Kthesë e papritur në konfliktin me Sirinë
10 Shtator 2013Christiane Amanpour është korrespondente me përvojë e CNN-it. Por as ajo nuk është e sigurt se si duhet ta vlerësojë Amerika propozimin e papritur nga Moska dhe çfarë fshihet pas tij: "Kemi të bëjmë ose me një propozim serioz ose me një taktikë të re vonese."
Skepticizëm tek amerikanët
Ngjashëm skeptike ishin edhe reagimet e para zyrtare të qeverisë së SHBA-së. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Marie Harf tha se nuk është rastësi që qeveria ruse bëhet aktive pikërisht tani që kërcënon një sulm ushtarak: "Ne do ta shqyrtojmë me hollësi pozicionimin rus. Por tek ne mbizotëron shumë skepticizëm."
Pak kohë më vonë doli para shtypit zv/këshilltari për sigurinë i Presidentit Obama, Tony Blinken. Edhe Blinken u shpreh me tone të kujdesshme por disi më i hapur: "Natyrisht ne do të përshëndesmin dorëzimin e armëve kimike nga Assadi në mënyrë që të mund t'i shkatërrojmë. Ky është qëllimi ynë, pra që ai të mos të mundë t'i përdorë më kurrë."
Gazetarët amerikanë janë të çoroditur: "A do të presë tani presidenti para se të japë urdhërin për sulm?", duan të dinë ata, si dhe "A u përpoq ministri i Jashtëm Kerry t'i japë një shans të ri diplomacisë me propozimin e tij në Londër?". John Kerry të hënën (09.09.2013) në Londër tha se Assadi mund të shmangte sulmin nëse do t'i dorëzonte armët e tij kimike brenda një jave bashkësisë ndërkombëtare.
Si zëdhënësja e Ministrisë së jashtme Harf ashtu edhe këshilltari për sigurinë Bliken iu shmangën këtyre pyetjeve të gazetarëve. Duket se prapa deklaratës së Kerry-t nuk fshihej asnjë strategji dhe krejt rastësisht u hap një dritare për një zgjidhje diplomatike të minutës së fundit.
Trysnia ndaj regjimit sirian duhet të vazhdojë
Ish ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton, e di mirë se si e vlerëson propozimin e fundit rus Presidenti Obama. Pas një takimi me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, Clinton tha: "Nëse regjimi sirian i vendos menjëherë nën kontroll ndërkombëtar armët kimike, ky do të ishte një hap i rëndësishëm." Në asnjë mënyrë nuk duhet të kemi një taktikë të re shtyrjeje. Qeveria ruse duhet më në fund të mbështesë seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare.
Për këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojë trysnia mbi regjimin sirian, tha Hillary Clinton. Ajo u shpreh se mbështet Presidentin Obama dhe është pro një sulmi ushtarak kundër regjimit sirian.
Ekspertët nuk presin që Obama t'i shtyjë sërish planet e tij të deritanishme për sulm. Edhe pse në sfond vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar sa serioz është propozimi rus, Presidenti amerikan ditët e ardhshme do të përpiqet të bindë qytetarët dhe deputetët për domosdoshmërinë e një përgjigje ushtarake. Pas gjashtë intervistash televizive të martën në mbrëmje (10.09.2013) pason fjalimi i Obamës drejtuar kombit. Trysnia ndaj regjimit sirian dhe Moskës nuk duhet të zvogëlohet. Por Senati e ka shtyrë votimin e planifikuar për të mërkurën(11.09.2013). Sipas sondazheve të fundit 60 për qind e amerikanëve dëshirojnë që Kongresi të refuzojë një mision ushtarak në Siri.