 janar në Bad Ischl, Austri. Tom Neuwirth, i cili njihet më mirë si fituesi i Konkursit të Këngës në Eurovizion, Conchita Wurst dhe që vjen nga rajoni i Salzkammergut, do të marrë pjesë në koncertin e hapjes së bashku me reperët dhe një kor yodeling me mijëra vetë.

Formuar nga minierat e kripës

Kripa është nxjerrë në zonën e Salzkammergut për të paktën 7000 vjet, dhe ky "ari i bardhë" i dha formë rajonit. "Ajo u zhvillua për shkak të kripës, u pasurua përmes kripës - dhe me kripë do të përballet me të ardhmen e saj," tha Schweeger. "Tani është koha për të shtuar një tjetër element thelbësor: kulturën. Është motori për qëndrueshmërinë në Salzkammergut dhe shumë më gjerë."

Austri: Pamje nga gondola e qytetit Sankt Gilgen buzë liqenit Wolfgang
Sankt Gilgen, Austri pamje nga gondola e liqenit Wolfgang në lartësinë 1522 metra Fotografi: Hans Eder/picture alliance

Projektet për Kryeqytetin e Kulturës Evropiane përfshijnë një ekspozitë nga artisti kinez Ai Weiwei, i cili gjithashtu do të eksplorojë traditën e minierave të kripës.

Ekspozita të tjera trajtojnë artin e grabitur nga nazistët. Regjimi nazist fshehu artin e grabitur dhe thesaret e artit në një tunel malor në Bad Ischl gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një shfaqje në Bad Aussee do të hedhë dritë edhe mbi jetën e tregtarit të artit Wolfgang Gurlitt, koleksioni i të cilit përfshinte vepra arti të grabitura nga nazistët. Koncertet me muzikë nga Arnold Schönberg dhe një operetë nga Oscar Straus gjithashtu nxjerrin në pah shumë artistë dhe artdashës hebrenj që kanë qenë të lidhur ngushtë me Salzkammergut.

Një tjetër projekt do të merret me historinë e monarkisë së Habsburgëve. Salzkammergut ishte fillimisht prona private e Habsburgëve.

Panoramë buzë liqenit Grundl në Austri
Liqeni Grundl, Austri, në zonën e SalzkammergutFotografi: Sonja Jordan/ImageBroker/picture alliance

Një reflektim kritik mbi të kaluarën

Bad Ischl ka vetëm rreth 14.000 banorë. Komunitetet e tjera në rajon që janë bashkuar për të formuar Kryeqytetin Kulturor Evropian kanë, në disa raste, një popullsi prej vetëm disa qindra. Rajoni, i listuar si një pikë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1997, tashmë duhet të përballet me një fluks vizitorësh çdo vit. Historiani Michael Kurz nga Bad Goisern, i cili e njeh mirë rajonin, vëren se kishte njëfarë shqetësimi gjatë fushatës së Kryeqytetit Kulturor Evropian. Vendasit shpesh pyesnin: "A na duhet kjo?"

Nga ana tjetër, siç theksoi kuratorja Elisabeth Schweeger, më shumë se 85% e aktiviteteve mbahen nga sponsorë të projekteve lokale dhe rajonale. Dhe marrja e një perspektive të jashtme për rajonin është një mundësi që komuniteti të reflektojë në mënyrë kritike mbi historinë dhe kulturën e vet, shtoi ajo.